Kanada

Otello në Toronto

  • Published in Kanada

Opera “Otello” kryevepër e Verdit pati premierën e saj  në datën 27 prill në sallën e “Four Seasons Centre for the Performing Arts”, në Toronto.

Publiku u magjeps prej performancës fantastike të një kaste të mrekullueshme zërash të njohur të operistikës së Amerikës së Veriut. Gjeneral Otello u interpretua nga tenori Russell Thomas, Desdemona nga sopranoja Tamara Wilson, Jago nga baritoni kanadez Gerald Finley, Kasio nga tenori Andrew Haji, Emilia nga Carolyn Sproule, Roderigo nga Owen McCausland dhe Lodoviko nga Önay Köse.

Të pestë katet e sallës gjigante ishin të mbushura nga artdashësit që ndiqnin me rigorizitet rregullat e publikut. Këngëtarët operistikë dominuan me mjeshtëri skenën e ndërtuar thjesht por në mënyrë funksionale për ecurinë e shfaqjes.

E ndarë në 4 akte me një pushim 25 minutësh në mes, Otello të mban në ankth për 2 orë e 40 minuta, edhe pse fundi i tragjedisë Shekspiriane është i njohur prej shumicës. Për ata që nuk kuptojnë italishten e Verdit, Opera e Torontos ka garantuar përkthimin në anglisht me titra të shfaqura në një fashë ekrani mbi skenë.

Orkestra e vendosur në pjesën e poshtme të platformës siç ndodh zakonisht në opera dirigjohej prej Mjeshtrit me origjinë gjermane Johannes Debus. Mes instrumentistëve të orkestrës së Torontos ndodhej dhe bashkëatdhetari ynë Bardhyl Gjevori, i cili prej vitesh është pjesë e pa ndarë e Kompanisë Kanadeze të Operas (COC).

Shfaqja ishte organizuar në një stil post-modern sipas shijes së drejtorit artistik të saj David Alden.

Ajo do të jetë e arritshme për spektatorët deri në datën 21 Maj 2019. Biletat mund të prenotohen online dhe mirë është të shkohet pak më herët se ora 7.30 për të siguruar një vend parkimi në vend të favorshëm dhe pse jo për t’u socializuar në bar me një pije të lehtë para se të zësh vendin e caktuar në sallë.  

©FlasShqip