Komunitet

Jeta në Toronto e muzikantit dhe ish-arbitrit të FIFA-s, Dr. Ylvi Kollari

  • Published in Komunitet

Intervistoi: Taulant Dedja

Dr. Ylvi Kollari, trombonist, muzikolog dhe menaxher arti, një ndër studentët më të mirë ndër vite të Institutit të Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve), ka lindur dhe është rritur në Tiranë, në një familje me traditë të hershme muzikore. Gjyshi, babai, xhaxhallarët, të gjithë luanin muzikë, violinë dhe mandolinë. Gjithashtu vëllai i madh i tij luante trumpetë. Ata mblidheshin çdo të shtunë në shtepinë e xhaxhait më të madh dhe luanin muzikë. Kështu, tek Ylviu qysh i vogël u kultivua motivimi për muzikën. Prindërit e regjistruan në Pallatin e Pionierëve për të mësuar instrumentin e pianos. Kështu nisi rrugëtimi i tij i gjatë në profesionin e muzikantit … dhe ja ku është sot… prej gati dy dekadash, jeton në Toronto. Sëbashku me bashkëshorten, Mimozën, ata kanë themeluar dhe drejtojnë aty një shkollë arti, “Kollari Institute of Music”.

                                

Sipas rrëfimit të tij, ka shume arsye të fillosh të studiosh muzikë, por një gjë është e sigurt: të studiosh muzikë është një drejtim totalisht i ri, ndryshe. Muzika është një kategori e plotë me shumë seri. “Kur isha i ri – thotë Ylviu - asnjëherë nuk e kisha këtë mendim që kam tani. Sigurisht kisha shumë plane dhe ide në mendjen time … por … në muzike duhet të përpiqesh shumë, gjithmonë mirë e më mirë, për të arritur aty ku synon … Të mësosh një instrument muzikor është e vështirë dhe të luash gjithmonë mirë është akoma më e vështirë” … dhe biseda vazhdon natyrshëm, pa harruar dhe pasionin e tij të vjetër, arbitrimin e futbollit, të cilin për shumë vite ai e ushtroi deri në majat më të larta, si arbitër ndërkombëtar i FIFA-s, apo edhe “hallet” e atdheut …

Si e kujtoni atë kohë kur art bëhej në kushtet e një sistemi që kontrollonte rreptësisht gjithçka? Cilat janë mbresat më të mira?

Ylvi Kollari: Komunizmi është një sistem i prirur për aktivitete revolucionare. Në shoqëritë diktatoriale, të jesh muzikant apo artist, është gjithmonë e rrezikshme. Shoqëritë diktatoriale kanë vigjilencë në shkallën më të lartë për të dënuar maksimalisht artistët. Çdo shqiptar që ka njohje mbi artin, e di që shumë artistë apo krijues, janë dënuar deri me pushkatim apo vite burgjesh pa mbarim, internime apo riedukim. Në fakt, arti dhe muzika vetëm i jep kënaqësi njerëzve… si mund të jenë ato të rrezikshme? Sa më shumë tiranike janë regjimet, aq më shume ato i frikësohen artit.  Gjithmonë diktaturat kanë gjetur arsye nga më qesharaket për të dënuar artistët, madje krahas kësaj, shumë talenteve të reja me të ardhme të ndritur u janë mohuar pasioni dhe dëshira për artin dhe janë shuar e tretur…

Muzika ka një fuqi imponuese shumë të madhe. Ka disa shoqeri të zhvilluara që tentojnë të kontrollojnë përdorimin e saj. Në nivele të larta të muzikës, komunikimi muzikor shkon dhe deperton më larg se fjalët. Ka efekte psikologjike, në mënyrën e të sjellurit, gjendjes shpirtërore, intilegjencës… Ka disa zhanre muzikore që afektojnë gjerësisht sjelljen e shoqërisë njerëzore… Mbresa të mira të asaj kohe mbeten kujtimet nga miqesia me muzikantë të tillë si Çesk Zadeja, Gjovalin Shestani, Takuina Truja (Adami), Gjon Simoni, Thoma Gaqi etj.

Si instrumentist, si do ta vlerësonit shkollën shqiptare të muzikes në përgjithësi? Ju keni qenë edhe drejtor i Liceut Artistik “Jordan Misja” …

Ylvi Kollari: Të flasësh për muzikën shqiptare, ta vlerësosh atë, është një diskutim shumë i gjerë, por ajo që dua të theksoj, është se muzika, muzika shqiptare, është e pranishme në shpirtin e çdo shqiptari, në çdo shtëpi, në çdo celebrim, koncerte, opera, balete, martesa, stadiume, netë romantike etj. Kemi disa kompozitorë të shkëlqyer me disa vepra dinjitoze për çdo shoqëri apo komb, ashtu siç kemi interpretues të shkëlqyer, që luajnë dhe përcjellin vlerat dhe thellësinë e këtyre veprave me vërtetësi dhe emocion.

Është fakt që muzika në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet perëndimore, ka një impakt te madh edhe ekonomik. Me dhjetra muzikantë e kanë si punë të parë me të cilën ata jetojnë, pra me mesimdhënie apo si instrumentistë. Ka suport nga shteti për institucione muzikore si TKOB, Ansambli popullor, orkestra e RTSH, shumë shkolla muzike, Banda e Shtetit dhe orkestrat frymore të qyteteve të ndryshme si Filarmonia e Tiranës apo edhe nga institucione private si orkestrat e Televizionit Top Channel dhe Televizionit Klan, ndoshta dhe plot të tjera.

Unë kam qenë për 7 vjet drejtor i Liceut Artistik, nga viti 1991 deri më 1997. Një eksperiencë e mrekullueshme me mësues të talentuar, profesionistë të vërtetë dhe me etikë do të thoja. Është fat të kesh mundësi të punosh dhe krijosh kushte për rritjen e artistëve të famshëm që sot janë të njohur botërisht.

                                   

Sigurisht, vendimmarja për të emigruar nuk është e lehtë për askënd … në çfarë kushtesh ju e morët një vendim të tillë?

Ylvi Kollari: Ashtu si për çdo njeri që largohet nga vendlindja dhe atdheu, është shumë e vështirë të marrësh një vendim të tillë, veçanërisht kur je me familje. Plot të mira që i ke në Shqipëri nuk i gjen në Kanada dhe plot të mira që i ke në Kanada nuk i gjen në Shqipëri… Kështu erdhën punët në vendin tonë … me të mirat e të këqijat e veta…  Unë personalisht ndjeva dhe kuptova që duhej të ikja… Shqipëria mu duk se nuk kishte më kushte, hapësirë dhe liri për të jetuar dhe për të edukuar fëmijet. Uroj që të jem gabim… kur mendoj për shqiptarët, të afërmit e mi, shokët dhe miqtë që jetojnë atje…

A ndryshon diçka tek artisti kur largohet nga vendlindja? Apo muzika e bën më të lehtë adaptimin në një “atdhe” të dytë?

Ylvi Kollari: Çdo komb dhe çdo shtet është unik në mënyrën e jetesës dhe kulturës dhe kjo ka lidhje me historinë dhe traditat e tij. Në këtë mënyrë, çdo komb ka kualitetet e veta unike, ritmin e jetës, organizimin, reagimin ndaj situatave etj. Sigurisht, eksperienca ime në Shqiperi ishte e vyer, mund të them brilante. Kanadaja dhe Shqiperia kanë diferenca apo kultura të ndryshme sipas meje. Jeta këtu ka ritëm shumë të lartë, askush nuk të pengon të realizosh endrrat e tua, përkundrazi të ndihmojnë, mjafton që dëshirat e tua të jenë të mira për veten tënde dhe shoqërinë. Arti dhe arti i madh janë shumë të mirëpritur, të duartrokitur dhe kanë një pamje dominuese mbi të tjerat. Demokracia kanadeze është shumë e strukturuar, zgjeron lirinë e njeriut, krijon kualitete krijuese, shije artistike, karaktere me moral, mundësi të barabarta për çdo qytetar dhe solidaritet.

Ikja nga vendi jot është diçka personale. Ka shumë që janë akomoduar dhe plot të tjerë që kanë ndryshuar zanat. Si gjithë artistët e botës edhe artistët shqiptarë, vështirësia e parë që hasin është realiteti financiar, por ka dhe artistë shqiptarë që janë bërë me emër dhe të famshëm. Sigurisht, muzika nuk është një profesion që shpëton jetë njerëzish, por pranohet që   jetën e njerëzve e bën me të mirë.

Për sa më takon mua, ndjehem mirë që kam krijuar dhe drejtoj “Kollari Institute of Music”. Për nga numri i studentëve, është nga më të mëdhenjtë e Amerikës së Veriut, me ambiente moderne të veçanta. Drejtimi dhe organizimi i shkollës është disi ndryshe nga Shqipëria. Ka përqasje tjetër dua të them. Këtu është ndryshe mënyra e organizimit, financimit, promovimit, interpretimit, publikimit, sherbimit etj. Zakonisht punoj 10 -12 ore për çdo ditë pune…

            

Si do ta përshkruanit një ditë të zakonshme të akivitetit tuaj?

Ylvi Kollari: Prapa çdo suksesi të artistit qëndron shkolla. Çdo ditë ka të rejat dhe të veçantat e veta, por duhet që ajo të jetë një ditë inspiruese duke bërë kujdes mos të të kapë rutina për asnjë sekondë. Si drejtues, duhet ti jesh mirënjohës muzikës. Duhet të orientosh e të zhvillosh intuitën për të kuptuar drejtimin nga shkon muzika. Në ditët tona muzika është e pranishme gjithandej… duhet të jesh në “hartë” tërë kohën…

Si artist, cili është raporti juaj me komunitetin shqiptar në Toronto. Po raportet me Shqipërinë, kolegët atje?

Sigurisht që kemi lidhje me komunitetin e mrekullueshëm e dinjitoz shqiptar këtu në Toronto. Një numër shqiptarësh mësojnë këtu në institutin tonë, bëjmë donacione për shoqata shqiptarësh, i ndihmojmë kur duan ambiente, presim artistë, organizojmë aktivitete etj.

Me Shqipërinë mbajmë lidhje shoqërore dhe profesionale, me pothuajse shumicën e artistëve. Të mbash lidhje me komunitetin për mua do të thotë që ta ndihmosh atë. Mendoj gjithashtu që drejtuesit e shoqatave shqiptare këtu në Toronto po demonstrojnë angazhim pozitiv ndaj komunitetit.

Në Toronto dhe më gjerë, ka shumë forca artistike krijuese… a mund të bëhet më shumë që tradita muzikore shqiptare të përcillet e njihet më mirë edhe nga artdashësit kanadezë?

Megjithëse Shqipëria ka muzikë të mrekullueshme, për ta bërë të njohur atë këtu në Kanada nuk është e lehtë … duhet strategji, financa etj.  Nëqoftëse promovimi i muzikës shqiptare do të bëhet nga interpretuesit që jetojnë ketu, hapi i parë është që ata të bëhën të njohur, pra sa më të vlefshëm të jenë për vendin ku jetojnë, aq më të dobishëm do jenë edhe për të promovuar vlerat e Shqipërisë. Pa këtë mënyrë mund të them se ka pak besueshmëri, por jam i sigurt që kemi një brez të rinjsh që sapo kanë mbaruar universitetin dhe të tjerë me arritje të shkëlqyera, që do lartesojnë vendin mëmë, Shqipërinë, duke u berë të vyer në Kanada.

                                                 

Së fundi, kujtojmë që një nga pasionet tuaja ka qenë arbitrimi në futboll, që e keni ushtruar për shume vite në Shqipëri, Europë dhe Kanada, si arbitër i FIFA-s…

Ylvi Kollari: Aktiviteti si arbitër i FIFA-s ka qenë një periudhë e mrekullueshme që mbetet e paharruar. Ka me qindra mijëra arbitra futbolli në mbarë botën, por arbitrat e FIFA-s janë të pëzgjedhur dhe ata arbitrojnë ndeshjet më të rëndësishme në kompeticionet e nivelit më të lartë mes skuadrave nga vende të ndryshme e nga gjithë kontinentet.

Kur je arbitër në këto nivele, e gjitha jeta familjare është e planifikuar në funksion të arbitrimit. Një ose dy herë në javë, arbitrat shkojnë larg, për të arbitruar sa në një vend në një tjetër. Falenderoj gruan Mimoza, vajzen Rina dhe djalin Jon, që sakrifikuan nga jeta e tyre për pasionin tim. Falenderoj studentët e mi të Liceut dhe Universitetit të Arteve, që ishin të duruar me mungesat e mia dhe ndenjën të lidhur me mua. Falenderoj mentorët e parë të arbitrimit Arsen Hoxha dhe Tahir Kastrati, si dhe falenderoj futbollin që më bëri të njohur dhe më dha mundësinë të njoh njerëz të mrekullueshëm, njerëz të thjeshtë, sportistë me talent te madh, drejtues sporti me një eksperiencë të jashtëzakonshme, gazetarë e drejtues shtetesh. Të jesh arbiter i FIFA-s është si një laborator ku zbulon gjithmonë gjëra të reja në ndeshje dhe jashtë saj, është një aventurë e papërsëritshme…

                     

@FlasShqip.ca