Komunitet

Vangjush Ziko nderohet me Medalje ari

  • Published in Komunitet

Shkrimtari dhe përkthyesi i njohur Vangjush Ziko është nderuar me medaljen “Për besnikëri ndaj fjalës dhe veprës” me emrin A.S. Pushkin, për përkthimet e poezisë treqindvjeçare ruse në gjuhën shqipe. Kjo medalje i është akorduar përkthyesit Ziko, nga Lidhja e Shkrimtarëve të Rusisë.

Shkrimtari Vangjush Ziko, në pamundësi për të qenë i pranishëm në ceremoninë e mbajtur në sallën e Konferencave “Teodor Laço”, të Universitetit të Korçës, organizuar nga Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Rusi (Dega Korçë) në bashkëpunim me Ambasadën e Federatës Ruse të Republikës së Rusisë, Rektoratin e Universitetit “Fan S. Noli”,  të dielën më 7 Tetor 2018, përshëndeti organizatorët dhe të pranishmit me mirënjohje prej Kanadasë ku edhe jeton prej shumë vitesh.

Në mesazhin e tij, (lexuar prej nipit të shkrimtarit) përkthyesi Ziko me një nostalgji të dukshme në rreshta për kohën e kaluar në tokën ruse në vitin 1951, përçoi ndjesitë më të mira që kish përjetuar, që prej ndërveprimeve të ngrohta me rusët, deri tek godina Nr. 25 e Institutit të letërsisë “Gorki” në bulevardin Tverskoj të Moskës ku kishte jetuar demokrati Hercen.

“Mbi të gjitha, më bënë për vete ato leksione mbi letërsinë dhe kulturën ruse dhe atë botërore; seminaret e krijimtarisë, takimet dhe bisedat me shkrimtarë të njohur të letërsisë ruse apo të huaj si Leonid Leonovi, Mihail Svetllovi, Konstandin Paustovski, Sergej Smirnovi, poeti turk Nazim Hikmeti etj. Më ngrohu bota e madhe e letërsisë, që shpalosnin leksionet dhe bisedat e pasura të tyre. Thitha aromën e gjuhës dhe të kulturës ruse.

Mbi të gjitha, gjeta miq e shokë të mirë si Robert Rozhdestvenskij, Fjodor Suhov, Mihail Vavilin, Arnold Tam, Kiril Kovalxhi, Grig Grigoresku, Riçard Danjecki, Jezha Vollkonski etj. me të cilët më lidhën interesat dhe pasionet e moshës dhe, mbi të gjitha poezia dhe diskutimet krijuese. 

Nuk mund ta harroj udhëheqësin e seminareve të poezisë, poetin Sergej Smirnov, i cili me aq përkushtim dhe dashamirësi më orientoi dhe më udhëhoqi në ato hapa të para të krijimtarisë sime. Ai dinte të zbulonte të veçantën e krijimtarisë të secilit dhe ta inkurajonte. Siç thoshte ai shpesh, nuk merrte përsipër të na bënte poetë, por të na mësonte se si nuk duhej shkruar.

Ruaj me mall kujtimet nga Peredjellkinoja, qyteza e shkrimtarëve, ku, bashkë me studentët e tjerë të Institutit “Gorki”, kishim rezidencat tona konviktore, në vilat e shkrimtarëve që nuk jetonin më. Në kujtesën time mbetet e dashur vila Parfjonov që më strehoi e ku më ngrohu në dimrat e gjatë muri i nxehtë i furrës ruse. Atje, i rrethuar nga pishat e gjelbra dhe aroma e tyre e shëndetshme, nisi rrugëtimin e përkushtuar frymëzimi im rinor. Ishte fat që në fqinjësi me ne ishin vilat e shkrimtarëve të njohur të kohës, të cilët jo vetëm na përshëndetnin me dashamirësi gjatë shëtitjeve të tyre, por vinin shpesh dhe bënin biseda interesante me ne mbi sekretet e krijimtarisë në mjediset e mencës sonë. Në Peredjellkino zbulova natyrën e virgjër ruse, bukurinë përrallore të dimrit dhe ngjyrat e ndezura të vjeshtës së artë ruse.

Të shumta janë kujtimet e mia mbresëlënëse nga Bolshoi Teatri, nga MHati, Teatri Vahtangov dhe Teatri i Satirës, nga Galeria Trediakovski, nga Cirku rus etj. etj.

Jam i lumtur që këtë detyrim kaq të madh moral dhe profesional ndaj letërsisë, artit dhe kulturës ruse munda ta shlyej pjesërisht me përkthimet e mia në gjuhën shqipe.
Janë plot tetë vëllime: Lirikat dhe Dramaturgjia e Pushkinit; Lirikat e Eseninit, Lirikat e Eftushenkos, katër vëllimet e Antologjisë tematike të Poezisë Lirike Ruse nga fillimi i shekullit të tetëmbëdhjetë dhe deri në fund të shekullit të njëzet: “Treqind vjet dashuri”, “Këmbana e mbrëmjes”, “Tokë e dashur” dhe “Pegasi rus”. Çdo vëllim është i shoqëruar me studimet, analizat dhe komentet e mia. Vetëm në të katër këto vëllime janë zgjedhur dhe përfshirë rreth 500 poetë dhe mbi 700 poezi, pa përjashtuar asnjë rrymë apo metodë letrare. Këtë poezi treqindvjeçare e bënë poetët rusë me zemër të ndjeshme dhe shpirt të madh patrioti, me kulturë artistike dhe shije të vërteta estetike. Përulem me respekt të thellë ndaj Poezisë ruse, ndaj mjeshtrave të mëdhenj të kësaj poezie: Pushkinit, Majakovskit, Eseninit, Brodskit etj. Këto përkthime u bënë një shkollë e vërtetë mjeshtërie për mua"- theksoi Ziko.

Më tej ai nënvizoi se i ishte thellësisht mirënjohës gjuhës ruse, zotërimi i së cilës, i dha mundësinë e paçmuar për të lexuar letërsinë e madhe ruse si dhe atë botërore të përkthyer prej saj, të navigojë lirshëm në faqet e internetit dhe të jetë në kontakt të vazhdueshëm me më të rejat e letërsisë dhe të mendimit estetik dhe filosofik bashkëkohor botëror dhe rus si dhe me poezinë e sotme ruse.

Në fund të fjalë së tij shkrimtari dhe përkthyesi Vangjush Ziko falenderoi Lidhjen e Shkrimtarëve të Rusisë për këtë nderim dhe vlerësim të lartë e të vyer që i bëri, duke i përshëndetur e përqafuar të gjithë me mall që nga Kanadaja.