Për prindërit

Shkolla që shkatërron

Një herë u mblodhën kafshët e shpendët në pyll dhe vendosën të çelnin një shkollë. Mes tyre ishin edhe lepuri, zogu, kastori, peshku dhe ngjala. Këta ishin më ambiciozët dhe prandaj formuan këshillin e drejtorëve. Lepuri ngulte këmbë që në programin mësimor të futej vrapimi. Zogu ngulte këmbë që në program të futej fluturimi. Peshku këmbëngulte të futej noti, kurse kastori thoshte se ishte absolutisht e nevojshme të futej ngjitja vertikale në pemë. Ata i bashkuan të gjitha këto ide dhe hartuan orarin mësimor. Pastaj filluan të këmbëngulnin që të gjitha kafshët e shpendët të studionin të gjitha lëndët. Megjithësë në vrapim merrte 10-të, lepuri hasi vështirësi në ngjitjen e pemës. Ai vazhdimisht binte. Shumë shpejt pësoi gotitje në tru dhe s’mund as të vraponte më. Doli që në vend të 10-ës në vrapim merrte 6-të, ndërsa në ngjitje sigurisht që merrte 4. Zogu fluturonte shumë mirë, por kur iu desh të gërmonte fole në tokë, nuk arrinte të kishte sukses. Shumë shpejt iu dëmtua sqepi dhe krahët. As në fluturim nuk ishte më i zoti si më parë. E para e klasës doli ngjala, e cila ishte me prapambetje mendore dhe çdo detyrë mezi e bënte. Por themeluesit e klasës ishin të lumtur sepse secili studionte të gjitha lëndët, dhe ky quhej “edukim i përgjithshëm”.

Kështu ndodh me arsimin shqiptar. Mësuesit dhe filozofia e drejtuesve të edukimit është që edhe nxënësve të zotë në diçka t’ua shkatërrojnë atë dhunti apo aftësi duke e detyruar të harxhojë energjitë për lëndët që në fakt nuk ia thotë apo nuk e tërheqin. Si për shembull, e ngopin me 5-a apo 4-a në vizatim një nxënës që nuk ka prirje, ia bëjnë malore shkollën vetëm sepse zysha e muzikës thotë se nuk ka vesh muzike, etj. Ndërkohë që ky nxënës mund të ketë një talent që paaftësia prej ngjale e mësuesve e detyron një zog të gërmojë tokën apo të notojë. 

Në këtë mënyrë arsimi nuk i përgjigjet natyrës së fëmijës, por detyron nxënësit të ndjekin modele të caktuara, e duke i bërë shpesh herë të ndihen si të paaftë. Kjo gjë ndodh kudo në shkollat shqiptare. Fëmijët detyrohen të bëjnë atë që bëjnë gjithë të tjerët, duke shkatërruar kështu potencialin e secilit për të qenë vetvetja.

©FlasShqip.ca