Kanada

Kanada: Të shtëna me armë zjarri në Toronto, 2 të vdekur dhe 12 të plagosur

  • Published in Kanada

Sipas Radio-Canada, nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e 22 korrikut,  ku janë dëgjuar të paktën 25 të shtëna me armë zjarri në lagjen East York të Torontos, rezultojnë dy persona të vdekur dhe 12 të plagosur. Të dhënat mbi autorin e ngjarjes ende janë të kufizuara. Deri tani bëhet e ditur mosha e tij 29 vjeç. Nuk dihet me saktësi nëse autori ka vrarë veten apo është vrarë nga forcat e policisë. Qytetarë të shumtë kanë reaguar të tronditur nga ngjarja. Po ashtu edhe liderët e politikës kanë bërë deklarata ngushëlluese për familjarët e personave që humbën jetën. Ata gjithashtu kanë falenderuar qytetarët që u kanë ardhur në ndihmë të plagosurve. 

Ambulancat kanë mbërritur menjëherë rreth orës 22:00 të mbrëmjes të së dielës, në kryqëzimin e rrugëve Danforth me Logan (zona e quajtur Greek Town), zonë mjaft e frekuentuar dhe e mbushur me bare dhe restorante. Më pas është kryer transportimi i të dëmtuarve drejt spitaleve më të afërta.

Kryeministri i Ontarios Doug Ford ka reaguar menjëherë përmes Twitter. Duke shprehur solidaritetin me viktimat dhe të afërmit e tyre, ai ka falenderuar gjithashtu të gjithë ata që u angazhuan menjëherë në ndihmë të të plagosurve.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë John Tory, u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë qenë në vendngjarje të ndihmojnë autoritetet policore me dëshmitë e tyre, ndërsa shefi i Policisë Mark Saunders ka deklaruar që ende nuk dihen motivet duke lënë të nënkuptohet që autori i të shtënave ka mbetur i vdekur pas këmbimit të zjarrit me policinë e cila ka reaguar në mënyrë të menjëhershme.

Në përditësim.

Photo credit: CBC

@Flasshqip.ca