Kanada

Av. Gjergji Hasa, Montreal: Si merret një kontratë pune në Kanada dhe profesionet e favorizuara

  • Published in Kanada

Intervistoi Adi Shkëmbi

Kanadaja ofron mundësi punësimi për qytetarët shqiptarë të cilët arrijnë të gjejnë një kontratë pune në këtë vend. Avokati shqiptar në Montreal, Gjergji Hasa, shpjegon për portalin Flasshqip.ca në këtë intervistë të dytë procedurën që duhet të ndjekin në këto raste qytetarët shqiptarë. Sipas tij, një pjesë të mirë të procedurës e realizon punëdhënësi i cili duhet të bindë autoritetet se ka vërtetë nevojë për aplikuesin nga Shqipëria.

Gjatë intervistës, z. Hasa shprehet se përmes bashkëshortit me një kontratë të rregullt pune, mund të përfitojnë edhe bashkëshortja dhe fëmijët, të cilët kanë të drejta të njëjta me qytetarët kanadezë pasi mbërrijnë këtu.  

Si funksionon sistemi i lejeve të punës në Kanada?

Lejet e punësimit në Kanada ndahen në dy kategori: të hapura dhe të mbyllura. Lejet e punës të mbyllura janë normaliteti, ndërsa lejet e punës të hapura janë përjashtimi. Kanadaja ka një sistem mbrojtës kundrejt qytetarëve të saj në lidhje me punësimin, që do të thotë se Qeveria Kanadeze synon të ketë gjithmonë të sigurta vendet e punës për qytetarët e saj ose rezidentët e përhershëm, me qëllim për të shmangur zënien e vendeve të punës me fuqi punëtore nga jashtë vendit. Të dyja këto procedura janë të lidhura dhe prandaj quhet një sistem mbrojtës. Për të siguruar aplikimin e duhur të sistemit mbrojtës që ka Kanadaja, Qeveria ka vendosur një rregull të detyrueshëm që quhet “vlerësimi i impaktit të tregut të punës” (Labour Market Impact Assessment (LMIA)). Ky aplikim është i shkëputur nga Ministria e Emigracionit dhe kryhet nën ekspertizën e Ministrisë së Punësimit dhe Zhvillimit Shoqëror të Kanadasë (Employment and Social Development Canada). Ky aplikim mund të kryhet vetëm nga punëdhënësit kanadezë dhe është një aplikim i mbingarkuar në informacion rreth kompanisë që do të marrë në punë punëtorë të huaj. Punëdhënësi duhet të jetë transparent në këtë aplikim me Qeverinë, të zbardhë financat e kompanisë, të tregojë që në vendin ku ndodhet kompania në Kanada ka një mungesë punëtorësh për një profesion të caktuar. Kjo procedure zakonisht fillon përmes publicitetit në 3 motorrë të ndryshëm kërkimi të paktën për një periudhë nga 1 deri në 3 muaj. Pas kësaj periudhe nëqoftëse punëdhënësi nuk gjen punëtorë kanadezë nëpërmjet publicitetit, atëherë kompania kanadeze mund të fillojë aplikimin për LMIA. Nëqoftëse punëdhënësi ndodhet në provincën e Kebekut, përveç LMIA, ai duhet të bëjë një aplikim shtesë për të marrë leje nga Provinca, një çertifikatë që quhet “Çertifikata e Pranimit në Kebek (Quebec Acceptance Certificate).

Pasi punëdhënësi kanadez bën kërkesën pranë autoriteteve, si vazhdon procedura?

Më pas, qeveria analizon nëse në momentin e aplikimit në atë zonë të Kanadasë ka  apo jo me të vërtetë një mungesë punëtorësh në atë profesion të caktuar. Pasi merret aprovimi nga Qeveria dhe punëdhënësi ka në dorë një LMIA pozitive, vetëm atëherë një punonjës i jashtëm mund të aplikojë për leje pune të mbyllur. Kjo fazë e parë e aplikimit kryehet në Kanada nga punëdhënësi. Më pas, punonjësi i huaj mund të kryejë aplikimin në ambasadën kanadeze që është përgjegjëse për shtetin nga vjen punonjësi. Ndërsa lejet e punës të hapura u jepen personave që kanë bashkëshortin ose bashkëshorten me një kontratë pune të mbyllur ose me studime në Kanada. Në këtë rast, nëqoftëse familja ka fëmijë, këta të fundit kanë të drejtë të studiojnë në Kanada me trajtim të njëjtë si shtetasit kanadezë deri në moshën 16 vjeç.

A mund të përfitojnë edhe qytetarët shqiptarë nga kjo iniciativë? Çfarë procedurash duhet të plotësojnë qytetarët shqiptarë për të përfituar një leje pune në Kanada?

Po patjetër që munden, nëqoftëse ata kanë gjetur një punëdhënës në Kanada që është gati të ndërmarrë procedurën e LMIA që përmendëm më sipër për lejet e punës të mbyllura. Pra fillimisht, qytetari duhet të gjejë punëdhënës kanadez, duhet të plotësojë kriteret e profesionit në bazë të National Occupation Classification (NOC) dhe të plotësojë kushtet e një personi me status të përkohshëm. Detajet e kushteve të “statusit të përkohshëm” do të përshkruhen në hollësi gjatë intervistës së ardhshme për lejet e studimit. Çdo shtetas shqiptar të cilit i është ofruar një leje pune në Kanada duhet të jetë i ndërgjegjshëm që, nëse një punëdhënës kanadez nuk është gjetur dhe kualifikimet e personit nuk përputhen në detaje me ato të NOC, apo kushtet e statusit të përkohshëm nuk plotësohen, nuk ka asnjë mundësi që leja e punës ti aprovohet.

Nëse e sheh si i jashtëm, sigurisht që duket tejet e vështirë që një qytetar shqiptar të sigurojë vetë një kontratë pune me një kompani kanadeze. Cila mund të jetë rruga më e shkurtër për ta fituar një kontratë pune?

Nuk ka rrugë të shkurtër. Procedurat janë tepër të detajuara, të përcaktuara dhe prej tyre nuk mund të devijohet. E nënvizoj përsëri faktin që Kanadaja ka një sistem mbrojtës në fuqi që kanadezët mos të konkurohen nga punonjësit e huaj.

A ka profesione të cilat janë më të favorizuara se të tjerat dhe që mund ta gjejnë më lehtë kontratën e punës?

Sigurisht që ka. Ministria e Punësimit dhe Zhvillimit Shoqëror të Kanadasë merret me analizën e tregut dhe nxjerr vazhdimisht listën e profesioneve të favorizuara në Kanada. Për shembull në Kebek, Ministria e Emigracionit të Kebekut ka publikuar një listë profesionesh në programin që quhet “Facilitated LMIA process for Quebec employers”, ku ka një procedurë të thjeshtuar për t’u aprovuar për disa profesione. Përmes kësaj procedure të thjeshtuar, punëdhënësi nuk ka nevojë që të kryejë publicitetin në 3 motorrë kërkimi për 3 muaj. Disa profesione: inxhinierë, teknikë IT, kuzhinier, saldatorë, mekanikë, mësues, etj. konsiderohen të favorizuar. Kjo listë ndryshon sipas nevojave të tregut të punës, por disa nga këto profesione, megjithëse tregu ka nevojë, kërkojnë marrjen e një licence nga Urdhëri i profesionit përkatës përpara se ta ushtrosh profesionin në Kanada. Në këtë mënyrë, kthehemi te lejet e studimit për të marrë licencën e atij profesioni dhe, prandaj vizat e studimit në Kanada janë aplikimet më të favorizuara dhe të shpeshta që kryhen nga aplikuesit shqiptarë në zyrën tonë.

Sa është afati i përafërt që aplikanti duhet të presë deri në momentin që të udhëtojë për në Kanada?

Periudha e publicitetit është minimalisht 3 muaj, aplikimi për LMIA edhe rreth 3 muaj të tjerë dhe e fundit aplikimi për lejen e punës dhe vonesat për këtë varen nga Ambasada Kanadeze në Romë (në rastin e Shqipërisë), rreth 2 muaj. Pra në total mesatarisht kjo procedurë zgjat rreth 8 muaj.

Sa i përket familjes së emigrantëve me kontrata pune, a mund të vijnë ata lehtësisht në Kanada? Psh. nëse burri ka një kontratë pune, me çfarë procedure mund t’a tërheqë bashkëshorten dhe fëmijët?

Një nga principet bazë të ligjeve të emigracionit në Kanada është që familjet të qëndrojnë të bashkuara. Kryesisht për këtë arsye procedurat e pjesëtarëve të familjes që shoqërojnë një student apo një punëtor me leje pune janë thjeshtuar. Bashkëshortja ka të drejtë të aplikojë për një leje pune të hapur pa qenë e nevojshme të ndërmarrë procedurat për LMIA. Fëmijët vijnë me viza turistike që do të rinovohen për sa kohë prindërit janë me leje pune të vlefshme në Kanada. Fëmijet në moshën deri në 16 vjeç kanë të drejtë të shkollohen në Kanada me të njëjtat të drejta si qytetarët kanadezë dhe pa qenë e nevojshme të aplikojnë për leje studimi.

Në këtë pikë, bashkëshortja mund të gjejë edhe ajo një kontratë pune këtu?

Asaj nuk i duhet të gjejë kontratë pune, por aplikon për punë kudo dhe prandaj quhet leje pune e hapur. Ajo ka të drejta për të punuar pothuajse si qytetarët kanadezë, me disa përjashtime të vogla, si për shembull nuk mund të punësohet në një profil pune ku duhet të kujdeset për fëmijët.

Sa vjet duhet të presë një familje e ardhur me kontratë pune për të marrë statusin e Permanent Resident e më pas shtetësinë kanadeze?

Aplikuesi duhet të punojë të paktën një vit në Kanada për të pasur mundësinë të marrë përfitimet e programeve të ndryshme që japin rezidencën kanadeze. Në përgjithësi aplikimet për rezidencën e përhershme favorizojnë aplikantët që kanë pasur leje pune në tre kategori: a) kategoria drejtuese ose menaxheriale (kategoria O e NOC); b) profesionet që kërkojnë të paktën një bachelor (kategoria A e NOC); c) profesionet që kërkojnë të paktën trajnim profesional si psh. elektricist (kategoria B e NOC). Sa i përket kategorive C dhe D që janë profesione të cilat nuk kanë nevojë për ndonjë trajnim si psh. shitës, është më e vështirë që të aplikojnë për rezidencën e përhershme. Procedura për të marrë shtetësinë është e njëjtë në të gjitha rastet. Duhet të qëndrosh në Kanada 3 vjet në 5 për të aplikuar për nënshtetësinë kanadeze.

Si i ndihmon zyra juaj ata që duan të imigrojnë në Kanada?

Hapi i parë dhe i domosdoshëm është konsulenca. Analiza e dosjes dhe e mundësive për të plotësuar kriteret e cilitdo programi emigracioni në Kanada kryhet gjatë konsulencës. Ne fillim i kërkojmë personit të interesuar të na dërgojë CV-në e tij për një analizë paraprake. Më pas konsulenca kryhet në zyrë në Montreal ose nëpërmjet internetit. Gjatë konsulencës, klientit i shpjegojmë jo vetëm procedurën për të cilën ai është fillimisht i interesuar, por edhe rrugë të tjera të cilat mund të jenë të favorshme për atë aplikant në bazë të kualifikimeve te tij. Gjithashtu u pergjigjemi të gjitha pyetjeve që mund të ketë. Koha që investojmë në një konsulencë të vetme që nga kontakti i parë me një klient është dy orë ose më tepër. Konsulenca jo vetëm që i qartëson të interesuarit por edhe i bën të reflektojnë nëqoftëse me të vërtetë e kanë marrë vendimin për të emigruar drejt Kanadasë. Informacioni që u japim nuk është i kamufluar apo i zbukuruar për t’i joshur që të aplikojnë por u themi realitetin ashtu siç është me të mirat dhe të keqijat që ka, në mënyrë që t’i ndihmojmë ta marrin një vendim duke qenë të informuar. Gjithashtu, nje avokat që respekton etikën e profesionit ka për detyrim t’i njoftojë klientët që avokati nuk garanton rezultat për nxjerrjen e lejes së punës. Një avokat i mirë njeh procedurat dhe ligjet por nuk është ai që lëshon lejet e punës apo rezidencat e përhershme të Kanadasë. Vendimet merren nga agjentë të emigracionit dhe lejet e punës lëshohen po nga ata. Një avokat i licencuar në Kanada që premton rezultat, shkel një nga rregullat bazë të etikës së profesionit që ushtron.

©Flasshqip.ca