Komunitet

Kanada: Rritet numri i nxënësve në shkollat shqipe

  • Published in Komunitet

Shoqatat shqiptare në Kanada kanë nisur nga puna për regjistrimin dhe fillimin e vitit të ri shkollor të klasave të gjuhës dhe kulturës shqipe.

Kështu më 2 shtator, në Calgary, Alberta për fëmijët e komunitetit shqiptar u çel regjistrimi në Shkollës Shqipe "Foleja e Shqiponjave".  Kompania “Best Buy”, këtë vit partner mbështetës i shkollës i dha mundësinë çdo fëmije të luante me teknologjinë më të fundit si dhe të konsumonin ushqime e pije, gjatë kohës kur prindërit kryenin procedurat e regjistrimit.  Për t’u regjistruar në shkollë duhet plotësuar një formular nga çdo prind përndryshe fëmijët nuk mund të vijojnë mësimin. 

Adriana Fishta Bejko, Kryetarja e Bordit të shkollës “Foleja e Shqiponjave” në një mesazh në Facebook ndër të tjera ka shkruar:

“Rezultate të shkëlqyera në regjistrimet për fillimin e vitit të ri shkollor 2018-2019! Punë e jashtëzakonshme e bordit të mrekullueshëm të shkollës shqipe dhe mbështetje e pafund nga bordi i shoqatës. Kjo tregon se si bashkërendimi i forcave jep rezultatet e duhura. Diaspora e Calgarit po ecën në rrugë të zgjedhura me mend plaku dhe me frymë pozitive mirëkuptimi e bashkëpunimi për të ardhmen e gjuhës dhe traditave tona në mërgim. Lum si ne që kemi njëri-tjetrin! Rregistrimet vazhdojnë edhe në ditën e parë të shkollës, ditën e Diel më 9 Shtator në ora 11 paradite. Ju presim tek Foleja e Shqiponjave.” 

Dita e parë e Shkollës Shqipe ka filluar më 9 shtator, ora 11:00 tek "North Point School for boys" 2445 23 Ave SW. Për prindërit që nuk mundën të regjistronin fëmijët më 2 shtator shkolla u ka dhënë sot mundësinë të kryejnë këtë proces para fillimit të mësimit.

***

Edhe për shqiptarët e Hamiltonit kanë nisur në datën 8 shtator regjistrimet e fëmijëve për në klasat e gjuhës shqipe, që do të fillojnë më 15 Shtator 2018. Shoqata Shqiptare e Hamiltonit si çdo vit merr përsipër të mbështesë procesin e regjistrimit.

***

Ndërsa Ardian Hasanaj, kryetari i shoqatës “Illyria” në Halifax, Nova Scotia, njofton se shkolla shqipe fillon vitin e ri shkollor më datë 22 Shtator 2018 në vendin e njejtë si vitet e kaluara tek St Agnes Church.

Shkolla do të ketë disa risi në mënyrën e organizimit. Drejtuesit e shkollës janë duke punuar që shkollën ta bëjnë sa më atraktive për fëmijët si ata të vegjlit po ashtu edhe të rriturit dhe në të njëjtën kohë ata të arrijnë ta ruajnë gjuhën shqipe dhe të mësojnë për historinë dhe kulturën shqiptare. Regjistrimi i fëmijëve mund të kryhet te sekretarja e kryesisë dhe anëtarja e bordit të shkollës Monavere Llapi.

Suksese fëmijëve shqiptarë!