Aktualitet

Ambasadori Ermal Muça, takohet me Guvernatoren e Përgjithshme Julie Payette

Ambasadori shqiptar në Kanada, Z. Ermal Muça u takua para disa ditësh me Znj. Julie Payette, Guvernatore e Përgjithshme, gjatë pritjes dimërore dhënë nga kjo e fundit në rezidencën e saj zyrtare “Rideau Hall”. Ata biseduan mbi vlerat e përbashkëta që ndajnë të dy vendet dhe si dhe mbi mundësitë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në të ardhmen. Ky është takimi i dytë mes tyre qe nga marrja e detyrës nga Znj. Payette më 2 tetor të vitit të kaluar. Ajo u caktua në funksion prej Mbretëreshës Elizabet II si e 29-ta Guvernatore e Përgjithshme e Kanadasë.

Julie Payette ka lindur në Montreal dhe është diplomuar inxhiniere elektrike dhe informatike në Universitetin McGill dhe Universitetin e Torontos. Ajo njihet mbi të gjitha për karrierën e saj brilante si shkencëtare dhe astronaute si dhe ka qenë drejtuese e Agjencisë Hapësinore Kanadeze 2000-2007 dhe e Qendrës së Shkencave në Montreal 2013-2016. Ka kryer gjithashtu dy misione në hapësirë me anijet kozmike Discovery dhe Endeavour.

Ermal Muça

Ermal Muça, prej qershorit 2016 kryen detyrën e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Kanada. Ai i përket brezit të ri të diplomatëve shqiptarë dhe i është bashkuar Shërbimit Diplomatik në vitin 2002 pas përfundimit të studimeve Bachelor dhe Master në Marrëdhënie ndërkombëtare pranë Universitetit të Stambollit në Turqi. Para emërimit në Ottawa, ai ka qenë për dy vite Drejtor i Protokollit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ndërsa në periudhën 2009-2014 ka ushtruar detyrën e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërise në Stamboll. Nga marrja e detyrës, ai ka spikatur për rolin e tij vecanërisht aktiv në raport me komunitetit shqiptaro-kanadez.

©Flasshqip.ca