Për prindërit

Fjalë për adoleshentët. Mbi autoritetin e prindërve!

Autoriteti është diçka e ndërlikuar. Kur ka shumë autoritet, ai bhet i padurueshëm. Kur nuk ka sa duhet ndjehemi disi të braktisur, sikur të tjerët nuk e kanë shumë mendjen tek ne. Shpesh gjendemi përballë të rriturish a prindërish që janë të shqetësuar dhe thonë: “Është i papërgjegjshëm! Duhet ta kesh nën vëzhgim pa ndërprerë” apo të tjerë që kanë vendosur të lëshojnë pe duke u justifikuar:  “epo nuk na dëgjon më, kështu që nuk kemi pse e prishim gjakun”.

Përballë ABUZIMIT ME AUTORITETIN  ne mbyllemi në vetvete, tërhiqemi përmes fantazisë apo qoftë edhe fizikisht, pra FSHIHEMI.

Edhe kur bëjmë sikur s’ka ndodhur gjë, në konfliktet për autoritetin, neve jemi që ç’ke me të të përfshirë. Dhe gjithnjë ka rëndësi të pyesim veten si ndodhi që mbërritëm deri në këtë pikë.

Nuk duhet të harrojmë se edhe të rriturit kanë probleme me autoritetin. Asnjë qenie njerëzore nuk mundet t’i shpëtojë. Sa herë  përballemi me një autoritet që mezi e durojmë, ne shpesh reagojmë duke krijuar ne pastaj një KRIZË AUTORITETI. Për shembull, qëllon shpesh që kur kthehet në shtëpi babai apo mamaja zënë e qortojnë vend e pa vend fëmijët duke u dhënë urdhëra të tipit: “shko rregullo dhomën tënde!” “rri drejt!” apo “mbaro ushqimin!”, por vet ata, gjatë ditës mund të kenë pësuar autoritarizmat e një shefi të ashpër i cili, nga ana e tij, bashkë me mëngjesin mund të ketë gëlltitur edhe sherrin e së shoqes.

Por ka edhe njerëz që janë autoritarë gjithë kohës dhe kudo, si në shtëpi ashtu edhe në zyrë, dhe askush më mirë se të rriturit nuk di të bëjë rolin e autoritarit. Ndonjëherë kjo mund të jetë  çështje temperamenti apo karakteri. Jo gjithnjë e vëmë re se jemi autoritarë edhe ndaj miqve. Nga ana tjetër, ndoshta kjo anë e karakterit na vjen prej prindërve tanë. Dhe ndodh që të mos e vëmë re se jemi bërë autoritarë (ndaj prindërve, shokëve, vëllezërve e motrave) sepse nuk ndjehemi rehat me veten tonë.

Kur dikush e ushtron autoritetin e tij vetëm për t’i treguar vetvetes dhe të tjerëve se ai ka pushtet, ky quhet AUTORITARIZËM. Fshihet një pjesë PAAFTËSIE brenda autoritarizmit, ndërsa autoriteti i vërtetë zbulon forcën e pushtetit.

Nganjëherë zbulojmë se e paskëshim tepruar me zmadhimin e autoritetit të prindërve. Ndoshta e kemi bërë për t’i mbushur mendjen vetes se ata merren shumë me ne. Dhe prindërit nga ana e tyre shpesh dramatizojnë gjithçka, ndoshta ngaqë ndjejnë trysninë e vështirësive materiale, apo ndoshta ngaqë janë të shqetësuar për fëmijët e tyre. Papunësia, droga, SIDA janë rreziqe të vërteta. Janë çështje konkrete që me të drejtë i shqetësojnë prindërit. Kështu mund të shpjegohen  ato sjellje autoritare të cilat ne mezi i pranojmë.

Ajo çka nuk është e drejtë është se në shumicën e rasteve nuk diskutohet që prindërit kanë gjithmonë të drejtë dhe kjo vetëm për faktin se janë të rritur. Duket sikur është ndërtuar një hierarki sa e qartë aq dhe e fshehtë, e cila është e padiskutueshme. E megjithatë të rinjtë shpesh sjellin ide të reja dhe interesante, edhe pse jo të gjitha janë të realizueshme ngaqë janë të përzjera me fantazinë.

Ka raste kur ndjejmë se kemi NEVOJË PËR AUTORITET, nga ana e mësuesve apo kujdestarëve. Por kemi frikë t’ua kërkojmë këtë gjë nga frika se mos pastaj kjo do të sjellë autoritarizmin e tyre dhe ne do të mbetemi në grackë. Sikur të qe e prerë me thikë se të jesh autoritar është krim dhe po të bindesh çnderohesh. Por nuk është aspak çnderuese; përkundrazi, mund të të japë edhe kënaqësi PRANIMI I AUTORITETIT  kur bëhet fjalë për një autoritet të zgjuar. Varet prej atij që e ushtron. Janë plot të rritur që kanë respekt për vetveten  dhe këta, falë përvojës, qëllimit të mirë që shfaqin dhe afërsisë që tregojnë, duken TË BESUESHËM.  Mund të themi se këta ushtrojnë një autoritet të zgjuar. Autoriteti i tyre është i pranueshëm dhe, disa herë madje edhe i dobishëm.

Ky autoritet nuk ka fare të bëjë me autoritarizmin e rreptë që na jep përshtypjen se po kthehemi pas, në ndjenjën e varësisë prej të tjerëve që kemi patur në vegjëli, ende pa hyrë në pubertet. Ndodh më tepër kur i kundërvihemi sistematikisht autoritetit, pa e çuar ndërmend se ai na ndihmon në jetë, që ne vendosemi në pozitat e një fëmije. Nuk duhet të mendojmë në mënyrë të prerë se nga njëra anë ndodhen të fortët që abuzojnë me autoritetin e tyre dhe nga ana tjetër të dobtit që nënshtrohen. Është çështje momenti, rrethanash dhe ka sa të duash kohë për të  VËNË NË DISKUTIM  gjithçka.

Në rrethana të caktuara njëri mund të jetë drejtues, kapo, po në një rrethanë a kohë tjetër, dikush do t’i zerë vendin. Ndodh që të ndjehemi të pakënaqur sepse, pasi kemi bërë përpjekje të mëdha dhe kemi shumë shpresë se do të na vlerësojnë, të rriturit nuk na zënë besë. Nuk arrijnë të kenë besim tek ne dhe na kërkojnë prova. KRIJIMI I KËTIJ BESIMI kërkon kohë gjë që neve na duket e tepërt.

Kur lind sherr për një çështje konkrete – dalje, punë, para, jetë familjare – duhet që të flasim për to derisa të arrijmë një kompromis. Kështu mund të vendosim me të rriturit një MARRËVESHJE NDERI për një periudhë të caktuar.  Nëse gjërat ju duken shumë të vështira bëni durim se nuk do të jetë gjithmonë kështu. Ndërkohë vazhdoni të keni sjelljet e duhura për të qenë të besueshëm dhe të mund të çliroheni prej tutelës së tyre sa më shpejt të jetë e mundur. Kur ndeshemi prej vërteti me autoritarizmin e të rriturve që nuk duan të tregojnë mirëkuptim, nuk duhet të hiqni nga mendja se njerëzit JANË TË LIRË TË MENDOJNË  atë që duan, dhe kjo është thelbësore.

Mos i bëni gjërat në vartësi të prindërve tuaj, duke kryer veprime vetëm për t’i kënaqur ata apo për t’u ngritur nervat. Ajo që ju rrit vlerat juve, u rrit vlerat edhe prindëve tuaj përmes jush. Hera –herës kur jemi të detyruar t’u bindemi në vend që t’i kundërshtojmë na e heq trurin, por gjithsesi duhet të bindemi.

Kur jeni të bindur brenda vetes se jeni duke bërë një gjë të mirë, që veprimet tuaja janë të tilla që, nëse ju do të ishit prindër dhe fëmijët tuaj do të bënin të njejtën gjë, ju do të ishit krenarë për ta, atëhere vazhdoni dhe kini durim; edhe prindërit tuaj dikur do t’ju kuptojnë.

Guxoni! Por mos harroni karavidhen! Përqark jush gëlojnë rreziqe që ndoshta ju nuk i dalloni por që prindërit tuaj i njohin mirë. Jo gjithmonë e kanë gabim ata.

 Autore: Françoise Dolto