Kanada

Diplomacia Kosovë-Kanada shënon suksese! Po Shqipëria?

  • Published in Kanada

Ambasada e Republikës së Kosovës në Kanada, bën me dije përmes një statusi në faqen e saj zyrtare në Facebook se është njoftuar dje më 19 dhjetor nga autoritetet kanadeze, se Marrëveshja për Promovimin dhe Mbrojtjen e Investimeve (FIPA) ka hyrë në fuqi në Kanada. “Me këtë hap, janë kompletuar proceset legale në të dyja shtetet, dhe tashmë marrëveshja e nënshkruar në fillim të këtij viti, është në fuqi në të dyja vendet”- thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës.

Kjo marrëveshje përveç karakterit historik të saj, si marrëveshja e parë e nënshkruar mes Republikës së Kosovës dhe Kanadasë, ka rëndësi madhore për marrëdhëniet ekonomike-tregtare mes dy vendeve. Përmes saj, krijohet arkitektura e nevojshme ligjore për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve. Kjo marrëveshje do të ndikojë në hapjen e rrugës për investimet kanadeze në Kosovë, sidomos në sektorin strategjik të minierave ku është dhe interesi më i lartë.

Ndërsa Shqipëria është një hap pas Kosovës në këtë drejtim. Ajo vetëm ka konkluduar negociatat që prej vitit 2013 dhe ende nuk ka një marrëveshje.

Qeveria shqiptare duhet ta sqarojë diasporën shqiptaro-kanadeze pse nuk kanë shkuar negociatat drejt nënshkrimit. Ky është një minus i madh për marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.

Natyrisht dhe diaspora me shoqatat duhet të lobojnë pranë politikanëve kanadezë dhe të mos kënaqemi vetëm me ngritjen e flamurit apo një fjalim kortezie në parlament kur përmendet pavarësia e Shqipërisë. Shkëmbimet tregëtare mes dy vendeve kanë pësuar luhatje vitet e fundit edhe pse Kanadaja ka shprehur që herët interesat e saj në fushën e lëndëve djegëse dhe atë minerare. Por duket se bllokimi i FIPA dëshmon se ka një "ngërç" në marrëdhëniet Shqipëri-Kanada. Kujtojmë që qysh prej vitit 2015 nuk ka as këmbime vizitash zyrtare të nivelit të lartë mes autoriteteve shqiptare dhe atyre kanadeze.

 

©FlasShqip