Aktualitet

Vasfije Krasniqi i kërkon Kanadasë mbështetje për Kosovën

Prej datave 3 deri më 6 qershor, “Women deliver” një organizatë lider në fushën e advokimit të barazisë gjinore, të shëndetit dhe të të drejtave të grave dhe vajzave në botë, nën kujdesin e kryeministrit Trudeau është duke mbajtur në Vancouver një konferencë me pjesëmarrje të gjerë të personaliteteve të shquara për çështjet e të drejtave të grave. Një prej të ftuarave në këtë organizim është edhe Vasfije Krasniqi, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Aktivistja e mirënjohur për advokimin e saj ndaj fuqizimit të grave, motivuar prej eksperiencës së hidhur jetësore gjatë kohës së luftës ka ndarë me pjesëmarrësit mendimet dhe ndjenjat e saj.

Në kuadër të kësaj konference, aktivistja kosovare e shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në Ottawa Lulzim Hiseni ka pasur mundësinë të takohet me Kryeministrin Justin Trudeau. Ajo e ka falenderuar Kryeministrin Trudeau për mbështetjen e pakufizuar ndaj fuqizimit të grave në mbarë botën.

Zonja Krasniqi është takuar dhe me Ministren kanadeze për Statusin e Grave dhe Zhvillim Ndërkombëtar znj.Maryam Monsef duke i kërkuar mbështetjen e Kanadasë, ndaj 20 mijë viktimave të dhunës seksuale të ushtruar gjatë luftës në Kosovë si dhe përfshirjen e Kosovës në Fondin Kanadez për Barazi.

Po ashtu, Vasfije Krasniqi është takuar dhe me autoritete të tjera kanadeze dhe botërore, si me Lejtnant Guvernatoren e British Columbia, Ambasadorin e Kanadasë në Kombet e Bashkuara, Sekretaren Franceze për barazi gjinore etj.

Më datën 10 qershor pritet që Vasfije Krasniqi, të marrë pjesë në një aktivitet në Toronto të organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës.

©FlasShqip.ca