Aktualitet

Kanadezja Donna Strickland mes fituesve të çmimit “Nobel”

Nga: Klodi Stralla

Sipas traditës, çdo vit, prej më shumë se një shekulli, në ditët e para të muajit Tetor, bota shkencore hedh vështrimin drejt veriut, Stokholm-it të Suedisë. 

Akademia Mbretërore e saj, për një javë rresht, shpërblen, moralisht e materialisht, individë dhe grupe kërkimore, që me zbulimet e tyre, lehtësojnë dhimbjet njerëzore (mjekësia), thellojnë njohuritë tona mbi Materien dhe Universin (fizika), depërtojnë në të fshehtat e trashëgimisë (kimia), përmirësojnë mirëqenien materiale të miliona njerëzve (ekonomia), pasurojnë shpirtin njerëzor me të mirën, të drejtën dhe të bukurën (letërsia) dhe mbi të gjitha ndihmojnë në arritjen e asaj që njerëzimi dëshiron më shumë, Paqen.

Në orën 11.45, komisioni përzgjedhës shpalli “Nobel prize physics 2018” fizikanët: amerikanin Arthur Ashkin, francezin Gérard Mourou dhe kanadezen Donna Strickland, për studimet dhe prodhimin e rrezeve laser me intensitet shumë të lartë dhe gjatësi vale ultra të shkurta, të cilat gjejnë përdorime të mëdha praktike në fusha si: studimi qelizor, kirurgjia optike dhe prodhimi i materialeve të precizionit të lartë. 

Pas 55 vitesh, Donna Strickland është gruaja e tretë në historinë e Nobel-it në Fizikë, pas Marie Curie (1911) dhe Maria Geopter Mayer (1963).