Discovery

Rebelimet e vitit 1837-Historia e Kanadasë (pjesa e 6-të)

Historia e Kanadasë (pjesa e 6-të)

Rebelimet e periudhës 1837-1838

Në vitet 1830, reformatorët në Kanadanë e Sipërme dhe të Poshtme besonin se rrugëtimi drejt demokracisë së plotë po ecte ngadalë. Disa besonin se Kanadaja duhet të adoptonte vlerat republikane amerikane apo edhe të përpiqej të bashkohej me Shtetet e Bashkuara. Në vitet 1837-1838 ndodhën disa rebelime të armatosura në zonën jashtë Montrealit dhe në Toronto, por përpjekjet e tyre nuk gjetën mbështetje të mjaftueshme publike. Ata u mposhtën nga trupat britanike dhe vullnetarët kanadezë. Një numër rebelësh u varën ose u dëbuan; disa nga të dëbuarit u kthyen më vonë në Kanada.

 

Lordi Durham, një reformator anglez i dërguar për të raportuar mbi rebelimet, rekomandoi që Kanadaja e Sipërme dhe e Poshtme të bashkoheshin dhe të drejtoheshin nga një qeveri e besuar. Kjo do të thoshte se ministrat e Kurorës duhet të kishin mbështetjen e shumicës së përfaqësuesve të zgjedhur për të qeverisur. Lordi Durham tha gjithashtu se mënyra më e shpejtë që kanadezët të përparonin, ishte që të asimiloheshin me kulturën protestante angleze. Ky rekomandim tregoi një mungesë të plotë të të kuptuarit të kanadezëve francezë, të cilët kërkonin të mbanin përkatësinë e Kanadasë franceze.

Disa reformatorë, duke përfshirë Sir Étienne-Paschal Taché dhe Sir George-Étienne Cartier, më vonë u bënë baballarët e Konfederatës, ashtu sic u bë edhe një ish-anëtar i milicisë vullnetare të qeverisë në Kanadanë e Sipërme, Sir John A. Macdonald.

Qeveria e besuar

Në vitin 1840, Kanadaja e Sipërme dhe e Poshtme u bashkuan si Provinca të Kanadasë. Reformatorët si Sir Louis-Hippolyte La Fontaine dhe Robert Baldwin, paralelisht me Joseph Howe në Nova Scotia, punonin me guvernatorët britanikë për ngritjen e qeverisë së besuar.

Nova Scotia në 1847-48, ishte Kolonia e parë Britanike e Amerikës së Veriut, e cila krijoi qeverinë e besuar. Në 1848-49 Guvernatori i Kanadasë së Bashkuar, Lordi Elgin, me nxitje nga Londra, njohu qeverinë e besuar. Ky është sistemi që Kanadaja ka sot: nëse qeveria humbet një votëbesim në kuvend, duhet të japë dorëheqjen.

Foto: La Fontaine, një kampion i demokracisë dhe i të drejtave të gjuhës franceze, u bë udhëheqësi i parë i një qeverie të besuar në Kanada.