Për prindërit

Fëmijët e sotëm - Nga Albana Lifschin

Në vitin ‘95, në Manhattan u bëmë bashkë një grup emigrantësh dhe kujtuam me nostalgji jetën e Tiranës, kafet tek Pallati i Kulturës, pastat me peta të Kafe Florës, xhiron e madhe në bulevard dhe diskutuam që si mund të mbajmë edhe këtu po ato lidhje që kemi pasur në Shqipëri.

Një zotëri (M. M) që kishte studiuar në Paris, tha shkurt: “Nuk jetohet në një vend të huaj me mentalitetin e vendit tënd. Këtu ka tjetër psikologji, tjetër zhvillim e mentalitet”.

Rast tjetër:

Një mik i familjes dikur, kur u kthye nga SHBA, mbaj mend që na pat thënë: Në Amerikë gjen gjithçka, por fëmijët i humbet.

Nuk e kishte fjalën që fëmijët i kishin dalë dore, siç mund t’i shkojë mëndja dikujt. Jo. Fëmijët u rritën nën kujdesin e prindërve dhe kur erdhi puna për të vazhduar studimet e larta filluan të kerkonin universitetet që ishin më të favorshme nga ana financiare dhe që perputheshin edhe me dëshirat e tyre për degën që do zgjidhnin. Pra shkollën e bënë në shtete të tjera të USA, larg familjes. Personalisht në vitin ’90 në një seminar gazetarësh të organizuar nga ambasada amerikane në Budapest, kam takuar mjaft studentë amerikanë që studionin në Budapest.

A kthehen të jetojnë sërish në familjet e prindërve? Edhe po, edhe jo. Sepse pas mbarimit të shkollës janë në kërkim të punës. Dhe puna mund t’u dalë në një shtet tjetër (opsionet janë të mëdha në këtë vend: 50 shtete!) Por edhe jashtë këtij vendi.

Është puna që vendos se ku do të jetosh. Mund ta sjellë rasti që atje të gjejnë edhe shoqen/shokun e jetës. Po me prindërit kur takohen? Në Thanksgiving ose për Krishtlindje - këto janë takimet më të bukura dhe më të përmallshme kur e gjithë familja bëhet bashkë. Natyrisht edhe në ditët e tjera të pushimeve si weekend-e të gjata.

Tjetër: Lidhur me konceptin që u shpreh këtu se prindërit i përzënë “fëmijët” nga shtëpia. Dhe këtë punë s’e ka mirë shoqëria amerikane, apo shteti.

Fëmija amerikan, konsiderohet i rritur dhe bëhet i përgjegjshëm për veten para ligjit në moshën (18/21 vjeç). Kjo do të thotë që prindi pas kësaj moshe nuk bëhet më përgjegjës për veprimet e “fëmijës”. Ai nuk është më fëmijë, fiton të drejtat e të rriturit, të votës dhe të martesës. Pra mund të dalë më vete. Megjithatë në rastet kur adoleshenti ndjek shkollën e lartë, në të njëjtin qytet ai rri në familje. Ndjen nevojën e mbështetjes së prindërve e cila është gjithnjë e pakufishme.

Ka mjaft të rinj që largohen me dëshirën e tyre (për të qënë të pavarur)nga foleja e prindërve duke kërkuar folenë e re të dashurisë. Kur dështojnë, kthehen sërish tek prindërit. Shpesh kthehen sëbashku me të dashurën (për mungesë pune, të ardhurash të pamjaftueshme).

Kjo shikohet si periudhë e përkohshme sa të rimekemben përsëri. Nëse këta fëmijë të rritur, preferojnë të rrijnë aty për një kohë të gjatë në dembelizëm, apati, atëherë krijohen vështirësi të mëdha për familjen dhe madje dhe rreziqe. Cfarë rreziqesh? Jeta ka treguar që “fëmija” sillet keq me prindërit, u krijon dhimbje shpirtërore me fyerjet që u bën, madje edhe kur ata janë në moshë të thyer. Një mikesha jonë në Bruklin, Sarah, u largua në Teksas tek e bija e martuar, vetëm që t’i linte krejt shtëpinë të birit me shpresë se ai do të bëhej “burrë” e do të krijonte familjen e tij. Sarah e mirë vdiq brenda 6 muajsh për të mos iu bërë barrë vajzës me familje, dhe nga dëshpërimi se nuk kishte më se ku të kthehej. E çfarë sakrificash nuk bëjnë prindërit për fëmijët! Por cila është mirënjohja e tyre? Kjo është çështje tjetër. Nuk përgjithësoj, por për të qënë realistë, po u tregoj edhe një rast tjetër përsëri transmetuar nga TV. Për të kam shkruar edhe këtu në Facebook. Pas vdekjes së të shoqit gruaja jetoi në shtëpinë që i kishte ndërtuar ai, për të dhe për femijët, me porosinë: “Mos e lër, as mos e shit kurrë shtëpinë deri në ditën e fundit”. Kur u bë 80 vjeç, gruaja duke menduar se ndoshta nuk do jetonte gjatë e bëri kalimin e shtëpisë në emër të tij, por me një marrëveshje për të jetuar në të deri ditën e vdekjes. Ajo u bë 90 vjeç dhe djali i cili tashmë ishte 60-të, kishte filluar të bëhej nervoz, e të mos dukej më në shtëpinë e prindërve për ta parë nënën si më parë. Një ditë prej ditësh gruas së moshuar i vjen një urdhër nga gjykata për ta lënë shtëpinë, pasi ajo i takonte të birit.

Nëna: -Po si mor bir ma bëre këtë? Ne ramë dakord që unë do të jetoja këtu deri sa të vdisja - kjo qe edhe porosia e babait.

- Po, por ti u bëre 90 vjeçe, unë po bëhem 70, kur do ta gëzoj shtëpinë unë? Më duhet shtëpia se kam nevojë për para, do ta shes. Shtëpia bën 350 mijë dollarë!

-Po për mua mendove?

-Zonjë, ti e ke vendin në azil, tani. Atje ke plot në moshën tënde!

......

Do të shkruaj ndonjëherë tjetër më gjerësisht për këtë temë.

Shkurt: Lidhur me fëmijët e sotëm.

Amerika u ofron mundësitë më të paimagjinueshme fëmijëve të sotëm, e rrit fëmijë të përkëdhelur. Shpesh edhe në programet televizive thuhet që sot amerikani 25 vjeç sillet si 15, ai që është 35 sillet si 25, e madje nënat 40 vjeçare “konkurojnë” me të bijat. Gjithkush në mendim e veprim duket më i ri se mosha. Senatori Ben Sasse në librin e tij për problemet e rritjes së gjeneratës së sotme dhe fateve të vendit, jep shembuj nga jeta e vet, e femijëve të tij. Domosdoshmëri për ta: Njohja dhe edukimi me punën. Njohja me historinë e Amerikës, edukimi me ndjenjën e patriotizmit. Një shëmbull që më bëri përshtypje ishte që gjatë pushimeve të verës ai me të shoqen e dërguan vajzën e tyre 15 vjeçe të punonte e jetonte në fermë. I thanë fermerit që t’ja mësonte të bijës të gjitha proceset, dhe nuk do ta paguante asnjë dollar për punën e saj. Vajza u dashurua pas punës dhe i dërgonte nënës mesazhe entuziaste, të cilat kjo e fundit i përcillte në Facebook.

Presidenti Regan porosiste edukimin e brezit të ri si gjënë më themelore, për të ruajtur Amerikën nga dështimi.

I falenderoj të gjithë miqtë që morën pjesë në këtë diskutim. Më ndjeni që s’po u përmend emrat, por u falenderoj me sinqeritet.