Kanada

CN Tower

  • Published in Kanada

Kulla e famshme CN Tower, në Toronto, ishte struktura më e lartë në botë deri në vitin 2007, kur Burj Khalifa në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, e tejkaloi atë. CN Tower është ndërtuar në vitin 1976 nga “Canadian National”, që donte të demonstronte fuqinë e industrisë kanadeze duke ndërtuar një kullë më të lartë se çdo tjetër në botë. Ndërtimi i CN Tower ishte një projekt i madh dhe ambicioz që përfshinte 1.537 punëtorë të cilët punonin 24 orë në ditë, pesë ditë në javë për 40 muaj deri në përfundim.

Megjithëse Kulla CN është burim i krenarisë dhe frymëzimit për kanadezët origjina e ndërtimit të saj është prakticiteti. Në vitet 1960 pati një bum ndërtimi të paparë në Toronto, duke transformuar një vend të karakterizuar nga ndërtesa relativisht të ulëta në një zonë mbushur me rrokaqiej. Por këto ndërtime shkaktuan probleme serioze të komunikimit për kullat ekzistuese të transmetimit, të cilat nuk ishin mjaft të larta për të transmetuar për ndërtesat e reja. Sinjalet radio-televizive u dobësuan. CN Tower i zgjidhi këto probleme komunikimi dhe si rezultat, banorët e Torontos tani gëzojnë transmetimet më të qarta në Amerikën e Veriut.

E ndërtuar me një kosto prej 52 milionë dollarësh, në majë të saj është vendosur një antenë e sofistikuar komunikimi për transmetimin e sinjaleve. Ajo u hap për publikun më 26 qershor 1976. Çdo vit, kulla tërheq rreth 2 milionë vizitorë të cilët hipin në ashensorët me xhama për t’u ngjitur aty ku ndodhen dy platformat e vëzhgimit dhe restoranti më i lartë rrotullues në botë. Kulla gjashtëkëndore prej 450 metrash është e mbështetur në tre krahë për të formuar një "Y" në plan të gjerë në terren. Bashkë me majën në krye të saj ajo arrin lartësinë prej 553 metrash.

Në vitin 1995 Kulla CN u përcaktua si një nga shtatë mrekullitë e botës moderne nga Shoqata Amerikane e Inxhinierëve Civilë, krahas Urës së Artë të San Franciskos, tunelit të La Manshit, Ndërtesës Empire State dhe Digës Itaipu në kufirin Brazil/Paraguaj.

Kontrolli i Kullës CN është siguruar që në vitin 1997 nga TrizedHahn me qendër në Toronto, një nga kompanitë më të mëdha të tregut të pasurive të patundshme në Amerikën e Veriut, e përzgjedhur për të menaxhuar kullën nga Canada Lands Corporation. Kulla është rinovuar duke shtuar argëtimet për klientët përfshirë këtu IMAX-film dhe teatër si dhe salla konferencash. Në vitin 2011, në kremtimin e 35 vjetorit të saj, Kulla e CN hapi EdgeWalk, një parvaz prej 1.5 m të gjerë që rrethon bazën kryesore të kullës, duke i lejuar vizitorët të qarkullonin në rreth 356 m mbi tokë.

©FlasShqip

 

Tagged under CN tower