Komunitet

Dirigjenti Bujar Llapaj: Atdheu, dashuri pa kushte edhe pse qeveria kërkon ta ketë nën komandë diasporën

  • Published in Komunitet

Dirigjenti Bujar Llapaj, ka një emër të madh jo vetëm në fushën e muzikës, por ai njihet edhe si një intelektual aktiv, me mendim kritik në çështje të ndryshme ku ngërthehen interesat e shqiptarëve. Në një intervistë për Flasshqip, Bujar Llapaj është prononcuar për jetën e tij familjare, për sukseset e tij profesionale, për atdheun, politikën, teatrin kombëtar, diasporën, etj. Sipas tij, Atdheu është dashuri pa kushte, populli shqiptar është i mrekullueshëm, inteligjent, punëtor, por i drejtuar në mënyrë kriminale nga jeniçerët e politikës. Qeveria shqiptare kërkon ta ketë nën komandë diasporën. Për më tepër ndiqni intervistën me mjeshtrin Bujar Llapaj.

FlasShqip: Jeni ndër emrat më të njohur të Shkollës Shqiptare të Dirizhimit … si vendosët të emigronit në Kanada?

Bujar Llapaj: Asnjëherë nuk kam patur dëshirë të lë vendin tim. Edhe kur isha në Francë me studime në vitin 1989 më ofruan që të rrija atje, por unë preferova të kthesha në Shqipëri. Ashtu e gjykova dhe nuk jam penduar. Emigrimi në Kanada erdhi si pasojë e rrethanave familjare, të cilat në një moment bëhen parësore përballë egos profesionale apo individuale, dhe edhe në këtë rast them se kam bërë zgjedhjen e duhur.

FlasShqip: Muzika është gjuhë universale, a e bën kjo më të lehtë emigrimin për një muzikant profesionist? Cili mbetet raporti shpirtëror me Atdheun?

Bujar Llapaj: Duke parë se sa shumë instrumentistë, këngëtarë, balerinë, piktorë, aktorë dhe artistë shqiptarë interpretojnë sot në skena nga më prestigjiozet në të gjithë globin vërteton se arti është gjuhë universale.

Kurse lidhja me Atdheun është e ndryshme në persona të ndryshëm dhe ka të bëjë me shumë faktorë si mosha, kujtimet, karriera, historia, etj. Për mua Atdheu (dhe këtu kam parasysh gjithë territoret në Ballkan që banohen nga shqiptarë) është si një familje e madhe, shtëpia ku unë kam lindur, jam rritur dhe edukuar, “ku kam qarë e kam qeshë, ku kam dëshirë të vdes”, është dashuri pa kushte!

FlasShqip: Pak fjalë për aktivitetin tuaj në Vancouver dhe orkestrën West Coast Symphony që ju drejtoni… ajo ka tashmë nje lidhje me hapësirën shqiptare në Ballkan…

Bujar Llapaj: Unë drejtoj këtë orkestër që prej vitit 2004 dhe si dirigjent i parë që prej 2007. Kjo është një orkestër me shumë ngjyra dhe me një nivel të admirueshëm në llojin e vet. Luan një repertor me gamë të gjerë që nga baroku deri tek muzika bashkëkohore. Natyrisht që unë isha ndërmjetësi për turnetë në Ballkan dhe shkak për këtë ishin luajtja e disa pjesëve nga kompozitorë shqiptarë. Në shtator 2010 unë dhe shoqata shqiptare në British Columbia organizuam në Vancouver një koncert për 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës me orkestrën  West Coast Symphony ku u luajtën pjesë nga Zadeja, Gaci, Dizdari etj. dhe këtu ishte pikënisja dhe kurioziteti për të njohur më shumë Shqipërinë dhe Ballkanin. Turneu  i parë u realizua në korrik 2012, me koncert në Tiranë më 1 korrik në ditën e Kanadasë, pastaj në Gjirokastër dhe në Maqedoni. Me këtë rast unë me gjysëm zëri kërkova nëse mund të gjenim disa instrumenta muzikorë për të hapur një klasë në fshatin tim të lindjes, Asim Zeneli, komuna Antigone, dhe ashtu siç dinë ta bëjnë kanadezët pa zhurmë dhe bujë, brenda më pak se një muaj u grumbulluan mbi 20 instrumenta të cilat u dhuruan fëmijëve jo vetëm në fshat por edhe në një shkollë private në Tiranë. Përveç kësaj, ne organizojmë çdo vit në Vancouver një koncert për të mbledhur fonde për këtë klasë muzike dhe aty, në një fshat me më pak se 1000 banorë janë 14 fëmijë që studiojnë muzikë.  

Kurse turneu i dytë, mars 2018, ishte iniciativë e vetë muzikantëve me në krye presidentin e orkestrës dhe mikun e shqiptarëve, Paul McEwen. Ky turne kishte si qëllim njohjen më gjerë të historisë dhe kulturës ballkanike si dhe prezantimin e kulturës kanadeze nëpërmjet prezantimit të veprave nga kompozitorë kanadezë si Stefan Hintersteininger, Jim Hopson, Elizabeth Knudson, shqiptarë si Çesk Zadeja, Rauf Dhomi dhe Kreshnik Aliçkaj, vepra të luajtura me shumë nivel nga orkestra dhe solistët Julia Nolan, Jim Hopson dhe Gwynneth Jons. Koncertet u pritën mjaft mirë nga publiku, sidomos interpretimi i saksofonistes Julia Nolan me koncertin e Hintersteininger si dhe uvertura “Goca e Kaçanikut“ nga Rauf Dhomi. Mikpritja shqiptare ishte fantastike. Gjithashtu ne dhuruam libra për bibliotekën e qytetit të Gjirokastrës si dhe instrumenta muzikorë për studentë në Gjirokastër, Prizren, Prishtinë, Tetovë dhe Shkup. Pjesë e turneut tonë ishte edhe “Music Progressive Quartet” nga Maqedonia.

FlasShqip: Cilat janë sipas jush rrugët përmes të cilave mund ta bëjmë më të njohur traditën kulturore dhe artistike shqiptare në Kanada?

Bujar Llapaj: Ka shumë rrugë, personale dhe institucionale. Unë personalisht kam luajtur në Vancouver muzikë nga kompozitorët shqiptarë si Zadeja, Simoni, Gaci, Jakova, Gaqi, Dhomi, Aliçkaj, Dizdari, Paparisto etj. U kam dhuruar miqve kanadezë libra nga historia dhe literatura e shkrimtarëve shqiptarë. Po ashtu kam luajtur në Tiranë vepra nga kompozitorë kanadezë. Mendoj se shteti shqiptar duhet të bëjë më shumë sidomos në fushën e botimeve të disa veprave muzikore, historike, albume arti, CD, kostume kombëtare, etj, që ambasadat dhe shoqatat të kenë disa kopje për promovimin e kulturës dhe historisë shqiptare në botë.

FlasShqip: Si ju duket ideja e një aktiviteti pan-kanadez me gjithë muzikantët shqiptarë që jetojnë këtu?

Bujar Llapaj: Eshtë një ide interesante, e bukur dhe jo e parealizueshme, duke patur parasysh që në Toronto dhe rrethinat e saj ka shumë muzikantë shqiptarë. Më keni gati!

FlasShqip: Si ju duket Shqipëria pas kaq vitesh? A dalloni ndryshime pozitive?

Bujar Llapaj: Natyrisht që ka ndryshime pozitive sidomos në infrastrukturë dhe një përmirësim të ndjeshëm në pastërtinë sidomos në anët e rrugëve kryesore kur vite përpara ishin mbushur me plehra. Po ashtu në ndalimin e duhanit brenda lokaleve kishte përmirësim dhe në dhënien e kuponit tatimor.

FlasShqip: Ç’mund të thoni për mentalitetin e politikës, po për kulturën shqiptare në përgjithësi? Si kanë evoluar ato në këndvështrimin tuaj?

Bujar Llapaj: Pyetje e gjerë që kërkon përgjigje të gjatë, por po i bie shkurt.

Për politikën dhe politikanët shqiptarë nuk kam respekt, me përjashtime shumë të rralla. Partitë politike janë kthyer në tabore jeniçerësh dhe kamikazësh në shërbim të kryetarit, që kanë zënë llogoret dhe në mes tyre është një vend dhe një popull që shqyhet nga të katër anët. Për gjendjen në të cilën janë sot shqiptarët janë fajtorë të gjithë këta që kanë qeverisur në këto 28 vjet. Shikoni se ç’bëhet me vettingun e gjyqtarëve, sistemi tejet i korruptuar i drejtësisë është i lidhur ngushtë me sistemin e korruptuar politik që ndërtuan “baballarët e kombit” dhe ky sistem duhet të bjerë, dhe unë besoj se do të bjerë së shpejti, por i duhet dhënë edhe një shtytje!

Ne kemi një popull të mrekullueshëm, inteligjent, punëtor, por të drejtuar në mënyrë kriminale nga jeniçerët.

FlasShqip: Ju kemi parë të angazhuar në debatin për Teatrin Kombëtar. Cili është gjykimi juaj për atë që po ndodh?

Bujar Llapaj: Po, jam i angazhuar dhe jam për mbrojtjen e tij si një monument me vlerë i kulturës tonë kombëtare. Mafia e ndërtimit e lidhur ngushtë me pushtetin, për të mos thënë që ajo është në pushtet, po gllabëron gjithçka ka mbetur nga pronat publike dhe historike dhe kjo bëhet në mënyrën më flagrante duke thyer kushtetutën dhe ligjet.

Dhe tani mbrojtja e Teatrit Kombëtar nuk është më vetëm çështje godine, por është një çështje politike për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Dhe ashtu si në 1990, kur në ish-kinostudio nisën debatet për ndryshimin e sistemit, unë shikoj sot tek Teatri fillimin e Revolucionit të Vërtetë Demokratik, ku duhet të bashkohen të gjithë intelektualët që nuk janë ndyrë me pushtetin apo krimin, gjithë qytetarët që gjykojnë se kjo rrugë kriminale e qeverisjes kriminalizon të ardhmen e femijëve të tyre. E keqja, krimi, hajduti, nuk ka ngjyrë, fé, atdhe dhe vetëm duke e kundërshtuar të gjithë bashkë do të mund të kthejmë shpresën e venitur nga shkëlqimi i rremë dhe helmues.

FlasShqip: Ju i ndiqni zhvillimet në Shqipëri, keni lexuar që është miratuar një ligj për diasporën, si e shikoni këtë? Çfarë perspektive mund të ketë për mërgatën shqiptare?

Bujar Llapaj: Të them të drejtën e lexova shkarazi, mu duk shumë i gjatë, dhe ajo që më interesonte dhe që është shumë e rëndësishme për mua, e drejta e votimit të emigrantëve … nuk e pashë.

Unë jam mosbesues ndaj ligjeve që bëjnë qeveritë shqiptare të deritanishme sidomos duke parë dy tendencat kryesore të tyre:

1) E bëjnë ligjin thjesht për propagandë, dhe 2) Si në rastin e Teatrit, bëjnë ligj për të patur nën “pronësi”, nën komandë diasporën.

Unë e falenderoj Portalin Flasshqip.ca për konsideratën dhe propozimin e emrit tim publikisht për në Këshillin Koordinativ të Diasporës, por unë preferoj mbi të gjitha lirinë, dhe kjo nuk më pengon të punoj për komunitetin dhe atdheun tim.

Në fund po ju tregoj një histori të vërtetë: Në verën e vitit 1982 kur isha me pushime në fshat, pasi kisha bërë vitin e parë të punës si pedagog në Akademinë e Arteve, një natë babai më thotë: Tani është mirë që të bësh kërkesën për anëtar partie. Unë i thashë jo, nuk e bëj. Pse, më tha im atë? Përgjigja ime: Kam disa arsye : a) Unë dua të bëhem fillimisht dirigjent,  b) nuk e ndjej se duhet të bëhem anëtar partie, dhe c) duke njohur mirë shumë prej atyre që janë anëtar të asaj organizate, unë nuk dua të bëj pjesë atje.

P. S. Babai im quhej Avdi Llapaj, Hero i Punës Socialiste, komunist idealist, njeri i ndershëm tek zoti, shkriu gjithë energjitë dhe jetën e tij për të ndërtuar një jetë më të mirë për komunitetin e tij dhe bashkë me Enver Haxhiun, Gaqe Rebin, Rrapo Skëndin etj ndërtuan një fshat dhe një komunitet ku primare ishte shërbimi dhe respekti ndaj çdo njeriu dhe kontributit të tij. Pra ata përpara se ti quash “komunist”, me të mëdha duhet ti quash NJERËZOR.