Komunitet

Çfarë note i vë mërgatës shqiptare në Kanada mësues Rushan Xhaferi?

  • Published in Komunitet

Intervistoi: Taulant Dedja

Rushan Xhaferi, mësues i gjuhës frënge në Montreal për emigrantët e sapoardhur në Quebec, i përket atij brezi të rinjsh shqiptarë që pasi mbaroi studimet e larta në Shqipëri, iu drejtua sërish shkollimit, por këtë rradhë jashtë vendit. Për më gjerësisht rreth rrugëtimit të jetës së tij, FlasShqip sjell rrëfimin dhe refleksionet e mësuesit të talentuar shqiptaro-kanadez, i cili prej më shumë se një dekadë jeton në metropolin frankofon sëbashku me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij Stella dhe Eva.

Ku u formua më tej Rushan Xhaferi në fushën e studimeve të gjuhës frënge? Cilat kanë qenë arsyet e vendimmarrjes tuaj për t’u larguar nga Shqipëria?

Fillimi i shekullit të 21 ishte një moment kyç në Shqipëri, ku një pjesë e studentëve pasi mbaronin studimet e larta aty shikonin gjithmonë jashtë kufijve një shpresë më të madhe për t’u (mirë)formuar akademikisht. Ah! Ne kemi menduar gjithmonë, dhe jo pa arsye, se shkollat “e jashtme” ishin gjithmonë më të mira.

Pasi kreva katër vjet shkollë të lartë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, u gjenda në Gjenevë për një katër vjeçar tjetër. Në atë kohë, shpresa e çdo të riu ishte të formohej jashtë vendit për të kontribuar më së miri apo për të «rregulluar» vendlindjen. Në delirin tonë të madhështisë, ne mendojmë se jemi të gjithë Skënderbe dhe Ismail Qemal, sidomos kur vijmë nga Vlora. 😊  

Cilat ishin përshtypjet nga Universiteti i Gjenevës, krahasuar me atë shqiptar ?

Kur hyra për herë të parë në Universitin e Gjenevës ngela pa fjalë. Një ndërtesë e tillë ndillte respekt dhe dëshirë për t’ja arritur. Tualetet ishin shumë herë më të pastra se ambientet e Filoqylit. Sallat e klasave, tepër moderne, më krijonin një lloj sikleti të pashpjegueshëm. Në katet e sipërme gjendej një bibliotekë madhështore. Kur je mësuar të të bëj karrigia zhurmë, e ke të vështirë të adaptohesh në një ambient kaq të ndryshëm. Adaptim. Një nga kriteret që është më i nevojshëm për integrim... Por ne e keqvlerësojmë adaptimin dhe nuk i japim kohën e duhur duke kaluar deri në nënvlerësim. Mu desh një javë për të kuptuar që sallat e kurseve ishin të gjitha të shkruara tek axhenda që mora në fillim të vitit shkollor. Për të marrë një libër në bibliotekë, mu deshën dy ditë sepse i bija rreth e rrotull rafteve. Nuk e kisha idenë se si mund të kërkoja një libër pa ndihmën e punonjëses. Në qoftë se me të pyetur gjen Stambollin, odiseja ime për të gjetur një libër në biblotekë ia vlente që të mos humbisja krenarinë prej shqiptari. « Kush është tepër krenar, poshtërohet kollaj », thonë Grekët. Edhe ndodh që nganjëherë, fqinjët tanë të kenë të drejtë.

Çfarë ndikimi pati Zvicra në jetën tënde ?

Vitet e Zvicrës kaluan si rrufe. Sigurisht, nuk do të të doja kurrë të isha një lopë në Zvicër, për të përmendur një shkrim të vjetër, por me vitet në Gjenevë do kuptoja se nuk do të doja as të isha një banor në Shqipëri. Vajtje-ardhjet e përvitshme në Shqipëri më bënë të gjendesha në një udhëkryq. Zgjidhja e shumë shqiptarëve: imigrim i përhershëm.

Dhe kështu u gjende në Kanada…?

I vetmi vend, i cili ofronte një mundësi të vërtetë imigrimi në vitet 2000 ishte Kanadaja. U gjenda aksidentalisht duke dhënë mësim frëngjisht në shkollë të mesme. Megjithëse kisha diplomën, nuk e kisha menduar kurrë se do isha “presor”. Por mbi të gjitha nuk e kisha menduar kurrë se imigrimi do ishte tepër i vështirë.

E ke fjalën për vështirësitë e integrimit apo ato shpirtërore që shoqërojnë imigrimin?

Bruno Catalano, skulptor francez, me origjinë italiane me veprën e tij “Les voyageurs” (“Udhëtarët", shtëpia e të cilëve nuk është gjë tjetër veç një valixhe), simbolizon boshllëkun që përfaqëson mërgimi kur je i detyruar të braktisësh vendin tënd. Por ky boshllëk nuk është i pranishëm që në fillim. Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë ai merr vendin e tij (që i takon ndoshta) dhe zmadhohet.

Bruno Catalano, “Les voyageurs”

Çfarë bëjnë zakonisht emigrantët shqiptarë për të mbushur këtë boshllëk ?

Mundohemi të mbushim këtë boshllëk duke marrë pjesë në aktivitet e shoqatave shqiptare. Por Festat e Flamurit dhe Çlirimit, të cilat për arsye organizimi (dhe axhende) nuk festohen në datën e caktuar, kthehen më tepër në një sebep për disa persona që të bëjnë sadopak biznes dhe « famë » sesa në një mundësi të vërtetë për të takuar shqiptarë të tjerë. Këto janë të pamjaftueshme për të mbajtur gjallë unitetin e Shqiptarëve imigrantë. Takimet në kafe, sidomos pranë metrosë Monk, janë një vend thashethemexhinjsh ku shan i pari të dytin, me kusht që ky i fundit mos të jetë i pranishëm, por dhe ai do të ketë rastin për të sharë një të tretë. Shqipëri hesapi në mes të Montrealit! Mungesë integrimi apo dëshirë për të ruajtur disa zakone shqiptare? Ndoshta të dyja.

Si e sheh integrimin e shqiptarëve në Quebec?

Integrimi afatgjatë është i pashmangshëm, sidomos për brezin e dytë. Si imigrantë që bëhemi më pas qytetarë të këtij vendi ne kemi shumë të drejta. Por harrojmë detyrat e qytetarisë së vendit mikpritës. Janë me qindra shqiptarët që në Montreal që jetojnë me të njëjtin stil jetese si në Vlorë apo në Shkodër a Tiranë. Sigurisht, gjithësecili e ka merituar lirinë dhe të drejtën për të bërë zgjedhjet e veta. Nga ana tjetër, guximi i fillimit (vendimmarrja) për të lënë atdheun si dhe dëshira e madhe për të bërë të tijin një vend tjetër, sikur zhduken në mënyrë të pavetëdijshme, ndoshta për të mos pranuar peshën e madhe të imigrimit. Peshë e cila fillon sa vë hapin e parë në aeroport. Duke mos hedhur poshtë që në shumë raste është edhe mosndërgjegje…

Cila është sipas teje, vështirësia më e madhe në procesin e integrimit të shqiptarëve në një vend tjetër ?

Mendoj se vështirësia e integrimit mbetet mbi të gjitha frika e humbjes së identitetit. Nuk gjen dot një shqiptar që të mos jetë krenar në mënyrë individuale.  Por uniteti humbet kur ky numër kalon dy. Merr tre shqiptarë dhe çoji në mes të Kubës me pushime «tout inclus» dhe ata do ta gjejnë mundësinë të grinden mes tyre. Jo vetëm të grinden, por mos të flasin më. Kjo më bën të drejtoj disa pyetje në mënyrë kolektive. Cilat janë vlerat tona ? Çfarë na bën ne krenar që jemi shqiptarë? A jemi ne në gjendje të mbajmë këto vlera jashtë vendit tonë? Ku është ndryshimi me komunitetet e tjera?  Të pretendosh t’u japësh përgjigje lehtë këtyre pyetjeve është mendjemadhësi. Unë nuk ja arrij dot vetëm.

Kanadaja u jep emigrantëve shqiptarë mes plot të mirave edhe një atdhe të dytë. Po shqiptarët në vlerësimin tënd, çfarë kontibuti mund të japin në Kanada?

Sa më shumë kalojnë vitet, mendoj se brezi i parë i imigrantëve është gjithmonë një brez i humbur, i djegur dhe i sakrifikuar. Sa herë dëgjojmë: «Do vete jashtë shtetit për të ardhmen e fëmijëve». Po ne? Po ne, po jeta jonë? Shumë lehtë e harrojmë veten tonë dhe i pranojmë sakrificat. Miqësitë që bëjmë në mërgim na ngushëllojnë nga mungesa e familjes së afërt.

Të mirat e komunizmit, shumë pak veta i kanë parë, por kishte një të mirë universale që po humbet dita ditës, sidomos në Perëndim, që është grupi, ose më saktë bashkësia, e cila është forca e një komuniteti. Në perëndim kjo vlerë humbet, por jo gjithandej. Shikoj një vend si Kebeku që e ndjen veten ndryshe nga Amerika veriore, dhe me të drejtë. Pyetja që unë i bëj vetes është: A ka një vend për shqiptarët në Kebek ? Çfarë kontibuti mund t’i sjellim ne këtij vendi ? Grekët sollën një ndryshim në menaxhimin e restoranteve (se ndoshta vetëm atë dinin të bënin), italianët kanë influencuar industrinë e ndërtimit (jo gjithmonë për mirë). Ne? Jo shumë. Asgjë.

Një koleg egjiptian u mrekullua kur mori vesh se isha nga Shqipëria. Më foli për Mehmet Aliun dhe pasardhësin e tij Mbretin Farouk. Origjina e tyre shqiptare sikur i solli një afrimitet me mua. Mehmet Aliu pati pas Perandorinë osmane për ta mbështetur për të krijuar themelet e shtetit egjiptian, dhe unë nuk po them se nesër, ose pasnesër, një shqiptar do bëhet Presidenti i Kebekut, por nuk do të habitesha sikur një ditë Kebeku të bëhej shtet dhe në krye të tij të kishte edhe shqiptarë që kishin kontribuar për realizimin e një projekti të përbashkët. Ne e kemi edhe forcën edhe mendjen. Na mbetet ambicja e një projekti të tillë kudo që ndodhemi.

Imigrimi i popullit tonë është i dokumentuar që në kohën e Skënderbeut. Kontributet nëpër botë të personave me origjinë Shqiptare janë gati pa fund, dhe kjo nuk përfshin se çfarë shkruhet në media sociale ku Albert Einstein dhe Georges Washington kanë dalë me pasaportë ose me origjinë shqiptare. Por më seriozisht dhe duke qenë optomist, pa qenë kryeneç, në historinë borërore, edhe ne kemi vendin tonë, sado të vogël, në diell. 

Shkollimi i Rushan Xhaferit

2001 – Fakulteti i Gjuhëve të huaja, Tiranë ;

2006 - Diplôme d’études approfondies (DEA) Institut européen de l'Université de Genève ;

2013 - Master, Administration de l’éducation, Université de Montréal ;

2018 - Diplôme d’études Supérieures Spécialisées (DESS) Administration des affaires, HEC Montréal 

Tetor 2018  ©FlasShqip