Komunitet

Kostandin Ristani, shqiptari në majën e shtetit kanadez

  • Published in Komunitet

Intervistoi: Taulant Dedja

Kostandin Ristani, ish-gjimnazisti në “Sami Frashëri”, i shkëlqyer në shkenca ekzakte, ish-basketbollisti i Partizanit, ish-studenti i Inxhinierisë së ndërtimit i diplomuar shkëlqyeshëm gjithashtu, inxhinieri rebel, me shpirt të lirë e i drejtë që provoi dallgët e jetës nën diktaturën komuniste e më pas imigrimin në Kanada ku arriti në majat më të larta të shtetit kanadez, vjen në një rrëfim për jetën e tij në Flasshqip.

Nini, ashtu siç e thërrasin shkurt miqtë dhe shokët, sëbashku me bashkëshorten dhe vajzën prej vitesh jeton në Ottawa ku edhe punon... Ai është pjesëmarrës dhe panelist, i ftuar drejtpërdrejt nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë në Samitin e I-rë të Diasporës në Nëntor 2016 si dhe pjesëmarrës në Takimin e Diasporës të mbajtur në Prishtinë në Maj të këtij viti. Historia e tij, një histori e rrallë dhe me të vërtetë frymëzuese...

Nini, po të drejtohemi kështu siç të thërrasin miqtë dhe shokët. Na trego diçka mbi familjen e origjinës, nga rrjedh Kostandin Ristani?

Kostandin Ristani: Unë jam lindur në Tiranë në një familje të thjeshtë qytetare. Babai im është Jani Ristani, një nga krijuesit më të shquar të vendit në fushën e fotografisë artistike, dokumentare, historike, publicistike, kompozicionale dhe novatore me të cilin vërtet krenohem. Nëna ime e lindur dhe e shkolluar në Montreal të Kanadasë, ka qenë gjithë jetën shtëpiake me gjuhë natyrale të parë anglishten, ndërsa frëngjishten të dytë, kur për një kohë të gjatë anglofolësit, të lindur apo të arsimuar së bashku, numëroheshin në Shqipëri me gishta. Jam djali i vetëm i familjes dhe më i riu në mes tre motrave. 

Le të kthehemi pas në kohë e të kujtojmë të kaluarën. Si u bëre ky qe je?

Kostandin Ristani: Kam kryer gjimnazin “Sami Frashëri” të Tiranës, ku kujtoj vecanërisht vitin e fundit meqënëse u përzgjodha në skuadrën përfaqësuese të gjimnazeve të kryeqytetit për konkurimin kombëtar në fushën e lëndëve ekzakte ku “Samiu” fitoi vendin e parë. Ndërkohë gjatë periudhës së shkollës kam qenë lojtar i skuadrës së basketbollit të të rinjve të “Partizanit”.

Si nxënës i shkëlqyer dhe aktiv me siguri që të lejuan të zgjidhje degën e studimeve të larta?

Kostandin Ristani: Ëndrra ime e fëmijërisë dhe e rinisë qe për inxhinieri avionash por m’u dha e drejta për të studiuar në inxhinieri ndërtimi. Këto ishin studime në një degë të imponuar nga sistemi absurd politiko-klasor i asaj kohe. Gjithsesi, mbarova me diplomë të shkëlqyer, të gjitha dhjeta dhe vetëm dy nënta në dyzet e katër lëndë provimi e firma. 

Dhe pas diplomimit ku të emëruan?

Kostandin Ristani: Pas diplomimit punova në sektorë të ndryshëm të ndërtimit. Fillimisht me detyrën e inxhinierit të zbatimit në Tiranë, në Kombinatin e Parapërgatitjes së Parafabrikateve Betonarme dhe Materialeve të Ndërtimit, pastaj u komandova në Hidrocentralin e Fierzës dhe më vonë, në vitin 1978, me vënien në shfrytëzim të Uzinës së Apartamenteve të Parafabrikuara, u emërova përgjegjës i sektorit të linjave të prodhimit të paneleve të parafabrikuara. Me krijimin e Ndërmarrjes së Ndërtimit të Banesave të Parafabrikuara në Tiranë, në vitin 1981, u emërova kryeinxhinier i saj dhe punova deri në vitin 1985. Më pas u emërova shef i grupit të organizimit të zbatimit të punimeve të ndërtimit për veprat që projektonte Instituti i Industrisë së Lehtë e Ushqimore me qendër në Tiranë. Atje punova deri në fund të vitit 1992, kohë kur reformat qe ndërmori administrata shtetërore e asaj periudhe më nxorri në asistencë të përherëshme.  

 Bazuar në natyrën tënde, si njeri i drejtpërdrejtë dhe pa kompromise në kurriz të së drejtës, besoj se do kesh patur ndonjë incident me mbrojtësit e vijës së partisë. Kujton ndonjë rast?

Kostandin Ristani: Hahaha..po jam dënuar njëherë nga drejtori i ndërmarrjes me punë në prodhim gjatë kohës kur isha drejtues teknik turni në prodhimin e qendrave beton arme të parafabrikuara të zjarrit në Kombinatin e Parapërgatitjes së Parafabrikateve Betonarme dhe Materialeve të Ndërtimit. Kjo sepse nuk pranova publikisht në një mbledhje të hapur “kuadrosh” që të firmosja një shkresë direktivë, të urdhëruar nga kryeministri dhe ministri i mbrojtjes së asaj kohe, e cila ngarkonte penalisht me paragjykimin sabotim të gjithë inxhinierët zbatues të qendrave të zjarrit për çdo mangësi apo cilësi të parealizuar sipas projektit nga brigadat e punës që ata drejtonin. Drejtori me prepotencën dhe arrogancën e kuadrit të partisë më vuri përpara mëdyshjes ose të firmos shkresën ose menjëherë në prodhim, punëtor. Në mënyrë të prerë unë nuk pranova të firmosja, kështu që drejtori urdhëroi me shkrim shkarkimin tim si drejtues teknik dhe  më dërgoi pa asnjë mbështetje ligjore punëtor në prodhim. 

Po inxhinierët e tjerë e firmosën?

Kostandin Ristani: Nga sa mësova nga ministri i ndërtimit i asaj kohe, isha i vetmi inxhinier në gjithë kuadrot e Ministrisë së Ndërtimit që nuk kishte pranuar të firmoste urdhrin e kryeministrit prepotent e me një temperament të pa përballueshëm shpërthyes abuziv.

Sa efektiv ishte ky dënim për ty dhe partinë?

Kostandin Ristani: Ironia dhe paradoksi që alarmoi drejtorin dhe organizatën bazë të partisë pas disa muajsh, ishte fakti se duke punuar vetëm pesë-gjashtë orë në turn si punëtor unë merrja një rrogë që ishte trefishi i rrogës së inxhinierit që kisha më parë. Punoja gjithmonë 12 orëshin e turnit të natës 7 e mbrëmjes deri në 7 të mëngjesit që të mos shikoja praninë e drejtuesve administrativë e partiakë të ndërmarrjes e sigurimsat e kamufluar, të cilët unë i dalloja pa asnjë vështirësi.

Ajo që nuk të vret të bën më të fortë apo jo dhe ndoshta prandaj mund të jesh këtu sot. Mos ishin këto episode të jetës tënde në Shqipëri që ndikuan për t’u larguar prej saj?

Kostandin Ristani: Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje më duhet të përshkruaj disa zhvillime paraprake dhe disa rrjedhje rrethanash në të kaluarën time të punës. Natyrisht që ardhjen e Lëvizjes Demokratike në Shqipëri e përqafova dhe e mirëprita me një emocion gëzimi dhe ardhmërie të pa shpjeguar. Edhe në mjedisin e punës shprehja mbështetje për ndryshimet që po ndodhnin si në përmbysjen e regjimit ashtu edhe për projektimin e një të ardhmeje më të lirë e më pjesëmarrëse në drejtimin e shtetit. Kur ndodhën ndryshimet e para të sistemit punist qeveria që u vetë-zgjodh filloi të pastronte administratën dhe institucionet shtetërore për të hapur vende për militantët  e Lëvizjes Demokratike me gjoja reformën për zëvendësimin e kuadrove të politizuar e të trashëguar nga ish-regjimi. Dhe unë si inxhinier specialist, në profesionin tim, dhe asnjëherë i angazhuar apo anëtar i partisë puniste, u nxorra në asistencë të përhershme nga administrata e qeverisë demokratike.

Pasi mora njoftimin e pushimit tim nga puna, me zhgënjimin e thellë dhe tronditjen emocionale që pësova dhe për besimin e verbër që i dhashë Lëvizjes Demokratike, në këtë ecje gati të pa kontrolluar, më pret rrugën një mik shumë i vjetër që e kisha njohur kur fillova punë në Kombinat. Ky ishte hekurkthyesi më i aftë, më punëtor dhe më i përgjegjshmi i të gjithë punëtorëve që drejtoja. Ky person është babai i një djali shumë të mbarë, të talentuar e të suksesshëm që jeton tani në një qytet të Ontarios. Më kuptoi që nuk isha në terezi dhe më pyeti se ç’kisha. Ja shpjegova të gjithë gjendjen time dhe shkaqet e kësaj gjendje. Më kapi për krahu dhe më tha (takimi i fundit me këtë mik kaq të mirë): “Hajde tani të shkojmë bashkë tek “Doktori” dhe tek ... “ – emri i kryetarit të organizatës së të burgosurve politikë.  “Jo, i thashë ky nuk është shteti që duam unë e ti dhe që kemi folur shumë kohë përpara. Ti e di që unë jam për meritokracinë dhe jo për militantizmin. Unë s’kam kohë të pres e të sakrifikoj jetën time. Politikan nuk bëhem pa ditur se ku do shkoj sepse nuk jam aventurier. Për të filluar biznes do ca para, lidhje, shokë apo miq – unë këto nuk i kam. Kam dy vjet që e kam marrë pasaportën kanadeze. Po iki në Kanada për të eksploruar veten time në një sistem e shoqëri tjetër e të shoh se sa vlej.” Më kuptoi fare mirë pa ngulur këmbë në propozimin e tij. Në ndarje e sipër më dha numrin e telefonit të djalit në Kanada – për çdo rast më tha, u ndamë duke u përqafuar gjatë dhe më nuk e takova sepse kur u ktheva unë në Shqipëri për vizitë, mora vesh që ai qe ndarë nga kjo jetë.

E zgjata shumë këtë përshkrim sepse për herë të parë po e shpjegoj hollësisht me vërtetësi se cila qe arsyeja që u largova nga Shqipëria, e cila është e lidhur me shumë përjetime të dhimbshme emocionale dhe racionale. Sipas eksperiencës sime dhe veprimtarisë së punës në Shqipëri, e vërteta është se Shqipëria, e kam fjalën për shtetin shqiptar, nuk më vlerësoi, nuk më deshi, nuk më mbajti dhe së fundi më përzuri! Fatkeqësisht këtë po vazhdon ta bëjë tani edhe me të rinj të tjerë si unë në atë kohë. Nuk e di se si mund të vepronte një tjetër shqiptar në vendin tim me gjithë këto peripeci, arritje personale dhe eksperiencë jete në Shqipëri.

Çfarë bërë fillimisht në Kanada për t’u përshtatur? Cilat ishin punët e para? 

Kostandin Ristani: Kur mbërrita në Kanada, Montreal, isha vetëm pa familjen. Qëndrova në ndihmë financiare për nja tre muaj dhe pastaj fillova punë të çfarëdoshme. Ndërkohë fillova kërkimet për të marrë liçensën dhe antarësinë e Urdhërit të Inxhinierëve të Quebec-ut. E pashë që qe punë e gjatë përsëritëse arsimimi që përfshinte ekuivalentimin e diplomës e të profesionit dhe shkollim shtesë për të njejtin arsimim. Pengesë tjetër serioze qe çertifikimi në aftësinë e përdorimit te gjuhës frënge, kjo më mungonte dhe unë nuk kisha kohë për të studiuar gjuhë sepse prisja familjen dhe më duhej të punoja. Hoqa dorë menjëherë nga ky variant. Ishte fund korriku dhe po reklamoheshin programet e shkollimit per vitin e ri shkollor  dhe rastësisht pashë një lajmërim në gazetë për një kolegj privat që ofronte arsimim në fushën e informatikës. Më interesoi sepse kjo diplomë qe e akredituar si për punësim ashtu edhe për arsimim të lartë pasuniversitar. Tjetër arsye qe se unë e kisha shumë për zemër informatikën dhe tregu i punës kishte boshllëk të madh për të mbushur vendet e punës me informaticienë (IT).

Normalisht kur zhvendosesh në një vend ke nevojë për mbështetje qoftë edhe psikologjike. Cilat kanë qenë kontaktet e para me të njohur ose të panjohur në Kanada?

Kostandin Ristani: Kur mbërrita për herë të parë, ne një mbrëmje të zymtë shkurti në Montreal e ku nuk më priste njeri, i pari që takova ishte një jurist, me të cilin lidha një miqësi shumë të ngushtë me të dhe me familjen e tij e që vazhdon akoma. Tjetër ishte dhe vazhdon të jetë, një familje me origjinë shqiptare në Montreal, të emigruar pas Luftës së Parë Botërore dhe njera degë e saj me origjinë nga Zagoria e Gjirokastrës. Burri i kësaj familje më qëndroi shumë pranë duke u përkujdesur për integrimin tim pa trauma në jetën e këtushme gjatë gjithë kohës. Për mua ishte hera e parë që isha jashtë Shqipërisë dhe kuptohet gjithë stresi dhe çorientimi mendor dhe emocional që përjetoja. Lidhjet tona familjare janë shumë të ngushta me të gjithë pasardhësit e tij. 

Çfarë të ndihmoi dhe çfarë të pengoi në integrimin e shpejtë në Kanada?

Kostandin Ristani: Më ndihmoi shumë shkollimi i përshpejtuar dhe pa ndërprerje si edhe pasja e një formimi arsimor të fortë e të shëndoshë nga Shqipëria.  Më pengoi po kaq shumë mungesa e aftësisë së komunikimit në gjuhën frënge, të cilën e vuajta shumë gjatë deri kohët e fundit. Gjithashtu më pengoi shumë edhe mungesa e likuiditetit financiar sepse erdha në Kanada pa asnjë mundësi financiare që do të më  siguronte jetesë modeste në Montreal të paktën për një muaj, edhe paratë për biletën e avionit i kisha marrë borxh në Tiranë.

Përpos studimeve të larta e pasuniversitare në Tiranë në degën e inxhinierisë, na përshkruaj me pak fjalë arsimimin dhe karrierën në Kanada.

Kostandin Ristani: Pas pak muajsh në asistencë në Kanada fillova nga e para një jetë, një arsimim dhe një karrierë pune krejt të ndryshme nga ajo e vendit të lindjes. Fillimisht, në Montreal, prej shtatorit të vitit 1993 e deri në fund të vitit 1997 ndoqa rrugën arsimimit të përshpejtuar pa shkëputje nga puna në fushën e shkencës kumpjuterike dhe të informacionit, duke e filluar që nga niveli kolegjial e deri në nivelin pasuniversitar për master. Gjatë kësaj kohe punova si konsulent në hartimin e zbatimin e sistemeve informatikë që automatizonin veprimtarinë e bizneseve me aftësi ushtruese të vogël e të mesme. Në të njëjtën kohë punova edhe si pedagog leksionesh për vitin e fundit të kursit të nivelit universitar të degës së shkencës kompjuterike në universitetin Concordia të Montrealit.

Pas një procesi konkurimi për t’u punësuar ne administratën shtetërore federale të Kanadasë, në fillim të vitit 1998 u punësova në Agjensinë e Statistikave të Kanadasë me qendër në Ottawa, me detyrën e specialistit të sistemeve të informacionit, ku punova deri në fund të vitit 2001. Në fillim të vitit 2002 pas një konkurimi në Ministrinë e Mbrojtjes u emërova me detyrën e arkitektit të sistemeve të automatizuara të informacionit në fushën ushtarake ku punoj edhe sot si funksionar i lartë i arkitekturës së ndërmarrjes (Senior Enterprise Architect). Gjatë kësaj periudhe kam mbaruar studimet e nivelit master në The George Washington University të SHBA-së në fushën e manaxhimit të projekteve në administratën publike.

-Master’s Certificate in Project Management: The George Washington University School of Business and Public Management, nga nëntor 2002 deri tetor 2004

-Master’s Certificate in IT Project Management: The George Washington University – School of Business and Public Management, nga prill 2003 deri gusht 2005.

-Master’s Certificate in Business Analysis from McMaster University, nga tetor 2005 deri nëtor 2006;

Që prej 11 vjetësh përfaqësoj Kanadanë dhe Ministrinë e Mbrojtjes në një nën-strukturë të Bordit të Konsultimit, Komandës dhe Kontrollit të NATO-s (NATO Consultation, Command and Control Board (C3B)) – C3B është organizmi i lartë, politikë-bërës e shumë kombësh që këshillon Këshillin e Atlantikut Verior (North Atlantic Council – NAC). Që nga shtatori i vitit 2014 jam miratuar dhe emëruar nga C3B, kryetar i kësaj nënstrukture me anëtarë që janë ekspertë të fushës përkatëse nga kombet anëtarë e partnerë të NATO-s, sektori privat, industria dhe institucionet akademike ndërkombëtare.

Me gjithë këtë formim dhe përvojë jete e profesionale, sa je angazhuar me çështjet e diasporës?

Kostandin Ristani: Jam angazhuar shumë vite më parë me përkushtim për problemin e pensioneve të brezit që punoi në Shqipëri dhe jeton në Kanada. E quaj një padrejtësi dhe një moskujdesje të papranueshme që brezit që punoi shumë vjet në Shqipëri me rrogat e nivelit te specialistëve të lartë, për kohën atje, që ti jepet një pension që nuk mjafton as për një kafe të shoqëruar me një muffin në ditë. Për këtë hodha idenë e njohjes reciproke te vjetërsisë në punë për efekt të Canada Pension Plan (CPP). E sqarova mirë këtë ide me ministrat shqiptarë që erdhën këtu dhe ju shtruam një drekë për të diskutuar këtë ide e iniciativë. Por fatkeqësisht, njerëzit e ngarkuar për bisedime për këtë çështje e çvendosën fokusin e marëveshjes në sigurinë sociale reciproke e të transferueshme të pensionit të pleqërisë, që, të them të vërtetën, nuk e kuptoj se ç’përfitim bie kjo marrëveshje për brezin që ka një kontribut vjetërsie pune të rëndësishme në shtetin shqiptar dhe në atë kanadez të marra së bashku. Unë për vete u largova heshturazi nga ky angazhim dhe nuk di se ku ka arritur gjendja e kësaj marrëveshje që po tejkalon çdo afat të arsyeshëm e të pranueshëm shumë vjeçar.

Duke u nisur nga pozita personale ndoshta përshtypja mund të jetë e cunguar, nuk shoh probleme të diasporës këtu që kanë nevojë për organizim kolektiv dhe të orkestruar, e kam fjalën për zgjidhje problemesh dhe jo për të qënë së bashku si një grup homogjen për veprimtari që na sjell sensin, emocionet, gëzimet dhe krenarinë e përkatësisë.

Kam patur rastin e lumtur gjithashtu që me ftesë të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë të jem pjestar dhe panelist në Samitin e I-rë të Diasporës më 2016 si dhe kam marrë pjesë në Takimin e Diasporës këtë vit në muajin Maj në Prishtinë, me dëshirën dhe disponibilitetin maksimal për të kontribuar për atdheun tim.

Si e percepton të ardhmen e komunitetit shqiptar në Kanada?

Kostandin Ristani: Unë personalisht e përfytyroj të ardhmen e komunitetit shqiptar në Kanada të shkëlqyer: të integruar dhe të arrirë në synimet që kanë; ndërsa si identitet të zbehur. 

Cili duhet të jetë roli i diasporës shqiptaro-kanadeze në atdhe?

Kostandin Ristani: Duke përfituar nga specializimi dhe ekspertiza ime si analist, hartues dhe këshillues në drejtimet e zhvillimeve strategjike afatgjata, ju lutem më lejoni të jem deri diku rigoroz dhe i rreptë në këtë përshkrim dhe këndvështrim që kam për rolin e diasporës në Shqipëri.

Shteti shqiptar dhe Shqipëria kanë nevojë deri në klithmë alarmuese për:

1) Strategji të njehsuar kombëtare mbarë shqiptare për të ardhmen afatgjatë 25-50-100 vjeçare në të gjitha drejtimet që e kërkon kjo strategji, këtë duhet ta hartojnë dhe ta dijnë absolutisht vetëm elita politike shqiptare kudo qoftë. Kjo strategji duhet të ketë klasifikimin më të lartë të sigurisë kombëtare dhe kërkon në mënyrë të rreptë paraprakisht që hartuesit dhe aprovuesit e kësaj strategjie të jenë katërcipërisht të pavarur dhe absolutisht të mos kenë asnjë detyrim ndaj lidhjeve të fshehta apo të angazhuar për interesa personale ndaj shteteve të tjera e politikave të tyre strategjike;

2) Për qeverisje e administrim shtetformues dhe shtetveprues që krijon besueshmërinë e shtetit shqiptar brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë të shteteve që qeverisen nga shqiptarët; dhe

3) Për investime kapitale.

Këto të treja janë të lidhura aq shumë sa nuk ka se si të shprehet e theksohet me fjalë por vetëm me vepra roli dhe ndikimi ndaj njëra-tjetrës. Pa qeverisje dhe administrim s’mund të ketë besueshmëri për investime kapitale të shëndosha, të sigurta, serioze dhe të vazhdueshme. Ç’besueshmëri investimi mund të presësh nga një shtet që shekullin e kaluar i është grabitur thesari, këtë shekull i është vjedhur thesari, banka raporton humbje vlerash monetare të pagjetshme që kapin shifra të papranueshme në bilancet e sistemeve financiarë që nga koha e Perandorisë Romake dhe së fundi që në historinë e ekzistencës së vet njëqind-vjeçare vetëm ka marrë borxhe dhe nuk i ka larë ato asnjë herë dhe vazhdon të ketë borxhe. Kam përshtypjen se shteti shqiptar është i pakrahasueshëm dhe i paarritshëm në këto bëma. 

Tani të vijmë tek roli i diasporës. Diaspora mund të kontribuojë në të tre fushat dhe veprimtaritë e përmendura më lart. Se çfarë dhe se si, mendoj se është jashtë hapësirës së këtij parashtrimi.

Si përmbledhje rolin e diasporës për Shqipërine e shoh shumë të vlefshëm, kontribues dhe influencues nga anëtarët që jetojnë e punojnë në Kanada dhe që kanë dëshirë e përkushtim që ta kenë këtë rol të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në Shqipëri.

Cilat janë sipas jush hallet më të mëdha të shqiptarëve të Kanadasë?

Kostandin Ristani: Nga përvoja ime personale e këtushme nuk mundem të veçoj hallet e shqiptarëve të Kanadasë nga ato të kanadezeve dhe gjithashtu edhe nga hallet e detyrimeve që ndjejnë shqiptarët kudo në diasporë për të afërmit që jetojnë në atdheun e origjinës.

Si i ruan marrëdhëniet me Shqipërinë?

Kostandin Ristani: Kryesisht duke vizituar vendin tim të lindjes sa më shpesh – pesë gjashtë herë në vit këto pesë vjetët e fundit dhe duke kaluar kohë cilësore atje me shoqërinë dhe lidhjet që kam në Shqipëri që kur kam lindur e deri më sot. Gjithashtu duke humbur kohë nëpër zyra të ndryshme të administratës qendrore, vendore apo private për shërbime që jam i detyruar të kryej në çdo vizitë. Duke vizituar qytete dhe vende të ndryshme të Shqipërisë dhe vëzhguar pjesë të udhëtimeve, jetesës e shërbimeve periferike të krahasuara me kryeqytetin. Me një fjalë nuk dua të përballem me fjalinë klishe që vendalinjtë karakterizojnë të ardhurin nga diaspora: “Ohu ti Nini je larguar qyshkur dhe nuk e njeh jetën tonë dhe të shoqërisë shqiptare sepse je shkëputur nga kjo jetë.” Ka shumë kohë që këtë nuk ma thonë më rrethi im shoqëror, familjar e fisnor apo bashkëbisedues të rastit; për çdo vërejtje të tyre unë e kam përgjigjen e pasfidueshme sepse vëzhgimin e kam të përjetuar vetë dhe jo nga informacioni i medias vizive apo të shkruar. 

Me çfarë gjërash e kujton vendin e origjinës në shtëpinë tënde në Kanada?

Kostandin Ristani: Me të gjitha mbresat emocionale të kohës së fëmijërisë, rinisë e pjekurisë, me vendet që kam jetuar, punuar dhe shëtitur; me shtëpinë, kopshtin me pemë të bollëshme, lagjen ku kam lindur dhe kam jetuar pa ndërprerje deri sa u largova; me vështirësitë, ëndrrat, vuajtjet e krahasimet e përfytyrura për botën e zhvilluar kur jetoja në Shqipëri dhe vëzhgimet e përjetuara tani në vendet perëndimore që vizitoj dhe jetoj. Me funksionimin e administratës shtetërore të sistemit të përmbysur e atë të gjetur dhe vlerat shoqërore të lëna e të gjetura. Gjithashtu një vend të veçantë në kujtimet e mia zenë figurat, karakteret dhe cilësitë e njerëzve që kam njohur në Shqipëri dhe vazhdoj të njoh në Kanada duke bërë krahasime për rrethana të njëjta apo të ndryshme shoqërimi me ta.

Çfarë dinë miqtë e tu kanadezë për Shqipërinë?

Kostandin Ristani: Shumë më tepër vlera, tradita, zakone, histori, kulturë, kushte e rrethana se ç’dinin përpara se të bëheshin miq me mua dhe që nuk do të mund t’i mësonin në asnjë lloj mënyre tjetër.

 

Pallati i Brigadave, Samiti i I-rë i Diasporës 2016

I dashur Nini, të falenderojmë për kohën që na kushtuat dhe copëzat e  jetës tuaj që ndatë me ne.

©Flasshqip.ca