Komunitet

Nga ujesjellësi i Durrësit tek ai i Torontos. Ardian Radovicka, inxhinieri i pasionuar pas pikturës  

  • Published in Komunitet

Intervistoi: Taulant Dedja

Ardian Radovicka, inxhinieri i talentuar shqiptar i diplomuar Master ne “La Sapienza” në Romë, ish-drejtori i Ujësjellësit të Bashkisë Durrës në vitet më të vështira të tranzicionit, aktualisht menaxher i disa projekteve në Divizionin e Ujësjellësit në Bashkinë e Torontos, tregon për FlasShqip rrugëtimin e jetës së tij nga Shqipëria në Kanada. Për Ardianin, i cili dallohet për natyrën pozitive e inkurajuese, gjithçka arrihet me vullnet e dëshirë, madje edhe ndonjë përmirësim i mundshëm i vetes.

Ardiani ka arritur të balancojë profesionin që do me pasionin e hershëm për pikturën. Ai nuk i ka lënë penelin e telajon të zënë pluhur, përkundrazi u ka dhënë jetë duke realizuar qindra tablo të arrira.

FlasShqip ka fatin e mirë të ketë kontakte të vazhdueshme me inxhinier Radovickën, për shkak të natyrës së tij bashkëpunuese dhe entuziaste për të çuar përpara projekte komunitare pjesë e të cilave ai është prej kohësh. Në kuadrin e aktiviteteve të ACE Society, ai madje ka orientuar plot të rinj drejt rrugës së integrimit profesional në tregun kanadez të punës.  Meqënëse Ardiani është një nga emrat e propozuar për në Këshillin Koordinativ të Diasporës, redaksia përfitoi nga rasti t’i hyjë më thellë jetës së inxhinierit, në ndonjë rast duke e pyetur mirë e mirë edhe për rrënjët.  

Dhe vërtet, përveçse inxhinier dhe piktor, kush është Ardian Radovicka?

Ardian Radovicka: Unë jam me origjinë nga Kolonja. Gjyshi im ishte oficer karrierë që u angazhua në Luftën Nacional-Çlirimtare si komandant i Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër. Në vitin 1948 pushkatohet nga regjimi komunist. Unë kam lindur në Tiranë dhe kur isha i mitur, familjen time e transferuan në Shijak për arsye biografie. Prindërit e mi ishin mësues të nderuar dhe edukuan tek motra dhe unë dëshirën për dije, thjeshtësinë dhe dashurinë për njerëzit. Babai im ishte një burrë i kulturuar dhe me pasion të veçantë për letërsinë, artin dhe shkencën.

Kam përshtypjen se ke plot ngjashmëri me babain tuaj, apo jo?

Ardian Radovicka: Me kalimin e viteve, konstatoj që po i ngjaj atij jo vetëm fizikisht. Unë që në moshë të mitur pata pasion të vecantë vizatimin dhe pikturën. Shkoja rregullisht në rrethin e vizatimit dhe në studiot e piktorëve në Shijak dhe dhe Durrës. Hapa disa ekspozita personale si dhe mora pjesë në ekspozitat e piktorëve të Durrësit duke fituar edhe çmime.

Dhe nga pikturat kaluat tek inxhinieria…? 

Ardian Radovicka: Po, në vitin 1985 u diplomova inxhinier hidroteknik në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Politeknik të Tiranës. Pasi u diplomova, kam jetuar në Durrës dhe punuar në Ujësjellësin e Durrësit. Drejtova Ndërmarjen si dhe mjaft projekte të Bankës Botërore në vitet 1992-2000. Në vitin 2002 përfundova një Master në Mekanikën e Lëngjeve si dhe në Menaxhim/Planifikim Burimesh Ujore në Universitetin “La Sapienza”, Romë, Itali. Më tej, kam kryer edhe shumë specializime profesionale. Më pas kam punuar disa vite në Tiranë dhe kam qenë dhe pedagog i jashtëm në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. 

Pas gjithë këtyre specializimeve si ndodhi që vendosët të vinit në Kanada? Çfarë bëre fillimisht?

Ardian Radovicka: Erdha në Kanada në mesin e vitin 2006. Sapo erdha u fokusova në tre drejtime: anëtarësim në Shoqatën e Ujësjellësve të Ontarios, liçensim nga PEO, dhe punësim. U bëra anëtar aktiv i Shoqatës së Ujësjellësve të Ontarios që është degë e Shoqatës së Ujësjellësve të Amerikës. Fillova të aplikoj dhe të telefonoj drejtuesit që ishin anëtarë të Shoqatës së Ujësjellësve. Ndërkohë u intervistova dhe dhashë dy provime për liçensimin si inxhinier profesionist. Nëpërmjet Agjensisë SISO që asistonte Bashkinë e Hamiltonit u punësova si inxhinier i huaj në trajnim (një pozicion i përkohshëm). 

Pas sa kohësh arritët të fitonit statusin e profesionistit njëlloj siç kishit qenë në Shqipëri?

Ardian Radovicka: Pas disa muajsh pune intensive në Hamilton, fitova pozicionin e përhershëm të manaxherit të projekteve. Përfitova mjaft në aspektin profesional duke punuar pranë një inxhinieri me shumë përvojë. Në 2009 u liçensova si inxhinier profesionist nga Shoqata përkatëse e Inxhinierëve të Ontarios.

Po në Bashkinë e Torontos kur u zhvendosët dhe çfarë bëni aty ekzaktësisht?

Ardian Radovicka: Në vitin 2013 u transferova në Bashkinë e Torontos në Divizionin e Ujit, ku merrem me modelime hidraulike të sistemit të furnizimit dhe shpërndarjes. Vlerësoj kapacitetin e sistemit dhe propozoj përmirësime të infrastrukturës dhe investime kapitale për të përballuar zhvillimet e vrullshme urbane në Toronto. Gjithashtu drejtoj teknikisht dy studime: i pari për modelimin hidraulik të rrjetit shpërdarës dhe i dyti, për analizimin dhe mbrojtjen e sistemit nga fenomeni i grushtit hidraulik. 

Dukeni i realizuar në profesion Ardian. Po pasioni juaj? Çfarë bëhet me pikturën?

Ardian Radovicka: Gjithmonë e kam dashur profesionin tim. Mund të them që në jetë kam bërë atë që kam dashur dhe kam dashur atë që kam bërë. Pas disa vite shkëputje, i jam rikthyer pasionit të vjetër, pikturës, e cila ka luajtur një rol shumë pozitiv në gjëndjen time të brendshme shpirtërore. E ushtroj atë gjatë kohës sime të lirë në Don Valley Art Club dhe në Galerinë Figurative Artusiasm.

Si ia keni arritur realizimit të qëllimeve? Të gjeni kohën, mundësitë, t’u përkushtohesh gjërave që doni me kaq intensitet?

Ardian Radovicka: Mendoj që pa një ndryshim personal nuk është e mundur të realizosh qëllimet që ke në jetë. Në këtë drejtim kam punuar mjaft duke sfiduar shpesh dhe veten. Mundësitë janë të pafundme. E rëndësishme është të ekzistojë dëshira për të parë përtej dhe për të identifikuar "the blind spots" që na pengojnë seriozisht në rrugëtimin tonë. Ka qenë mjedisi familjar, i punës, leximi dhe ndjekja e programeve të specializuara, të cilat kanë ndikuar në rritjen time. Landmark Forum ishte një investim tepër i vlefshëm për të cilin secili prej nesh ka aq nevojë dhe do t’ja sugjeroja çdokujt. Fillova të bëhem më i ndjeshëm, më pak difensiv dhe më tolerant në jetën time. Mësova të fal veten dhe të tjerët për gjërat që më kishin shkaktuar në të kaluarën. Fillova të identifikoj pengesat dhe të krijoj duke qëndruar jashtë zonës sime konfidente. Goxha punë më është dashur për të reduktuar dhe kontrolluar egon, e cila na shkakton mjaft probleme në marrëdhëniet tona me të tjerët. Fillova ta shoh botën dhe jetën në një këndvështrim tjetër, më shpirtëror.

Besimi te vetja dhe sidomos besimi te Zoti, ndikuan mjaft që unë të jem ky që jam. Jeta në këtë stad nuk bëhet më e lehtë, pa strese, pa probleme. Në fakt ndonjëherë ato janë edhe me të mëdha se më parë. Por duke ndryshuar veten dhe mënyrën si unë shoh botën përreth, unë "i mirëpres problemet" si gjëra që do duhet të ndodhin për një arsye dhe si stacione të rëndësishme të rrugëtimit tim. "Nëqoftëse ju ndryshoni mënyrën e shikimit të gjërave, gjërat do të ndryshojnë për ju" do të thoshte me të drejtë Wayne Dyer. Ndjekja e pasionit të pikturës, gjëndja ime emocionale dhe energjia që më karakterizon e konfirmojnë më se miri këtë ndryshim.  

Jeni propozuar si kandidat për në Këshillin Koordinativ të Diasporës dhe me këtë status aktual, do donim mendimin tuaj mbi zhvillimet e fundit në lidhje me raportet mes shtetit shqiptar dhe diasporës

Ardian Radovicka: Megjithëse kam mjaft rezerva ndaj politikëbërjes së Tiranës, jam i prirur ta shoh si shenjë pozitive legjislacionin e miratuar së fundi. Mesa duket është parë nga Tirana zyrtare që nuk mund ecej më gjatë në këtë rrugë paradoksale ku Diaspora vazhdon të kontribuojë financiarisht në shtetin amë, por jo me ide dhe akoma më tej me përfaqësim. Shpesh thuhet që 1/3 e popullsisë dhe një pjesë e trurit është larguar nga Shqipëria. Pyetja që shtrohet në këtë rast është: a e ka luksin Shqipëria të vazhdojë në rrugën e saj pa konsideruar mendimin e Diasporës? Po të ekzistojë dëshira dhe vullneti, rrugët e bashkëveprimit mendoj që gjenden dhe përfitimi për të dy palët do të ishte i shumëfishtë.

Si mund të kontribuojë diaspora në atdhe dhe si duhet të kontribuojë shteti për diasporën? A duhet të marrë pjesë diaspora në votime?

Ardian Radovicka: Eshtë fakt i mirënjohur tashmë që ligji aktual proporcional ka prodhuar në vazhdimësi parlamentet më të dobët të tranzicionit. Sistemi zgjedhor mazhoritar i pastër, i aplikuar ne Kanada, duket që promovon personalitete me integritet personal dhe kontribute në komunitet dhe jo vasalë partiakë që mbase nuk i njohin as në lagje. Diaspora jo vetëm duhet të votojë në zgjedhjet e përgjithshme, por ajo duhet të përfaqësohet në parlament në varësi të popullsisë që është jashtë vendit. Shqipëria do të bëhet vetëm atëherë kur Shqiptarët e të gjitha trojeve brenda dhe jashtë kufijve do të kenë zërin e tyre. Diaspora i ka të gjitha potencialet intelektuale që të kontribuojë në përgatitjen e një Strategjie të Bashkimit Kombëtar.

Çfarë mund të bëhet më shumë për ruajtjen e identitetit shqiptar në emigracion si dhe për promovimin e kulturës dhe trashëgimisë shqiptare për ta bërë atë më të prekshme për shoqerinë kanadeze? 

Ardian Radovicka: Me kënaqësi konstatoj që komuniteti ka dëshirë dhe krenari të veçantë në promovimin e kulturës dhe trashëgimisë shqiptare. Një vitalitet i admirueshëm mund të shihet në larminë e aktiviteteve kulturore-artistike. Vlen të përmendet sidomos puna që bëhet me fëmijet në drejtim të mësimit të gjuhës Ssqipe, grupi i valleve “Shqiponjat e vogla”, apo Festivali i Talenteve të reja të Rrugës Marlee. Mjaft autorë si Turtulli, Kapllani, Hysenbegasi, Tarelli etj. kanë promovuar librat e tyre. Gjithashtu instrumentistë dhe grupe orkestrale ushtrojnë aktivitetin e tyre në Toronto e më gjërë.

Ekspozitën e piktorëve të Torontos me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë e realizuam në bashkëpunim me piktorin dhe skulptorin e mirënjohur të ndjerin Hytbi Tarelli dhe kujdesin e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze. Qysh atëherë menduam ta vazhdojmë këtë traditë të vyer. Ka disa muaj që po organizoj realizimin e një ekspozitë të piktorëve shqiptarë me banim në Toronto, Montreal, Brampton dhe Halifax. Ky aktivitet, që do të mbahet në mesin e Nëntorit përkon me muajin e trashëgimisë shqiptare dhe vitin mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Mendoj madje se ka ardhur koha e organizimit të krijuesve dhe artistëve në një organizëm kulturor. Kjo gjë do të kontribuonte më tej në promovimin e letërsisë dhe artit tonë kombëtar në metropolin kanadez.

Çfarë do të donit të përcillnit diçka tjetër në mbyllje të kësaj interviste?

Ardian Radovicka: Më lejoni me këtë rast të falenderoj familjen time, miqtë dhe dashamirët për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin tim.