Për prindërit

Rrëfimi i një vajze-Ja pse nuk ia hap mamit telefonin

"E di pse ta mbyll shpesh telefonin? Jo sepse nuk të dua, apo se jam mosmirënjohëse apo fëmijë pa ndjenja. Më vjen keq që të lëndoj, por mendoj se ti nuk je e ndjeshme sa duhet ndaj mendimeve të mia. Ti pret gjithmonë të të raportoj. Njëlloj si një agjente policie ti pyet e pyet, pa menduar fare për kohën time dhe privatësinë. Ti më bën të ndihem sikur çdo gjë e kam bërë keq. Dhe je e gatshme të vish si inspektore për të vënë gjërat nën kontroll dhe në vendin e tyre.

Ti reagon me ankth për çdo gjë. Ai meraku yt, oboboja jote më fut më tepër frikën se jetës nuk do t’ia dal dot. Nëse mua më ndodh ndonjë gjë në punë, ti nuk do mundesh ta rregullosh dot me merakun tënd. Përkundrazi do më shtosh më tepër hallet. Sapo unë filloj të sistemoj mendimet e të marr vendime, ti vjen me vrap dhe merr vendime për mua. E mendon pak se si me bëjnë të ndihem këto sjelljet e tua prej mamaje protektive? Si budallaqe, e paaftë, e pazonja. Gjithë ky presion që ushtron ndaj meje më bën që të të shmang. Ti i bie telefonit dhe mua më krijohet gjendje ankthi dhe mezi pres të shuhet tingulli i ziles. Unë ndihem si e zënë në grackë. Dua të të dëgjoj zërin sepse më merr malli për nënën time dhe jo të dëgjoj vetëm vërejtje se unë nuk di të ha, të vishem apo të gjej një burrë.

E kuptoj që ti kur takon shoqet e tua mburresh me mua, por unë kur takoj të miat me çfarë të mburrem? Ti them se sa shumë më kritikon, që nuk kënaqesh asnjëherë me mua?

Nuk dua të të përjashtoj nga jeta sepse je nëna ime, por mund të ndërhysh pak më butë. Psh; të më japësh ide dhe jo urdhra apo vërejtje të cilat më bëjnë të ndihem inferiore para botës.

Ji prezent në jetën time me butësinë e një nëne që kujdeset së largu për vajzën e rritur dhe këshillo ëmbël. Unë të dua pa fund mami, por dua edhe të jetoj e pavarur."

 

©FlasShqip.ca