Kanada

Të jetosh në Toronto

  • Published in Kanada

Toronto është qyteti më i madh i Kanadasë, i pesti më i populluari i Amerikës Veriore, me 2.8 milionë banorë. Ndërsa Greater Toronto Area, e quajtur zakonisht GTA, llogaritet me mbi 6 milionë banorë. Qeveria e Kanadasë pret që popullata e GTA të arrijë në 7.7 milionë deri në vitin 2025. Toronto shtrihet në pjesën jugore të Ontarios në “Golden Horseshoe”' ku 8 milionë banorë, mbi një e katërta e popullsisë së përgjithshme të Kanadasë, jetojnë në këtë rajon me dendësi të lartë. Gjatësia e Torontos, 43 gradë në veri është e ngjashme me Bordeaux, Francë ndërsa në hemisferën jugore me Christchurch, Zelanda e Re. Megjithëse klima e Torontos moderohet pjesërisht nga prania e Liqeneve të Mëdha, sigurisht është më ekstreme sesa në Bordeaux dhe Christchurch, me verë disi më të nxehtë dhe dimër shumë të ftohtë.

Karakteri

Motoja e Torontos është “Diversiteti, forca jonë". I njohur si një nga qytetet me më shumë kultura në botë, Toronto krenohet me këtë varietet gjuhësh, kulturash, ushqimesh dhe artesh. Më shumë se gjysma e popullsisë janë emigrantë.

Bizneset

Revista “Forbes” e rendit Toronton në listën e 10 qyteteve më të pasura në botë, mes tyre Londra, Hong Kong, New York, Chicago, Seoul, Los Angeles, dhe Shanghai. Sipas revistës, qytetete të fuqishme si Toronto, tërheqin investime duke e konsideruar atë si qytetin që ndodhet në zemër të ekonomisë, i projektuar të mbajë këtë status përtej 2020.

Ku të banosh në Toronto?

Periferi të tilla si North York, Markham dhe Richmond Hill (veri, lindje) dhe rajoni Halton (Oakville dhe Milton për shembull) preferohen nga familjarët pasi janë ndër vendet më të qeta për të jetuar në Toronto. Beqarët preferojnë qendrën, ku në fakt çmimet dhe qiratë e banesave janë të larta.  Normat më të larta të krimit regjistrohen në zonat, si Jane & Finch, Lawrence Heights dhe Rexdale të Etobicoke. Në qendër të Torontos, Parkdale, St James, Regent Park dhe Moss Park ka norma më të larta krimi. Në lindje të qytetit, në Malven, Scarborough gjithashtu ka norma të larta të krimit. Megjithatë krahasuar me Vankuverin, Montrealin, Edmontonin, Halifaksin dhe Winipegun treguesit e krimit në Toronto janë më të ulët dhe të krahasueshëm me ato në Calgary dhe Ottawa.

Edukimi 

Universiteti i Torontos është një nga institucionet më prestigjioze në botë, i 23-ti në rankimin akademik të universiteteve botërore. Ka tre kampuse të ndryshme, të vendosura në qendër të qytetit, në perëndim (Mississauga) dhe në lindje (Scarborough).

Në Toronto ndodhen edhe dy universitete të tjera mjaft të mirë si Ryerson dhe York University, si dhe disa kolegje. Mësuesit në Ontario janë më të paguarit në Kanada. Për fat të keq, numri i mësuesve në Ontario tejkalon kërkesën dhe gjetja e punës nuk është e lehtë. Në të vërtetë, është e zakonshme që mësuesit kanadezë lëvizin jashtë shtetit për të fituar përvojë.

Qarkullimi në Toronto

Toronto është një nga të paktat qytete të Amerikës së Veriut ku njerëzit mund të zgjedhin të mos kenë një makinë personale pa patur vështirësi në lëvizje. Kjo për shkak të sistemit të transportit publik ndër më të mëdhenjtë në Amerikën e Veriut. Rrjeti i gjerë dhe i besueshëm i TTC-së të autobusëve dhe tramvajeve është i ndërlidhur me një sistem të gjerë nëntokësor. Autobusët janë hibrid elektrik, për të zvogëluar ndotjen e ajrit. Toronto gjithashtu ka Zipcar, një shërbim makinash me anëtarësim, i paguar me orë. Ky shërbim përdoret më shpesh në qendër të qytetit.

Ontario ka një sistem hekurudhor dhe autobusësh të quajtur GO Transit, që lidh TTC dhe GTA. Cilësia e ajrit në Toronto nuk është aq e mirë sa në qytetet e tjera të mëdha të Kanadasë. Kjo për shkak të numrit të madh të automjeteve në qytet. Përkundër kësaj, Toronto ende renditet ndër 20 qytetet më të pastra midis 50 të tillëve të raportuara nga revista Forbes. Programi Green Bin është vlerësuar për qasjen e tij ndaj menaxhimit të mbetjeve.

Çfarë të bësh në Toronto

Toronto është i njohur për skenat e artit, ngjarjet e shumta sportive, netët e gjalla, restorantet, bistrot dhe kuzhinat e çdo kombësie. Galeria e Arteve e Ontarios dhe Royal Ontario Museum janë popullore për turistët dhe banorët.

Toronto është qendra e performancave të arteve, me më shumë se pesëdhjetë kompani baleti dhe dansi, gjashtë kompani operash dhe dy orkestra simfonike, të cilat japin shfaqje në shumë vende të rëndësishme, duke përfshirë Roy Thompson Hall, The Hummingbird Center dhe Qendrën për Performanca Artesh.

Qyteti është i njohur edhe për shumë parqe zbavitëse të tij; më i famshmi nga të cilët është Canada’s Wonderland. Toronto ka 6 skuadra kryesore sportive në Hokej, Basketboll, Baseball, Futboll amerikan, futboll dhe Lakros. Hapësirat kryesore për ngjarjet sportive janë Qendra e Air Canada, Qendra Rogers dhe BMO Field.

Referenca: www.livingin-canada.com

©Flasshqip.ca