Komunitet

Piktorët shqiptarë ekspozojnë në Toronto

  • Published in Komunitet

Galeria e quajtur Artusiasm (Art+Entusiasm) me bashkëpronarë çiftin e artistëve Tanzina Amin dhe Carlos Rodrigues, brenda një kohe të shkurtër 1 vjeçare ja ka dalë të tërheqë vëmendjen e publikut artdashës në Toronto me numrin e shpeshtë dhe të larmishëm të ekspozitave të pikturës.

Të premten e kaluar, më 27 Korrik, aty u hap ekspozita e titulluar “2018 Summerfest Exhibition”, me pjesëmarrjen e 30 piktorëve me prejardhje nga shumë vende të botës, të cilët paraqitën mbi 90 punime në teknika të ndryshme. Kjo ekspozite do të qëndrojë e hapur deri në datën 3 Gusht.

Kësaj radhe aty ekspozuan punimet e tyre edhe 2 piktorë shqiptaro-kanadezë, Elis Tarelli (me tablonë në vaj “Dhe gurët kanë fytyrë) dhe Robert Simoni (me tablonë në vaj “Konstruksion”) dhe amatori i pikturës Ardian Radovicka (me tre pejsazhe në vaj të titulluara “Perëndim në kopshtin tim”, “Vjeshtë në lumin Don” dhe “Fundverë në lumin Don”). 

Sipas shqiptarëve pjesëmarrës në ekspozitë, ideja është të thellohet bashkëpunimi mes tyre në vazhdimësi, duke ftuar edhe të tjerë në ekspozitat e ardhshme e për të kulmuar me ekspozitën e planifikuar në muajin nëntor të këtij viti, si muaji i trashëgimisë kulturore shqiptare në Ontario, por edhe në kuadër të vitit të shpallur si viti i Heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Pjesëmarrësit gjetën rastin dhe biseduan me pronaren rreth ekspozitës së nëntorit ku parashikohet të marrin pjesë një numër i konsiderueshëm krijuesish shqiptarë nga fusha e arteve figurative që jetojnë në Halifax, Montreal, Brampton, Toronto etj. Ajo u tregua e gatshme të përgatisë posterin përkatës për këtë event kulturor. 

 

@FlasShqip.ca