Kanada

John Tory rizgjidhet kryebashkiak i Torontos

  • Published in Kanada

Nuk ka sjellë asnjë surprize procesi zgjedhor i djeshëm në metropolin e Kanadasë, Toronto. Kryetari aktual i Bashkisë, John Tory, është rizgjedhur për një mandat të dytë katër vjeçar. Pas një fushatë të mefshtë, ku slogani i tij ishte “Një lidership që funksionon”, 64 vjeçari Tory ja ka dalë të marrë gati dy të tretat e votave duke patur si rivale kryesore ish-drejtuesen e Urbanistikës së Bashkisë Toronto, Jennifer Keesmaat.

Keesmaat ishte një kandidate e minutës së fundit, e cila e pat motivuar vendimin e saj si reagim ndaj ndërhyrjes së kryeministrit Ford për të përgjysmuar numrin e anëtarëve të këshillit bashkiak në mënyrë të njëanshme, duke e kritikuar John Tory-n për reagimin e tij krejt apatik. Gjithsesi, programet e dy kandidatëve kryesorë ishin shumë të ngjashme, sidomos për sa i përket luftës kundër kriminalitetit.

Menjëherë pas fitores, kryebashkiaku i rizgjedhur ka deklaruar se do të dyfishojë përpjekjet e tij për reduktimin e dhunës duke investuar njëherazi në favor te komuniteteve më në nevojë si dhe duke afirmuar se është i hapur të marrë në konsideratë edhe disa ide nga programi i rivales së tij kryesore, veçanërisht në fushën e strehimit.

Këto zgjedhje do të mbahen mend edhe për faktin që numri i zonave elektorale për këshilltarët në Toronto u reduktua nga 47 në 25 pas propozimit të kryeministrit Doug Ford me idenë e reduktimit të shpenzimeve dhe krijimin e kushteve për një këshill bashkiak më funksional.

Meqënëse në Ontario nuk ekzistojnë partitë politike në nivel bashkie, kryetarit i duhet të negociojë me këshilltarët për te krijuar shumicën e nevojshme për marrjen e vendimeve.

@Flasshqip.ca

Fotot: La Presse Canadienne/Frank Gunn