Aktualitet

Piktorë shqiptarë ekspozojnë në Vancouver

Oil Paint_Genc Permeti

Nga datat 25 deri më 28 prill në Vancouver do të zhvillohet panairi i pestë ndërkombëtar i artit, organizuar nga galeria e re por dhe e famshme tashmë “Art Vancouver”.

Në këtë ekspozitë ndërkombëtare, do të ketë edhe artistë nga Shqipëria. Galeria “Kalo”, me përfaqësues të saj Përparim Kalon bën me dije se iu përgjigj thirrjes së “Art Vancouver” për të marrë pjesë në këtë panair me punime të 17 piktorëve shqiptarë, ku subjekti i zgjedhur është lulja, e sjellë nga artistët në forma realiste dhe abstrakte.

Lulet kanë qenë me kohë subjekte të artistëve të mëdhenj si Vincent Van Gogh, Albrecht Dürer, Claude Monet, Édouard Manet, Georgia O'Keeffe, etj. Secili prej tyre i ka paraqitur me stilin e vet. Kështu që edhe piktorët shqiptarë paraqiten në këtë ekspozitë me lulet e tyre origjinale.

Artistët pjesëmarrës disa prej të cilëve mjaft të njohur në Shqipëri janë: Hasan Nallbani, Ksenofon Dilo, Genc Përmeti, Admir Përvathi, Lumturi Blloshmi, Adriana Puleshi, Andi Spahia, Blerta Xhomo, Berina Kokona, Emanuel Koko, Eros Dibra, Luan Boriçi, Romeo Kallço, Tamara Kurti, Ilir Pojani dhe Amir Ibrahimi.

Galeri "Kalo" shpreson që veprat e artistëve shqiptarë të vlerësohen nga vizitorët, koleksionistët, kuratorët, kritikët e artit si dhe pubiku i gjerë kanadez.

Meqënëse në British Kolumbia ka një komunitet tepër aktiv të shqiptarëve, të organizuar në shoqatën e tyre “Eaglesland” anëtarë të saj kanë shpërndarë njoftimin si dhe kanë shprehur gatishmërinë të jenë vullnetarë gjatë ditëve të ekspozitës.

FlasShqip uron që panairi i artit ndërkombëtar në Vancouver bashkë me 17 piktorët shqiptarë të marrë vëmendjen e merituar edhe prej bashkëatdhetarëve tanë në provincën perëndimore.

16 Prill 2019

©FlasShqip