Discovery

Testamenti dhe vlerat e tij në Ontario

 

 Avokat Marin Nati

Testamentet nuk janë risi për shumë shqiptarë. Megjithatë, një pjese e mire e diasporës tonë në Ontario dhe gjithashtu në Kanada, shpesh e anashkalon nevojën dhe dobinë e një dokumenti të tillë.

Testamenti ka disa vlera:

1) Ju mund t’ua lini pronën apo pronat tuaja si dhe pasuritë në emrin tuaj, një personi të cilin e përzgjidhni vete. Në shumicës e rasteve, prona apo pronat u lihen bashkëshortit ose bashkëshortes. Ju keni mundësinë t’ua lini edhe fëmijëve, nëse janë mbi 18 vjeç.

2) Ju mund të përcaktoni një person apo një çift, në rast largimi nga jeta, i cili apo të cilët, në 90 ditët e para luajnë rolin e prindit për fëmijët e mitur. Pas kësaj periudhe 90 ditore, duhet bere një Application for Guardianship pranë Superior Court of Justice nga vetë çifti apo personi që është emëruar si kujdestar.

3) Ju mund të krijoni një Testamentary Trust brenda Testamentit tuaj. Testamentary Trust është një mjet që përdoret për të mbrojtur të miturit dhe përfituesit nga Testamenti juaj. Është një mjet që menaxhon pronën apo pronat e juaja për bashkëshortin apo bashkëshorten tuaj.

4) Mund të krijoni një Living Trust për të planifikuar me efektivitet taksat tuaja pas largimit nga jeta.

5) Ju mund të zgjidhni ekzekutorin e Testamentit tuaj. Ekzekutori është personi apo personat, të cilët shpërndajnë atë çfarë ndodhet në Estate-in (pasurinë) tuaj pas ndarjes nga jeta. Ky person apo këta persona, bëjnë ketë shpërndarje sipas dëshirave tuaja të shprehura në Testament.

6) Ju mund të udhëzoni në Testamentin tuaj për ceremoninë mortore si dhe ritet fetare që do te dëshironi. Mund të lini udhëzime edhe për kafshët shtëpiake, nëse keni.

7) Testamenti mund të ndryshohet pas firmosjes se tij, natyrisht vetem nga ju.

Nëse nuk keni një Testament

Nëse ju nuk keni Testament, çdo hap që do ndërmerret me Estate-in (pasurinë) tuaj do kryhet nëpërmjet gjykatës. Gjithashtu, ju nuk do keni më të drejtë të zgjidhni ekzekutorin e Estate-it (pasurisë) tuaj. Kjo do të thotë që një person i panjohur për ju do të drejtojë se si dhe se ku do të shkojë pasuria juaj.

Nëse dikush është i varur financiarisht nga ju, ai ose ajo ka të drejtë të bëjë kërkesë kundrejt pasurisë tuaj, sipas Succession Laë Reform Act. Në rast se nuk ka persona të varur financiarisht nga ju, pasuria juaj deri në $200,000.00 i kalon automatikisht bashkëshortes apo bashkëshortit tuaj, nëse ai ose ajo i kane thënë Gjykatës (Superior Court of Justice) që nuk do te kërkojë barazinë e pasurise familjare. Çdo gjë që mbetet përtej $200,000.00, ndahet 50/50 midis bashkëshortit ose bashkëshortes dhe fëmijëve.

Nëse nuk ka një bashkëshort apo bashkëshorte, pasuria i kalon fëmijëve tuaj ose nipërve/mbesave (nëse fëmijët tuaj nuk janë më, ose nëse nuk keni femijë). Nëse nuk keni fëmije apo bashkëshorte ose bashkëshort, atëherë pasuria juaj i kalon prindërve. Nëse prindërit nuk janë më, atëherë i kalon motrave dhe vëllezërve tuaj, nëse keni të tillë.

Nëse keni fëmijë të mitur dhe të dy prinderit fatkeqësisht ndahen nga jeta, dhe nëse nuk keni Testament, apo keni Testament dhe nuk keni përcaktuar një Gardian (Kujdestar), atëherë ndërhyn Ministry of Children and Youth Services dhe vullneti juaj është i panjohur (dhe i pazbatueshem). Është Ministry of Children and Youth Services që perzgjedh Gardianin (Kujdestarin) për fëmijet tuaj. Ata bëhen pjesë e vendimit për Gardianin (Kujdestarin).  

Taksat

Deri tani, taksa për pasuritë pas ndarjes nga jeta, është $5 për çdo $1,000.00, ose pjesë të $1,000.00 deri në $50,000.00.

Në qoftë se pasuria juaj pas ndarjes nga jeta është mbi $50,000.00, për çdo dollar mbi $50,000.00, taksa është $15 për çdo 1,000.00 dollarë mbi vleren $50,000.00.

Nuk ka taksë për Estate-in (pronën) nëse vlera është $1,000.00 ose më pak.

Si shembull: një Estate që e ka vlerën 1,000,000.00, do te ketë ketë taksë $50,000.00 ÷ $1,000.00 = $50

$50 x $5 = $250

Plus

$1,000,000.00 - $50,000.00 = $950,000.00

$950,000.00 ÷ $1,000.00 = $950

$950 x $15 = $14,250.00

Totali i taksës = $14,250.00 + $250 = $14,500.00

Roli i avokatit në përpilimin e një Testamenti

Avokati ju ndihmon në përpilimin e një Testamenti përkatës për nevojat personale apo familjare. Në disa raste, persona me pasuri të madhe, mund të kenë nevoje për një Testament më specifik sesa një çift që nuk ka një pasuri te madhe.

Zakonisht, çiftet përpilojnë Mirror Wills (Testamente Pasqyrw) të cilët janë pasqyra të njëri-tjetrit por kanë përparësinë e të qenit ligjërisht dy testamente te veçanta. Kjo është shume e vlefshme në qofte se njëri nga çifti ndahet nga jeta përpara tjetrit.

Për individet që kanë biznesin e tyre, avokati ndihmon si të planifikohet se kush do të merret me drejtimin e biznesit, nëse ju nuk jeni më të aftë ose në rast largimi nga jeta. Kjo, në shume raste mund të bëhet nëpërmjet një Living Trust (nëse Testamenti fillon të veprojë me ndarjen nga jeta. Living Trust është një lloj Testamenti në të gjallë, që vepron në momentin e krijimit te tij.

Me përpilimin e Testamentit, është tejet e rekomandueshme dhe zakonisht përpilohet edhe Power of Attorney for Property (Prokurë për Pronën) dhe një Power of Attorney for Personal Care (Prokurë personale për Shëndetin). Këto janë prokura të posaçme, nëpërmjet të cilave ju jepni udhëzime për pronat dhe për shëndetit në rast se nuk jeni më të afte vetë për të marre vendime.

Testamentet dhe Prokurat e Posaçme janë specifike për çdo person. Më e mira është të kontaktoni një avokat dhe të uleni e të diskutoni funksionin dhe përmbajtjen e tyre më me hollesi.  

Ky nuk është opinion ligjor. Çka është shkruar më siper është një informacion i përgjithshëm. Nëse keni nevojë për ndihmë ligjore, ju ftojmë të kontaktoni një avokat/avokate direkt.

Legal disclosure: This is not legal advice. The aforementioned is simply meant as general information. You should always contact a lawyer directly to seek legal advice.

Tagged under Marin Nati Testamenti