Gjuhë & Letërsi

T'u mësojmë fëmijëve gjuhën amtare!

Ju e dini se prindërit janë ekspertët më të mirë për zhvillimin gjuhësor dhe për mbështetjen gjuhësore të fëmijëve. Këtu në rubrikën unë flas shqip ju mund të gjeni disa mësime bazë për gjuhën si dhe  sugjerime, se si ju mund ta zgjoni tek fëmija juaj dëshirën për gjuhën shqipe.

Sigurisht që ju e flisni shumë mirë gjuhën e nënës. Po mendoni pak sa mirë do ishte që edhe fëmija juaj ta fliste atë po aq mirë sa ju. Nëse ju flisni me fëmijën tuaj në atë gjuhë që ju e përvetësoni më mirë, i jepni kështu atij një bazë të sigurtë për mësimin e gjuhëve të tjera.

Një gjuhë amtare e përvetësuar si duhet dhe përvojat e shumëllojshme në të shkruar janë baza më e mirë për të mësuarit e gjuhës së vendit ku jetoni dhe mësimin e leximit në shkollë.

Fëmija juaj e zhvillon gjuhën e tij në bisedë me ju. Nëse ju flisni me të për vëzhgimet e tij, ai e zhvillon keshtu leksikun dhe krijon dëshirë për zbulimin e gjërave të reja. Gjatë lojës me fëmijët ju mund të tregoni në gjuhën shqipe histori interesante, të këndoni ose recitoni. Fëmija duke u argëtuar mëson më mirë.

Mos mendoni se fëmija lodhet duke mësuar dy gjuhë. Nuk është aspak e vërtëtë. Fëmija mund të mësojë disa gjuhë njëherësh sipas kontakteve me njerëzit që I flasin ato.

Le të fillojmë me një pjesë  të thjeshtë dhe humoristike për tu mësuar, shkëputur nga poema “Shkolla e pyllit” Bedri Dedja.

Klasa “A” ka abetare,
fillon shkronjat nga e para,
me mësues një Ari, shtatgjatosh edhe të zi

- A, a, a,
jam ARIU,
ARRAT
më pëlqejnë mua,
AKULLOREN
nuk e dua !
A, a, a,
B-ë, b-ë. B-ë,
rrini urtë  mos bëni zë !