Aktualitet

Toronto: Furgoni përplas këmbësorët në trotuar. Disa kanë humbur jetën dhe të paktën 7 në gjendje kritike

Një ngjarje tragjike ka tronditur pasdreken e 23 prillit Toronton veriore. Një furgon i bardhë, i marrë me qera, ka përplasur këmbësorët në trotuar për më tepër se 3 kilometra afër kryqëzimit të rrugëve Yonge dhe Finch në veri të qytetit.  Shumë njerëz janë dëmtuar dhe besohet se pasojat janë të rënda-bën me dije policia e Torontos.

Numri i viktimave të  konfirmuara deri tani është 3. Raportohet se të paktën 7 persona janë në gjendje kritike për jetën.  Policia e Torontos njoftoi për herë të parë në Twitter se 8 deri në 10 persona u goditën rreth orës 13:30 të hënën, dhe pak minuta më vonë deklaroi se ishte "herët të konfirmohej numri i këmbësorëve të dëmtuar ose shkalla e lëndimeve të tyre.  Të paktën 8 ambulanca kanë transportuar pacientët në spitalin Sunnybrook. 

Policia konfirmon se shoferi i automjetit është arrestuar.

Deri tani asnjë motiv zyrtar për ngjarjen nuk është dhënë nga policia. 

Në Ontario, aktet e mundshme të terrorizmit janë hetuar nga skuadrat e sigurisë kombëtare të RCMP. "Në këtë pikë ne ende jemi duke mbledhur informacione mbi incidentin dhe sapo të kemi diçka do të bëjmë një deklaratë për shtyp", tha Inspektori Don Halina, i Ekipit të Forcave të Integruara të Sigurisë Kombëtare të Ontarios.

Ndërkohë policia ka izoluar zonën e krimit në rrugët Yonge dhe Finch për të investiguar, ndërkohë që njerëzve ua është thënë të shmangin këtë zonë.

Kryetari i Bashkisë Toronto John Tory ka deklaruar se është përditësuar me informacione prej shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shërbimeve Paramjekësore si dhe manaxherit për aktivitetet e qytetit.

"U gjendem pranë në këto momente gjithë personave të lënduar nga ky incident si dhe mbështes gjithë stafin përkujdesës. Kam ofruar gjithë ndihmën e mundshme që qyteti mund t’i japë policisë për të ndihmuar hetimet.”

Kryeministri Justin Trudeau u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave si dhe dhembshurinë të lënduarve nga ngjarja, menjëherë sapo është njoftuar për këtë incident.  

"Jemi me zemër me çdokënd nga të lënduarit” ka thënë Trudeau. Gjatë orëve në vazhdim ai do të dalë me deklarata më të plota.

 

Më shumë informacion do kemi në vijim…