Discovery

Një guidë për të jetuar në Montreal

Montreali metropolitan është aglomeracioni i dytë më i madh në Kanada pas Torontos, me një popullsi prej mbi 4 milion banorësh. Edhe pse Toronto ia ka kaluar duke u kthyer në qendrën komerciale të Kanadasë, ende Montreali mbetet një qytet me rëndësi për artin, kulturën, arkitekturën. Montreali, pas Parisit, është qyteti i dytë në botë ku flitet më shumë frengjishtja.

Klima e Montrealit varion nga stina në stinë. Dimri është i ftohtë, i lagësht dhe i akullt, i ngjashëm me klimën e Ottawa-s, por pak më i ashpër se i Torontos. Fatmirësisht, sistemi i pastrimit të borës, i administruar nga bashkia është i shpejtë dhe efiçent.

Vera është e ngrohtë sipas standardit kanadez. Temperatura mesatare varion nga 23-27 gradë celsius, por mund të shkojë e ulta në 13 dhe e larta në 35 gradë.

Karakteri

“Monocle Magazine” e ka cilësuar Montrealin kryeqendrën kulturore të Kanadasë dhe qytetin e UNESCO-s. Montreali është qendra e biznesit të Quebec-ut, motori ekonomik i provincës. Qyteti është etnikisht i larmishëm, një fakt i reflektuar në lagjet e ndryshme të tij. Në Montreal gjen Kinën, një Itali të vogël, Portugalinë dhe plot lagje të tjera të adoptuara nga emigrantët sipas vendeve nga vijnë. Këto i japin Montrealit shije të larmishme të ushqimeve, kulturave dhe muzikës.

Gjuha dominuese e folur në Montreal është frëngjishtja, ku 73 për qind të banorëve e përdorin atë si gjuhën e tyre primare. Sipas regjistrimit më të fundit (2016) vetëm 11 për qind e popullsisë së Montrealit kanë anglishten si gjuhë amtare. Të gjitha shenjat e rrugëve dhe njoftimet publike janë në frëngjisht, prandaj është mirë të mësosh disa fraza kryesore para se të arrish.

Ku të jetosh në Montreal

Çdo lagje e Montrealit ka atmosferën dhe karakterin e vet. Para se të zgjedhësh se ku do banosh, mirë është të balancosh aftësitë për të folur frengjisht në zonën e banimit. Disa zona në Montreal si Hampstead, Notre Dame de Grace dhe Westmount predominohen nga anglishtja, por të tjerat si Rosemont, janë tërësisht frankofone. Do të gjeni disa shenja të anglishtes, si gazetat në qoshet e rrugëve dhe disa fqinj me të cilët do të bisedoni.

Për disa emigrantë, të jetuarit në zona frankofone ndhmon në praktikimin dhe perfeksionimin e gjuhës përmes komunikimit të përditshëm. Afër qendrës, shumica e rezidentëve janë dygjuhësh. Qiraja është opsion i mirë nëse zgjedh qendrën. Qiratë në Montreal janë më të ulta se kudo tjetër në Kanada. Lagjet si Plateau Mont-Royal dhe Rosemont janë të konfiguruara me ndërtesa të ulta e të larta dhe operojnë sikur të jenë qytete të vogla.

Ato ofrojnë strehim me çmime të përballueshme dhe nivele të ulta të kriminalitetit. Çmimi mesatar i qirasë për një apartament në këto zona mund të shkojë nga 1,000 dollarë në 2,000 dollarë në muaj për një apartament 2 dhoma gjumi.

Këto zona përmbajnë të gjitha lehtësitë e nevojshme për banorët e tyre, siç janë dyqanet, spitalet dhe klinikat, butiqet dhe kafenetë, baret dhe restorantet dhe gjithashtu ofrojnë lehtësira për të arritur linjat e autobusëve dhe të metrosë.

Lagjet si Westmount dhe Outremont kanë norma me qira prej afërsisht 1.200 $ deri 2.500 dollarë për një apartament me 2 dhoma gjumi dhe konsiderohen si zonat më të shtrenjta të Montrealit. Patrullat e policisë janë të shpeshta dhe në këto zona tregjet janë të organizuar me dyqane të vogla dhe ka pak dyqane të mëdha ushqimore.

Për ata që janë të interesuar në blerjen e një shtëpie, çmimi mesatar është përafërsisht 345,000 dollarë (2018), 151,000 dollarë më pak se mesatarja kanadeze, por më e lartë se mesatarja provinciale prej 313,000 dollarësh.

Shtëpitë me çmime të favorshme gjenden në Notre Dame de Grace, Laval dhe Kirkland. Lagjet më pak të dëshirueshme janë St. Michel, Park Extension dhe Montreali verior.

Biznesi dhe punët

Montreali vazhdon të jetë një lojtar i rëndësishëm në industritë e aerohapësirës, softwareve, elektronikës, farmaceutikës dhe transportit. Mbi 40,000 punonjës numërohen në kompanitë si Bell Helicopter Textron, Bombardier Aerospace, Pratt & Whitney, Rolls-Royce, and CAE. Të ardhurat mesatare vjetore për një familje në Montreal shkojnë në 82,589$ që është 10.9% poshtë mesatares së gjithë Kanadasë. Niveli i papunësisë llogaritet në 6.0%.  Sipas ligjit, punonjësit duhet të dinë shumë mirë gjuhën frënge, por shpesh punëdhënësit preferojnë të punësojnë ata që i flasin mirë të dyja gjuhët.

Montreali është shtëpia e portit më të madh të brendshëm në botë, Porti i Montrealit. Më shumë se 26 milion ton mallra kalojnë nëpër këtë port çdo vit. Prej tij transportohet sheqeri, gruri dhe produktet e naftës të destinuara për tregjet botërore. Montreali ka gjithashtu stacionin më të madh hekurudhor të Kanadasë.

Pjesa më e madhe e filmave në gjuhën frënge, programet radio-televizive prodhohen në Montreal. Shumë rrugë në lagjen e Montrealit të Vjetër janë me ndërtesat origjinale dhe me kalldrëmet e hershme. Nuk është e pazakontë të ndeshësh disa ekipe kineastësh që punojnë për filma të ndryshëm.

Edukimi

Është e lehtë të jetosh në Montreal nëse dëshiron të marrësh edukim frankofon. Ndërsa duhet të përpiqesh pak më tepër nëse kërkon shkolla në anglisht. Madje shkolla publike në anglisht mund të mos gjesh fare në zona të caktuara. 

Mjedisi dhe qarkullimi

Të mos kesh makinë në Montreal nuk është hata e madhe, pasi qyteti ka një sistem shumë të mirë të transportit publik. 185 linja autobusësh dhe 4 linja metrosh me 68 stacione. Çdo stacion është projektuar nga arkitektë të ndryshëm. Autobusët ndalojnë çdo 15 minuta, ndërsa metrotë çdo 6 minuta. Banorët i përdorin vetëm në fundjavë makinat e tyre, pasi shumica preferon të përdorë transportin publik për të shkuar në punë. Edhe biçikletat gëzojnë popullaritet në Montreal dhe kanë korsi të dedikuara që e lehtësojnë qarkullimin.

Çfarë të bësh në Montreal

Montreali ka mijëra atraksione kulturore. Që nga muzeumet, galeritë e arteve, zonat historike me arkitekturë të mrekulleshme. Montreali ka diçka për këdo.

Mont-Royal ofron një nga pamjet më të vizituara në Kanada. Me vendndodhje në zemër të qytetit, ky park urban luan një rol kryesor për ngjitje malore dhe çiklizëm në verë, ski dhe rrëshqitje në dimër. Në lartësinë e 233 metërshit, shijohet një pamje fantastike e gjithë qytetit.

Për ata që kanë qasje të mirë ndaj guidave, rekomandohen vizitat në Muzeun e Artit Bashkëkohor të Montrealit, Muzeun e Shkencave, Parkun Olimpik, Kopshtin Botanik, që ofrojnë edhe çmime të arsyeshme të biletave por edhe vizitat në Katedralen Notre-Dame apo Oratorin Shën Jozef.

 

 Referenca: livingin-canada.com

 ©Flasshqip