Komunitet

Arbnor Krasniqi nga Ottawa: Kongresi Shqiptaro-Kanadez do na afrojë më shumë me njëri-tjetrin

Nga: Taulant Dedja

Bisedë me veprimtarin e shquar komunitar Arbnor Krasniqi - Ottawa

Kësaj radhe fokusi i Flasshqip.ca u drejtua në Ottawa, kryeqytetin e Kanadasë. Aty dikur ka jetuar një grup fare i vogël shqiptarësh, i cili u rrit sidomos në kohën e Luftës së Kosovës në vitin 1999, kur aty mbërritën një pjesë e grupit të refugjatëve shqiptarë të cilëve vendosi t’u ofrojë mbrojtje shteti kanadez. Aktualisht në Ottawa mendohet të jetojnë rreth 2000 shqiptarë. Prej vitesh ata kanë qenë të organizuar edhe në një shoqatë e cila për momentin është në një fazë riorganizimi.

Ndër pjestarët e komunitetit shqiptar të kryqendrës politikë të Kanadasë është edhe Arbnor Krasniqi, ardhur aty më 1999, me të cilin patëm rastin të takohemi e të bisedojmë. Ai për disa vjet ka qenë drejtuesi i shoqatës dhe mbetet një nga veprimtarët më aktivë të saj. Të gjithë ata që e njohin, e vlerësojnë si një njeri të përkushtuar ndaj punës, familjes dhe komunitetit. Arbnori prej vitesh ka krijuar biznesin e tij të specializuar në montim dyersh dhe dritaresh, biznes të cilin e ka zgjeruar dhe e ushtron me shumë sukses. Ai është gjithashtu bashkëshort dhe baba i lumtur i tre fëmijëve, Ronit 14 vjeç, Anea-s 11 vjeç dhe Art 2 vjeç e gjysëm. Arbnori vlerësoi që në fillim të bisedës faktin që përmes portalit Flasshqip tani mund të lexohen të shkruara lajme dhe informacione në shqip për jetën dhe aktivitetin e komunitetit shqiptar.

Flasshqip: Si mund ta përshkruani komunitetin shqiptar në Ottawa?

Arbnor Krasniqi: Komuniteti shqiptar në Ottawa është relativisht i vogël, por shumë i integruar në shoqërinë kanadeze, në të gjitha sferat e saj, me arritje që na bëjnë me të vërtetë të ndihemi krenarë të gjithë  

Flasshqip: Sa bashkatdhetarë jetojnë përafërsisht aty?

Arbnor Krasniqi: Mendohet që numri i bashkëatdhetarëve tanë që jetojnë dhe veprojnë në Ottawa, të jetë diku rreth 2000 vetë.

Flasshqip: Cilët janë sektorët ku punojnë kryesisht pjestarët e komunitetit tonë?

Arbnor Krasniqi: Numri më i madh punon kryesish në sektorin privat, sidomos në atë të ndertimtarisë, por ka mjaft të tjerë të angazhuar në sektorin publik në të tre nivelet, federal, provincial dhe lokal, me grada e tituj shkencorë, që ushtrojnë profesione nga më të nderuarat. Shumë prej tyre janë të angazhuar edhe në ndihmë të komunitetit duke u bërë promotorë të ruajtjes së identitetit tonë.

Flasshqip: Prej sa kohësh ekziston shoqata juaj?

Arbnor Krasniqi: Shoqata e ka zanafillën e vet në vitin 1999, kur shumica prej nesh erdhi këtu me statusin e refugjatit në kohën e luftës në Kosovë. Meritojnë të përmenden më respekt themeluesit e saj Fadil Hasanaj, Ismail Latifi, Milazim Krasniqi, Sahit Berisha etj. Ata ndofta në atë kohë nuk dinin ende mirë të komunikonin në gjuhët zyrtare të Kanadasë e ndofta nuk i dinin ende mirë dyert ku duhej të drejtoheshin, por më përkushtim arritën ta regjistrojnë dhe ta bëjnë shoqatën funksionale.

Flasshqip: A mund të përshkruani disa aktivitetet më të rëndësishme?

Arbnor Krasniqi: Ne si komunitet organizojmë disa aktivitete të ndryshme brenda vitit, mirëpo vlen të përmenden ato dy më kryesoret në këtë bisedë, festimi i 28 nëntorit, ditës kombëtare të Pavarësisë si dhe në këto dhjetë vitet e fundit edhe dita e Pavarësisë së Kosovës.

Flasshqip: Diçka më konkrete për klasat e shkollës shqip për të cilat kemi dëgjuar dhe parë kronika e publikime …

Arbnor Krasniqi: Shkolla shqip u hap disa vite më parë, pas diskutimeve me njeri tjetrin dhe disa pjestarë të komunitetin treguan vullnet e gatishmëri për të kontribuar. Natyrisht edhe shumë prindër vendosën ti dërgojne fëmijët aty. Është vertetë kënaqësi t’i shohësh të vegjëlit ulur në bankat e shkollës tek mësojnë për rrënjët e tyre dhe historinë e vendit të origjinës. Duhen falenderuar mësuesit e përkushtuar dhe të gjithë ata prindër që gjejnë kohën në fundjavë për t’i sjellë fëmijët në shkollën shqip. Personalisht u jam mirënjohës të gjithë atyre që kanë kontribuar dhe kontribuojnë në këtë drejtim, duke filluar nga Qeveria e Ontarios që ligjërisht na e mundëson këtë e duke vazhduar edhe me dy ambasadat tona që na kanë ndihmuar me tekste.

Flasshqip: A keni bashkëpunim me shoqatat e tjera shqiptare?

Arbnor Krasniqi: Sigurisht që po. Kemi kontakte dhe bashkëpunim me shoqatat në Montreal, Toronto, Hamilton, London etj.

Flasshqip: Si e vlerësoni idene për krijimin e një forumi të përbashkët komunikimi mes gjithë shoqatave shqiptare në Kanada për këmbim eksperience dhe informacioni? Emri i propozuar është Kongresi Shqiptaro-Kanadez…

Arbnor Krasniqi: E përkrah këtë ide dhe jam i gatshem të ndihmoj. Na duhet të jemi sa më të lidhur dhe të afërt me njëri-tjetrin. Ta ndihmojmë njeri-tjetrin për të realizuar qellime të cilat e ngrejnë individin si individ si dhe për realizime të prekshme edhe për shoqërinë kanadeze. Ne jemi komb që kur na jepet rasti dhe mundësia dimë ti tregojmë vlerat tona.

Flasshqip: Si i vlerësoni iniciativat e fundit të dy shteteve shqiptare në raport me Diasporën?

Arbnor Krasniqi: Mendimi im është që gjërat të mos mbeten vetëm në letër por të konkretizohen dhe të sjellin produkte konkrete dhe të vlefshme.

@FlasShqip.ca