Për prindërit

Prindër në shkollë

E dini që kur prindërit  përfshihen në problemet e shkollës fëmijët e tyre ecin mirë me mësimet? Të ndërtosh një marrdhënie të mirë prindër -shkollë do të thotë se prindërit dhe shkolla komunikojnë në mënyrë aktive me njëri-tjetrin. Duke qënë i përfshirë ju i tregoni fëmijës tuaj se ju e vlerësoni shkollën dhe edukimin dhe në këtë mënyrë rrisni shanset e fëmijës për sukses. Ka disa gjëra që prindërit duhet  të bëjnë për të ndërtuar një marrdhënie të mirë me shkollën e fëmijës. Këtu janë disa prej tyre:

Duhet të njihni mësuesit e fëmijës.

Kur shkollat hapen ose kur fëmijëve i vjen një mësues i ri shkoni në shkollë dhe prezantohuni me mësuesin. Bëjani të ditur mësuesit karakteristikat e fëmijës tuaj, interesat, pikat e dobëta dhe ato të forta.  Mësuesit i vlerësojnë familjet që e gjejnë kohën dhe përpiqen të vijnë në shkollë. Ata jo gjithmonë mund ta kuptojnë arsyen se pse një prind  nuk vjen në shkollë por një letër ose telefonatë mund të japë shpjegime dhe mund të ndihmojë në lidhjen mësues-prindër.

Kërkoji mësuesit të mbajë lidhje me ju

Kërkoji t’ju informojë nëse gjërat po shkojnë mirë dhe aq më tepër kur ato nuk shkojnë mirë. Sigurohuni që mësuesi t’jua dijë emrin, numrin e telefonit dhe kohën kur ju jeni i lirë. Nëse do të ketë ndonjëherë probleme, atëherë do të jetë më e lehtë të kontaktoni me njëri-tjetrin, qoftë personalisht, qoftë me telefon apo letër.

Merrni pjesë në aktivitetet e shkollës.

Ka shumë mënyra që mund të përfshiheni. Cdo shkollë bën aktivitete. Prindërit mund të njoftohen nga fëmijët e tyre ose mësuesit kujdestarë dhe së bashku me prindërit e tjerë të kontribuojnë në organizimin e aktiviteteve.

Gjithashtu këshilli i prindërve është një organ që normalisht duhet të funksionojë për mbarëvajtjen e procesit edukativ. Aty prindërit takohen me njëri-tjetrin dhe diskutojnë për problemet që kanë fëmijët e tyre në shkollë, duke u munduar ti zgjidhin ato në bashkëpunim me stafin pedagogjik. Prindërit në grup kanë më shumë fuqi se tek e tek.

Gjithashtu gjeni mënyra të bëni punë vullnetare për shkollën.  Kjo do ti tregojë fëmijës, mësuesve dhe drejtuesve të shkollës se ju kujdeseni për edukimin e fëmijës suaj.

Kontrolloni dhe monitoroni

Kështu mësoni rreth pikave të forta dhe të dobëta të fëmijës suaj. Sigurohuni që fëmija të ketë materialet e nevojshme didaktike si fletore, stilolapsa libra etj. Sigurohuni që fëmija juaj i ka bërë detyrat. Një mënyrë për të treguar që ia keni kontrolluar është nënshkrimi i tyre në fund.

Qëndroni të përfshirë, kërkon shumë përpjekje por duhet.

Ndërkohë që fëmijët kalojnë nga fëmijëria e mesme në adoleshencë ata duan më pak kontroll nga prindërit, por ju mos lëshoni pe. Mbajini lidhjet me shkollën! Mendoni për mënyra të reja lidhjeje që fëmija juaj të mos ndihet i kontrolluar. Marrdhënia e fortë shkollë-prindër  mund të sjellë ndryshime në të ardhmen e fëmijëve tuaj, në atë të ardhme ku matematika apo letërsia mund të luajë një rol të rëndësishëm.

©FlasShqip.ca