Kanada

Kanada - Ministri Federal i Imigracionit kritikon Doug Ford

Ministri Federal i Imigracionit, Ahmed Hussen, konteston fjalorin e përdorur nga qeveria e re konservatore e Ontarios në  adresë  të  imigrantëvë  që  kërkojnë  statusin e refugjatit politik pasi kalojnë  në  mënyrë  të  parregullt kufirin amerikano-kanadez, më së shumti në Hemmingford, në provincën e Quebec-ut

Javën e kaluar, në një komunikim më mediat, një zëdhënës i kryeministrit Doug Ford i përshkruante azilkërkuesit si “persona që kapërcejnë  kufirin në  mënyrë  të paligjshme”. Sipas tij, fluksi i kohëve të  fundit i këtyre personave “të  paligjshëm”, ka provokuar një krizë në fushën e strehimit në Toronto duke vënë  kësisoj “në rrezik nivelin shërbimeve sociale nga të cilat varen familjet ontariene”.

Nga ana e tij, Ahmed Hussen, ministri federal i Imigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë , gjatë  një  konference për shtyp në Halifax ditën e djeshme, u shpreh “i shqetësuar” nga deklarimet e Z. Ford dhe ministres përgjegjëse  për Imigracionin në  Ontario, Lisa MacLeod.

Ministri Hussen, ish-refugjat me origjinë nga Somalia, kujtoi që në bazë të së drejtës kanadeze dhe asaj ndërkombëtare, Kanadaja ka detyrimin ligjor t’u ofrojë një proces të rregullt ligjor të gjithë azilkërkuesve.

Ndërsa të enjten e kaluar, në përfundim të takimit të parë zyrtar me Doug Ford, kryeministri Justin Trudeau theksoi që Doug Ford ende nuk e ka kuptuar sa duhet peshën e detyrimeve ndërkombëtare të Kanadasë  sa i takon kërkuesve të azilit politik.

Sipas informacioneve të fundit, qeveria e Ontarios ka kërkuar gjithashtu nga Ottawa një ndihmë  financiare shtesë  për të  përballuar fluksin e refugjatëve që  arrijnë  në Toronto.

Burimi: Radio Canada/La Presse Canadienne