Kanada

Krishtlindja në Kanada 

  • Published in Discovery

Kanadaja është një vend ku jetojnë njerëz të kulturave të ndryshme. Prandaj aty ekzistojnë plot tradita lidhur me Krishtlindjen, të ardhura prej influencës së Francës, Anglisë, Irlandës, Skocisë, Gjermanisë, Norvegjisë dhe Kombeve Autoktone.  

Kanadezët u dërgojnë miqve kartolina për Krishlindje. Disa i hapin dhuratat në mbrëmjen e Krishtlindjes, disa hapin vetëm një prej tyre, të tjerë presin ditën e Krishtlindjes.

Kanadezët kanë shumë qejf të dekorojnë shtëpitë me pemë, drita dhe çorapet e varura në oxhak të cilat presin Santën.

Vakti kryesor i Krishtlindjes përbëhet nga gjeli i detit me perime. Ëmbëlsira tradicionale është pudingu me kumbulla dhe tartat me fruta të grira. Krekërsat kanë gjithashtu popullaritet nëpër tryeza.

Parada e Santa Klausëve në Toronto është një nga paradat më të mëdha e të vjetra në botë. Ka nisur që prej 1913. Fëmijët përgjatë rrugëve i bashkohen Santës dhe ecin me të.

"Sinck Tuck" është një festival i nisur nga Inuitët, i cili konsiston në kërcime dhe shkëmbime dhuratash.  

Provinca e Nova Scotias është e njohur për bredhat dhe pishat, prandaj shumë familje në Kanada kanë një pemë të tillë. Një traditë kanadeze është të dërgojnë pemën më të madhe të mundshme nga Nova Scotia në Boston, SHBA për shkak të ndihmës që kanë marrë prej tyre gjatë katastrofës së njohur “Shpërthimi i Halifax-it”. Bostonianët e duan dhe e vlerësojnë këtë xhest dhe e vendosin pemën në mes të qytetit.

Qyteti i Labradorit zhvillon festivalin e dritave çdo vit. Banorët zbukurojnë shtëpitë me drita dhe ndërtojnë skulptura akulli në oborre. Ata nuk e kanë problem të gjejnë borë ose akull, pasi çdo vit në Labrador shtresat e borës i kalojnë 3-4 metrat.

Familjet kanadeze bëjnë edhe festën e pjekjes së biskotave. Ato marrin një recetë, e gatuajnë dhe më pas e shkëmbejnë me njëra-tjetrën.

Për Krishtlindje kanadezët hanë karamele të quajtura Barley Candy (si një shkop i cili sipër ka formën e Santas, pemës ose simboleve të tjera) dhe Chicken Bones (janë në ngjyrë rozë me shije kanelle që të shkrijnë në gojë me kremin e çokollatës me qumësht në mes).

Megjithatë njerëz të kulturave të ndryshme festojnë sipas traditave të veta. E rëndësishme është që shpirti i Krishlindjes ndihet kudo në Kanada dhe në çdo familje sjell dashuri e paqe!

Gëzuar Krishtlindjen!

 ©Flasshqip.ca