Kanada

Québec: François Legault rrëzon Liberalët nga pushteti

  • Published in Kanada

Koalicioni për Ardhmërinë e Quebec-ut, një parti e qendrës së djathtë, e cila nuk ka qenë asnjëherë në pushtet në provincën e Quebec-ut fitoi dje me shumicë dërrmuese zgjedhjet provinciale. Kjo ishte një goditje e fortë për liberalët.

Në fjalimin e fitores, François Legault tha se votuesit kësaj rradhe i kishin lënë mënjanë betejat përçarëse mbi sovranitetin të cilat kishin konsumuar politikën provinciale në 50 vitet e fundit.

"Sot kemi bërë histori," tha ai. "Ka shumë qytetarë të cilët kanë treguar se është e mundur që me kundërshtarët e djeshëm të punojnë së bashku, të punojnë për Quebec-un e së nesërmes, së bashku".

Në këto zgjedhje Partia e Québéc-ut (PQ) indipendentistët pësoi humbje të mëdha. Ajo arriti të nxjerrë vetëm 9 deputetë dhe të kapë 17% të votës popullore. Këto shifra nuk janë të mjaftueshme për të mbajtur statusin e opozitës zyrtare në Quebec.  Lideri i PQ Jean-François Lisée, dha menjëherë dorëheqjen pas humbjes. 

Partia fituese, Koalicioni për Ardhmërinë e Quebec-ut (CAQ), e cila ka premtuar të ulë taksat, të privatizojë disa aspekte të sistemit të kujdesit shëndetësor dhe të ulë numrin e emigrantëve, u hapi votuesve oreksin për ndryshim në Quebec. Legault fitoi pikë në javën finale të fushatës në zonat përqark Montrealit ku mori mbështetje prej votuesve frankofonë.

Quebec Solidaire (QS), partia e majtë, nga 3 deputetë që kishte mori 10 duke arritur edhe ajo një rezultat historik, sepse deri dje konsiderohej si partia e një pjese të Montrealit. Platforma e Québec Solidaire, e cila përfshin një sërë propozimesh të guximshme mjedisore, është veçanërisht popullore mes votuesve të rinj.

Si përfundim, CAQ rezulton me 74 deputetë, ndërsa Liberalët me 32. Për të pasur shumicën e për të krijuar qeveri, kërkohet një fitore prej 63 vendesh në parlament.

Për Liberalët kjo ishte një humbje historike.

©FlasShqip

Tagged under François Legault