Për prindërit

Bashkëmoshatarët edukojnë

Para viteve ’90, në një periudhë të caktuar u përhapën disa udhëzime në sistemin arsimor shqiptar që lidheshin me edukimin bashkëmoshatar. Një grup nxënësish të shkëlqyer ndihmonin për mësimet nxënësit që nuk arrinin rezultate të mira. Disa prej jush mund të kujtojnë filmin “Shoku ynë Tili”. Kjo nuk ishte shpikje e sistemit komunist. Rrënjët i gjenden më herët, pse jo në 1800, kur filozofi amerikan, Horace Mann, thoshte që “Në fëmijëri duhet të edukohet përgjegjësia, qëndrimi i të vetëqeverisurit dhe shërbimi ndaj të tjerëve”. Ideja ishte që të rinjtë mund të zhvillonin mirëqënien e tyre, dinjitetin dhe përgjegjësinë duke iu përkushtuar vlerave pozitive duke ndihmuar dhe u kujdesur për të tjerët.  Ndërkohë që ky optimizëm i 1800 në vendet e tjera u venit nga realiteti i urbanizimit të jetës, zhvilluar më herët se në Shqipëri. Kritikët socialë kanë nënvizuar depersonalizimin e jetës, dështimet e institucioneve shoqërore dhe zbrazëtinë e jetës në fëmijëri dhe adoleshencë. Aktualisht në shoqërinë e sotme perëndimore theksohet dëndur narcizizmi, shqetësimi për veten dhe preokupimi për “MUA”. Megjithatë disa vende po i rikthehen filozofisëë së dikurshme të rëndësisë së kulturës së bashkëmoshatarëve duke e aplikuar në modifikimin e sjelljeve antisociale fillimisht.

Edhe në vendin tonë, si në cdo fushë të jetës, shoqëria mund ti rikthehet e të rivlerësojë të mirat e teorive dhe praktikave të kaluara. Është e ditur që sidomos në adoleshencë, pavarësisht kohëve që jetojmë, ndikimi i moshatarëve dhe atyre që janë jashtë familjes është i madh. Psikologu dhe shkrimtari për fëmijë Bedri Dedja e ka sjellë herët në art këtë frymë përmes librit “Kalamajtë e pallatit tim”.  Duke e pasur në konsideratë këtë fakt, a nuk do të ishte më mirë që ta mirëpranojmë dhe tu japim vend dhe përgjegjësi moshatarëve??

Është  i nevojshëm krijimi i një subkulture pozitive për ta dhe nga vetë ata. Psikologët shkollorë mund ta bëjnë këtë duke krijuar grupe moshatarësh këshillimi në mënyrë që edhe jashtë këshillimit të rinjtë të marrin përgjegjësi për sjelljet e njëri-tjetrit. Krijimi i kulturës positive të moshatarëve synohet të kthejë subkulturën negative të të rinjve dhe të mobilizojë forcat e grupit të moshatarëve në një mënyrë produktive. Qëllimi është që të rinjtë të përfshihen në një proces ndihmese për njëri-tjetrin. Ndërkohë që personi jep dhe bëhet i vlefshëm për të tjerët, atij i rriten ndjenjat  e mirëqënies për veten dhe ndërton një vetë-koncept pozitiv. Krijimi i kësaj kulture pozitve do të ndihmojë rebelët të ridrejtohen në shoqëri dhe të japin shumë për të. Mendohet se të rinjtë “problematikë”, ata që kanë hasur shumë vështirësi në jetën e tyre janë shpesh më të përshtatshmit  për të kuptuar problemet e të tjerëve. Duhet thënë se kjo kulturë nuk pretendon të imponojë rregulla specifike, por tu mësojë  të rinjve vlerat bazë. Por nëse do të kishte një rregull ai do të ishte që njerëzit duhet të kujdesen dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin.  Të kujdesesh do të thotë të duash më të mirën për një person. Fatkeqësisht përkujdesja për dikë nuk është shumë popullore mes të rinjve. Në fakt sjelljet negative, lënduese, keqdashëse janë më të zakonshmet dhe më të pranueshmet. Por gjithcka ndryshon nëse ka vullnet për ndryshim. Ja për shembull mund të fillohet me një model të tillë në klasë:

“Një nxënës hedh një libër në mes të orës së mësimit  dhe qesh. Para se ti flasë mësuesja, një shoku i tij i klasës duhet të përballet me të duke i thënë të kontrollojë veten, të tjerët heshtin. Nxënësi, që nuk merr mbështetje për veprimin e tij nga shokët e klasës nuk e zgjat më. Mësuesja në këtë rast duhet të vazhdojë mësimin pa thënë asnjë fjalë për problemin e sjelljes”.

Krijimi i kësaj kulture në klasë e jashtë saj kërkon durim, por nëse ndërmerret si nismë përfitimi i kalon kufijtë e shkollës.

©Flasshqip.ca