Kanada

Barak Obama ndjek finalen e NBA në Toronto - Barazohet rezultati

  • Published in Kanada

Ish-presidenti amerikan Barak Obama ka marrë pjesë në ndeshjen e dytë të finaleve të NBA-së në Toronto. Raptors u përpoqën të mposhtin për herë të dytë Warriors të Golden State, ndaj të cilëve fituan të enjten 118 me 109. Kësaj radhe fati u ka buzëqeshur amerikanëve që e kanë mbyllur me fitore takimin e dytë me rezultatin 109 me 104. Kësisoj, finalja e NBA barazpeshohet 1-1 ndërsa takimi i tretë do zhvillohet të mërkurën në Oakland.

Barak Obama është i apasionuar pas basketbollit prej vitesh. Ai e ka praktikuar këtë sport gjatë rinisë. Pas ardhjes së tij në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2009, fusha e tenisit u përshtat në mënyrë që të mund të përdorej edhe për të luajtur basketboll.

Ish-presidenti amerikan ishte në Ottawa të premten mbrëma i ftuar për të mbajtur një fjalim në Canadian Tire Center në prani të mijëra vetëve. Të shtunën, kryeministri Justin Trudeau postoi në llogarinë e tij të Twitter një fotografi me Barak Obamën të ulur bashkë në një birrari. “Gjithmonë kënaqësi kur takohemi” lexohej si koment shoqërues i fotos së tyre. “Shihemi së shpejti”!

©Flasshqip.ca

Photo Credit Reuters, Radio-Canada;