Për prindërit

Keni fëmijë të lëvizshëm?

Fëmija juaj nuk rri një minutë pa lëvizur, ngjitet nëpër divanë e kolltuqe, hidhet e kërcen prej tyre. Flet pa pushim, pa u lodhur një çast. Kur ulet të bëjë detyrat, ëndërron me sy hapur dhe hutohet, tund këmbët, luan me duart, diçka bën. I zgjasin shumë orë ato 2 palë detyra sa ju si prindër nervozoheni. Ju mund edhe ta krahasoni me veten tuaj për ta prekur në sedër, por nuk do zgjidhni gjë. Ndiheni i sfiduar, i lodhur, i hutuar. Nuk dini si të silleni me fëmijën tuaj. Si ka mundësi që ai harron të bëjë detyrat? Si ka mundësi që fëmija juaj aq i zgjuar të mos mbajë mend 2 porosi që i lini? Po shkrimin si e ka? Shkruan ngadalë dhe shtrembër-shtrembër. Në raste të tilla, do të ishte mirë konsultimi me psikologun, pasi fëmija juaj mund të ketë çregullimin e pavëmendjes/hiperaktivitetit.

Mos u alarmoni, shumë fëmijë sot po i shfaqin këto tipare. Nuk dihet me siguri nga vjen. Prej trashëgimisë apo faktorëve të mjedisit? Fakt është që fëmijë të tillë kanë vështirësi në shkollë dhe në marrëdhënie me të tjerët të cilët nuk arrijnë ti kuptojnë. Por e ardhmja e tyre nuk do të rrezikohet. Vetëm se prindërve dhe mësuesve u duhet të bëjnë durim dhe të mos i kritikojnë apo ndëshkojnë vazhdimisht. Ata nuk i bëjnë qëllimisht veprimet që acarojnë të rriturit. Ka raste kur këshillohen trajtime me medikamente, ka dhe terapi psikologjike, ka dhe që bëjnë kombinime. Specialistit i mbetet të vlerësojë më mirë rastin dhe prindërve fjala e fundit për të vendosur.

 

©FlasShqip.ca