Kanada

Thesari kanadez i Kleinburgut

  • Published in Kanada
Nga: Jeta Dedja

Në Kleinburg, një qytezë afër Torontos ndodhet një thesar. Kush është i interesuar në gjuetinë e thesareve të artit ndoshta e kupton që bëhet fjalë për “McMichael Canadian Art Collection”, galerinë e famshme të artit kanadez ku janë mbledhur mbi 6500 veprat e artistëve të shquar si dhe atyre bashkëkohorë.

Kjo galeri i ka fillesat në vitin 1952, kur Robert dhe Signe McMichael blenë 10 hektarë tokë në Kleinburg të Ontarios.

McMichaels-at filluan të koleksiononin vepra arti nga Tom Thomson dhe nga Grupi i të Shtatëve. Prej vitit 1960, qindra njerëz vizitonin galerinë private të çiftit. Në 1965, koleksioni numëronte 194 punime, disa të blera nga pronarët, të tjera të dhuruara nga dashamirës të artit dhe plot të tjera të dhuruara nga vetë autorët.

Me rritjen e koleksionit, çifti kuptoi që ata të dy ishin shndërruar në kujdestarë të një thesari kombëtar. Kështu që në vitin 1965, ata ia dhuruan si koleksionin e pikturave ashtu edhe pronën (shtëpinë dhe tokën), provincës së Ontarios. 8 muaj më vonë, në 8 korrik 1966 u hap zyrtarisht “McMichael Conservation Collection of Art”.

Sapo vë këmbë në territorin ku gjendet galeria, ndjen se ke hyrë brenda magjisë së historisë të shfaqur përmes natyrës dhe artit figurativ. Të ecurit nuk ndodh me ritme të shpejta, por ai ngadalësohet natyrshëm për të kundruar skulpturat e shumta të vendosura në kopshtet përreth muzeut.

Sigurisht që pllakatat informative janë aty dhe të ndihmojnë të kuptosh veçanërisht artin abstrakt. Diku tej dallohet një altar i bardhë, në pritje të çiftit të ardhshëm për kurorëzim. Hamendësojmë që në dimër ky altar kanadez mund të ndihet i vetmuar, po ku i dihet, dashuria që ndez zemrat mund të shkrijë dhe dëborën.

 

Pastaj shfaqet porta kryesore e shtëpisë së dikurshme, ku McMichaels-at prisnin miq e vizitorë. Holli është shndërruar në recepsion, kafene dhe dyqan souveniresh. Duhet të presësh biletat dhe punonjësja më pas të ngjit në bluzë stampën e vizitorit. Të bie në sy ndriçimi i ulët në zonën e përgjithshme si dhe ndriçimi i posaçëm për çdo pikturë.

Historia e Kanadasë është relativisht e re, po ashtu janë edhe pikturat-thesare të saj. Në galerinë “McMichael” ka vepra të rrymave, stileve dhe teknikave të ndryshme. Zakonisht rregulli është që pikturat të kundrohen në një distancë prej 1 metër, por ka plot që rreshtohen krahas pikturës sa për të bërë një foto. Në këtë galeri është e lejueshme në disa dhoma fotografia, si për shembull në pavionin e Inuitëve ku bie në sy ky punim 

apo në sallēn e madhe me vepra të artistëve të Kombeve të Para, ku ka skulptura, vizatime, piktura dhe toteme.

Në katin e poshtëm janë vendosur edhe disa nga veprat e famshme të ruajtura me kujdes të Tom Thomson dhe Grupit të të Shtatëve (Franklin Carmichael, Lawren Harris, Alexander Young Jackson, Frank Johnston, Arthur Lismer, J.E.H. MacDonald, dhe Frederic H. Varley).

Këta shtatë artistë udhëtuan përgjatë Kanadasë për të sjellë copëza natyre dhe jete nga çdo pëllëmbë e shkelur dhe e parë prej tyre. 

Ndërsa në sallat e ekspozimeve të veprave të artistëve modernë e bashkëkohorë asnjë foto nuk lejohet. Me keqardhje nuk mund të sjellim dot një foto nga punimet e artistes shumëdimensionale Françoise Sullivan, ekspozita e së cilës është e hapur deri më 12 maj. Gjithashtu, as një foto prej punimeve abstrakte të legjendares tashmë 90-vjeçare Rita Letendre nuk do të publikojmë dot.

Në dalje të galerisë u është lënë një vend artistëve të rinj, të cilët kanë paraqitur kryesisht punime në akrilik, aplikacione në telajo si dhe art konceptual.

Këtu vizitorët ose nga lodhja ose nga ideja që të rinjtë nuk duhet të marrin më shumë vëmendje se legjendarët e shpejtojnë hapin dhe hyjnë në dyqan për shopping. Është mirë të ruash një kujtim të vogël nga kjo vizitë.

Mundësitë e zgjedhjes janë të shumta. Nëse merrni fëmijë me vete ata do të duan të kalojnë më tepër kohë aty duke shfletuar kalendarët e shumtë, duke parë me vëmendje totemet në miniaturë, sendet e vogla artistike apo edhe disa lodra për fëmijë. Ndërsa për të rriturit ka plot çanta, shallra e kravata me piktura të famshme stampuar apo sende shtëpiake funksionale e zbukurimi, veshje e aksesorë e plot ide souveniresh që fuqia e mendjes njerëzore ka krijuar. 

 

Shkurt 2019

Kleinburg, Ontario

©FlasShqip