Kanada

Toronto voton!

  • Published in Kanada

Në Toronto, më 22 Tetor do të mbahen zgjedhjet vendore, për Kryetarin e Bashkisë dhe për këshilltarët bashkiakë. Rregjistrimi zyrtar i kandidatëve ka nisur që në 1 maj 2018 dhe u mbyll më 27 korrik në orën 2 p.m.

Kryetari aktual John Tory i zgjedhur që në 2014 rikandidon për një mandat tjetër për qytetin e Torontos. Ish-këshilltari Doug Ford kish deklaruar qëllimin e tij për të garuar për këtë post, por më pas u tërhoq kur arriti të merrte lidershipin e Partisë Progresiste Konservatore të Ontarios.

Ish-shefja e planifikimit urban të bashkisë Jennifer Keesmaat për të cilën kishte zëra që do kandidonte e më pas jo, e shpalli kandidaturën e saj pikërisht në ditën e fundit të regjistrimit, më 27 korrik. Po në këtë datë është regjistruar si kandidat për këshilltar bashkiak edhe shqiptaro-kanadezi Artur Langu, i cili kandidon në zonën 12 Toronto-St. Paul's.

Kandidatë për postin e kryetarit të Bashkisë Toronto janë edhe Sarah Climenhaga, një nënë me kohë të plotë dhe aktiviste e sigurisë rrugore e cila ka punuar me Cycle Toronto dhe TTC riders dhe Saron Gebresellassi, një avokate dhe aktiviste e të drejtave të njeriut.

Por, John Tory dhe Jennifer Keesmaat janë dy kandadatët kryesorë pretendentë të fortë për Bashkinë e Torontos.

Le të shohim më gjerësisht se ç’përfaqësojnë këta dy kandidatë:

Jennifer Keesmaat ka lindur në vitin 1970 në Hamilton, Ontario. Ajo është një planifikuese urbane dhe kandidon në zgjedhjet për kryetar bashkie të Torontos në 2018 ku më parë ka qenë shefja e urbanistikës nga viti 2012 deri në vitin 2017. Më 28 gusht 2017 ajo njoftoi se do të linte këtë post në Bashki për të ndjekur interesa të tjera. Më pas, ajo pranoi një ofertë për të dhënë mësim në Universitetin e Torontos. Duke filluar nga marsi i vitit 2018, Keesmaat ka qenë CEO e “Creative Housing Society”, një OJF që ka për objekt të krijojë projekte të përballueshme për banim. Më 27 korrik 2018, Keesmaat shpalli kandidaturën e saj për kryebashkiake të Torontos.

John Tory ka lindur më 1954. Pas karrierës si avokat, strateg politik dhe biznesmen, Tory kandidoi për herë të parë në 2003 në zgjedhjet bashkiake të Torontos dhe i humbi ato përballë David Miller. Nga 2004 deri në 2009 ai ishte kryetar i Partisë Progresiste Konservatore si dhe anëtar i Asamblesë parlamentare të Ontarios.

Pas dorëheqjes nga kreu i partisë në 2009 Tory u bë një i ftuar i rregullt në një progam radiofonik Talk show në CFRB. Në Tetor 2014, Tory ose siç i thërrasin tashmë “Red Tory” u zgjodh kryetar Bashkie i Torontos.

©Flas Shqip