Kanada

Ministri i Zhvillimit ekonomik të Kosovës Valdrin Lluka viziton Toronton

  • Published in Kanada

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i shoqëruar nga deputetja Sala Berisha Shala dhe kryetari i Bordit të “Trepçës”, Ardian Syla, kanë zhvilluar një vizitë 3 ditore në Toronto për të marrë pjesë në konferencën vjetore të minierave dhe mineraleve, PDAC. Kjo konferencë bashkon politikën, organizatat dhe bizneset me qëllim tërheqjen e investimeve në këtë fushë.

Gjatë prezencës në metropolin ekonomik kanadez, delegacioni nga Kosova ka takuar Kryetarin e Dhomës Ekonomike të Ontarios, Rocco Rossi, të cilit i ka paraqitur nga afër të gjitha ndryshimet ligjore që kanë ndodhur gjatë vitit 2018, duke përfshirë edhe statusin e “Trepçës”. Dhoma Ekonomike e Ontarios do të ndihmojë me promovimin e projekteve minerare në Kosovë tek kompanitë kanadeze.

Ngjarja më e rëndësishme vizitës ka qenë takimi ndërministror, organizuar nën kujdesin e Ministrit të Burimeve Natyrore të Kanadasë, Amarjeet Sohi, ku mbi 30 ministra dhe drejtues të fushës së energjisë dhe minierave morën pjesë për të diskutuar rreth politikave, praktikave dhe tendencave të zhvillimit të këtij sektori.

Ministri Lluka në ceremoninë e hapjes së PDAC 2019 ka zhvilluar edhe një takim me Presidentin e konferencës, Glenn Mullan, të cilin e ka informuar për potencialin që ofron Kosova në sektorin minerar.

Me rastin e vizitës së ministrit Lluka, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Toronto, në bashkepunim me Canada Trade Link, organizuan nje konference me perfaqësues të kompanive të ndryshme kanadeze në Kanada. Ministri Kosovar mbajti një prezantim para investitorëve potencialë rreth mundësive për investime që ofron Kosova në sektorin minerar. Një takim të veçantë delegacioni ka zhvilluar edhe me organizatën “Rrjeti i bizneseve shqiptare në Kanada” që drejtohet nga Naser Berisha.

Siç dihet, Kanadaja është një nga vendet më të njohura në zhvillimin e sektorit minerar dhe sipas Konsullit të Përgjithshëm të akredituar në Toronto, Donat Syla, qëllimi kryesor i takimeve dhe vizitës së delegacionit ministror mbetet tërheqja e investitorëve seriozë në Kosovë, për më tepër që tashmë ka hyrë në fuqi edhe Marrëveshja dypalëshe Kosovë-Kanada për mbrojtjen e investimeve të huaja.

“Në të gjitha takimet e tij, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, bëri një prezantim gjithëpërfshires të potencialeve ekonomike që ofron vendi ynë. Ndërkohë që jam shumë optimist, se ky hap do të jetë vetëm fillimi i një bashkëpunimi shumë produktiv ndermjet dy vendeve tona”, deklaroi në komunikimin e tij me Flasshqip Konsulli Syla. 

@Flasshqip.ca

Toronto, 6 Mars 2019