Komunitet

Dr. Lulzim Rrafshi, mjeku dhe humanisti i përkushtuar shqiptaro-kanadez

Nga: Taulant Dedja

Doktor Lulzim Rrafshi është kandidat i propozuar nga Shoqata “Iliria” e London-Ontario të përfaqësojë diasporën shqiptaro-kanadeze në Këshillin Koordinativ të Diasporës.

Personazhi i zgjedhur kësaj radhe për t'u paraqitur në rubrikën Profil&Intervista të FlasShqip, është doktor Lulzim Rrafshi me origjinë nga Kosova. Prej vitit 2005 ai është i liçensuar në Kanada në fushën e mjekësisë familjare. Aktualisht është anëtar i Kolegjit të Mjekëve të Ontarios dhe e ushtron profesionin në London të Ontarios. Ai është gjithashtu Profesor i Asociuar në Departamentin e Mjekësisë Familjare në Schulich School of Medicine and Pharmacy, University of Western Ontario. Rrugëtimi i tij i shkëlqyer profesional në fakt nuk ka nevojë për shumë komente.

Biseda me doktor Lulin (ashtu si janë mësuar ta thërrasin shokët dhe miqtë) nis me kujtime. Ai ka lindur dhe është rritur në Prishtinë. Si njëri nga katër fëmijët e familjes Rrafshi, ai kujton me mall sidomos prindërit, të cilët nuk jetojnë më. Ata ishin një mbështetje e pafund për të. Kujton kohën kur i vogël shkonte tek gjyshja për të parë TVSH-në, që mund të ndiqej vetëm në disa zona në Kosovë. Mban mend mirë edhe titujt e filmave si “Tomka dhe shokët e tij”, “Lulëkuqet mbi mure” apo “Tinguj lufte”. I ka mbetur në mendje nga koha e studimeve universitare në Rumani edhe takimi me lojtarët e ekipit “Partizani”, që në vitin 1991 është ndeshur me ekipin "Universitatea Craiova". Aty ka takuar dhe Igli Taren pas ndeshjes sëbashku më lojtarë të tjerë, të cilët u mblodhën të festonin me studentët shqiptarë. Sigurisht kujton edhe sfidat me të cilat i është dashur të përballet për të arritur deri aty ku është sot, një profesionist me arritje ekselente. Nuk mund të harrojë as ditën kur është njohur me shoqen e tij të jetës, Rabi, me të cilën krijuan një familje të lumtur dhe sollën në jetë e rritën tre fëmijë për të cilët janë krenarë të dy si prindër. Ata quhen Nita, Granit dhe Arian.

Profesionin e mjekut ai e mori fillimisht në Rumani, në Fakultetin e Mjekësisë "Grigore T. Popa" në Iasi, ku u zhvendos pas përfundimit të shkollës së mesme mjekësore në Prishtinë. Vite pune e sakrificash të panumërta… Ndërkohë, pasi nisi në vitin 1998 specializimin për Radiologji në Bukuresht, vendos të kthehet në Kosovë në kohën e përkeqësimit të situatës atje për shkak të represionit serb. Nuk mund të rrinte larg familjes në një moment të tillë.

Ja si e kujton doktori atë periudhë: “Pas shumë peripecive, në kohën kur konflikti në Kosovë kish arritur kulmin, më 1 prill 1999 arritëm të kalonim kufirin me Maqedoninë. Ishtë një “prill i thyer” për ne, një sfidë që nuk do ta harrojmë kurrë. Madje për atë periudhë lirisht mund të shkruaja një libër mbi ato që kam përjetuar. Imagjinoni që bashkëshortja ime ishte në muajin e 9-të të shtatëzanisë… Por pas çdo stuhie lind dielli… dhe dielli për ne lindi më 13 prill, ditën kur erdhi në jetë në Tetovë vajza jonë e parë, Nita. Ishte ajo që na bëri të harrojmë të gjitha mundimet dhe brengat. Ishte ajo që na shëronte shpirtin dhe na jepte motivim për të mos e humbur shpresën për asnjë moment”.

Rilindja e vërtetë për familjen Rrafshi mbetet 15 maji 1999, dita kur ata shkelën tokën kanadeze në kuadër të programit të qeverisë kanadeze për strehimin e disa mijëra refugjatëve shqiptarë nga Kosova të larguar nën terrorin e represionit të ushtrisë serbe. Fillimisht ata vendosen në Halifax të Nova Scotia, kur doktor Luli angazhohet menjëherë si drejtues i grupit të përkthyesve në kampin e refugjatëve shqiptarë ku strehoheshin rreth 500 të tillë, duke kontribuar edhe në grupin që përkujdesej për shëndetin mendor të atyre njerëzve të traumatizuar nga terrori që kishin përjetuar. Ai u bë pjesë e rëndësishme e “Operation Parasol” që kishte mision akomodimin përfundimtar të grupit të refugjatëve shqiptarë.

Më pas, për disa vjet angazhohet si përkthyes për Imigration Canada dhe Gjykatën e Halifax-it si dhe ishte pjestar aktiv i programeve për integrimin e emigrantëve. Për aktivitetin e tij vlerësohet më 2001 edhe me çmimin “Vullnetari i vitit” për provincën Nova Scotia. Në vitet 1999-2003 ai ka kontribuar maksimalisht edhe si anëtar i kryesisë të Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në Halifax. Nuk mund të ndodhte ndryshe me një mjek profesionist, tipari kryesor i karakterit të të cilit është humanizmi dhe angazhimi parësor shërbimi me përkushtim ndaj shëndetit të njeriut dhe jo vetëm.

Për doktor Lulin, sfida e integrimit si mjek profesionist në Kanada ka qenë një rrugë e mundimshme e plot sakrifica, rrugë në të cilën ai nuk u dorëzua kurrë, falë vullnetit të tij të jashtëzakonshëm. Njëkohësisht duke u përgatitur për provimet e parashikuara për mjekët e ardhur nga jashtë Kanadasë, ai punonte edhe si vullnetar në klinikat mjekësore në Halifax apo në ato në shërbim të aborigjenëve të Nova Scotia e më pas edhe në spitalin rajonal të Sydney-t nën drejtimin e mjekëve të ndryshëm specialistë, eksperiencë të cilën ai e konsideron si fantastike dhe shumë të vyer.

Sakrifica dhe mundi u shpërblyen në vitin 2002, kur pas një konkurimi shumë egzigjent për një numër të kufizuar vendesh, ai pranohet si specializant në "Family Medicine Residency Program" pranë "Dalhousie University", Halifax. Nga përfundimi i specializimit më 2005, ai ka punuar pa ndërprerje si mjek familjar dhe mjek i shërbimit të urgjencës fillimisht në Sydney-Nova Scotia e më pas, prej vitit 2008 në London-Ontario.

Sëbashku me Besnik Rexhvelajn dhe Naser Berishën, doktor Luli njihet si themelues i Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze “Iliria” të qytetit London, shoqatë që vepron prej 10 vjetësh dhe ku ai vazhdon të kontribuojë aktivisht në të gjitha evenimentet, përfshi edhe Multicultural Day (organizim i përvitshëm i Bashkisë London), ku shoqata me dinjitet ia ka dalë të prezantojë, historinë, folklorin, kostumografinë, kulturën dhe traditën shqiptare në përgjithësi. Ai ushtron dhe aktivitet filantropik e vullnetar në kuadër të "London Interact Rotary" që ndihmon të varfërit e të pastrehët me ushqime dhe donacione të ndryshme. Ja pra si del akoma më mirë në pah humanizmi i tij, të cilin ai me modesti e konsideron si një dëshirë për t’i shprehur sadopak mirënjohje Kanadasë për ndihmën që u dha shqiptarëve të Kosovës në ditët më të vështira.

Doktor Luli ndihet shumë mirënjohës ndaj Shoqatës “Iliria” për nominimin e tij si kandidat për në Këshillin Koordinativ të Diasporës. Ai beson se një strukturë e tillë do ndihmojë dhe do forcojë lidhjet e diasporës me shtetin amë, sikurse dhe do ndihmojë e mbështesë ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor dhe kulturor të diasporës. Në bisedë me ne, ai e vlerësoi dhe mbësheti gjithashtu idenë e propozuar nga Z. Besnik Rexhvelaj për krijimin e Kongresit Shqiptaro-Kanadez, që sipas tij, si një forum i përbashkët, do ndihmojë komunikimin mes shqiptarëve në të gjithë Kanadanë dhe do të krijojë lidhje më të ngushta bashkëpunimi mes tyre.

Në fund ai nuk harron të falenderojë familjen, të cilën e konsideron gjënë më të rëndësishme. Mbi të gjitha beson se pa mbështetjen e bashkëshortes, Rabi (arkitekte me profesion dhe menaxhere e klinikës mjeksore në London), nuk do kish mundur të arrinte suksesin si profesionist në një fushë nga më të vështirat për t’u integruar në Kanada si imigrant.

Doktor Luli meriton mirënjohje dhe respekt jo vetëm për suksesin e tij të jashtëzakonshëm, por edhe për faktin që ai kurrë nuk ka “bërtitur” për arritjet e tij. Modestisht ka vazhduar dhe vazhdon të punojë e shërbejë plot përkushtim në profesionin më human.  Faleminderit doktor!

@FlasShqip