Aktualitet

Elhaida Dani dhe Riccardo Cocciante në Kanada

Elhaida Dani, që prej datës 17 gusht ka nisur një tur dy mujor në Kanada me spektaklin muzikor “Katedralja e Parisit”. Elhaida do të shfaqet si Esmeralda në skenat e teatrove të Quebec-ut dhe Ottawa-ës.

Ky është një projekt i nisur prej shumë kohësh, për të cilin Elhaida është përgatitur. Ka qenë mentori i saj në The Voice, Riccardo Cocciante, i cili i propozoi rolin e Esmeraldës. Ai është kompozitori i kësaj operete të shfaqur për herë të parë në vendin e origjinës, Francën e Hygo-it.

Pas Francës, Bella, së cilës i këndonte Quasimodo, Frollo etj, ka shkëlqyer edhe në Rusi, ku Elhaida ka marrë falenderime të posaçme nga kryeministri Medvedev, të cilat tërhoqën vëmendjen e medias në atë kohë.

Pavarësisht sukseseve, shqiptarja tashmë e famshme, vazhdon të jetë një artiste realiste. Ajo nuk është dehur nga suksesi, por vazhdon të hedhë hapa të matur në projekte vetëm serioze dhe aspak të ngjashme me tregun e lirë të muzikës së rëndomtë të disqeve me shumicë. Pas përfundimit të turit të Kanadasë, Elhaida Dani pritet të nxjerrë një album muzikor për të cilin ka nisur të punojë që më herët.

Por para së të mbarojë turin e Kanadasë, Elhaida fton bashkëatdhetarët e saj në shfaqje. Në një status të saj në Facebook Elhaida shkruan: "Në gazetat Kanadeze sot flitet për ne...  Ka shqiptarë që do vijnë të shohin ‘Notre Dame de Paris’ në Quebec City?" 

Për të gjithë shqiptarët e Kanadasë që do të duan të shohin shfaqjen e Elhaidës njoftojmë se në datat 25 Gusht shfaqet në Quebec city, në datat 8, 15, 20, 25, 26 Shtator do të jetë në Montreal dhe 17 tetor në Ottawa.

©Flasshqip.ca