Aktualitet

Thellohet bashkëpunimi Kanada-Kosovë

Si udhëheqëse e grupit parlamentar të miqësisë Kosovë-Kanada deputetja e Kosovës Mimoza Kusari bashkë me deputetët Vjosa Osmani dhe Andin Hoti, si dhe me prezencën e Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Ottawa Lulzim Hiseni, kanë zhvilluar takimin e parë të dy grupeve parlamentare në Parlamentin Kanadez në Ottawa.

Me këtë rast palët nënshkruan deklaratën e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dhe intensifikimin e raporteve bilaterale të dy vendeve. Për palën kanadeze nënshkroi deputetja Anita Vandenbeld.  

Palët në takim u dakorduan në intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe të promovimit të investimeve, shkëmbimeve akademike të studentëve si dhe në fushat e tjera me interes dypalësh. 

Kanadaja ka qenë dhe mbetet një ndër vendet mike të Kosovës duke i dhënë mbështetje të vazhdueshme që prej periudhës së luftës në shtet ndërtimin e Kosovës- ka deklaruar Kusari.

Deputetët e Kosovës u shprehën mirënjohjen dhe falenderimet e tyre të përzemërta homologëve kanadezë për mbështetjen e vazhdueshme dhe mikëpritjen e 7,000 refugjatëve kosovarë gjatë luftës, të cilët sot janë qytetarë të integruar kanadezë dhe me lidhje të forta me Kosovën. 

Pas Ottavës, delegacioni i Kosovës do t’i drejtohet Torontos.

 

©FlasShqip