Komunitet

Si do ta festojnë shqiptarët e Kanadasë Pavarësinë e Shqipërisë?

  • Published in Komunitet

Festat e Nëntorit po afrojnë dhe për shqiptarët e diasporës ato janë një rast i mirë për t’u mbledhur së bashku. Organizimet e tyre të kujtojnë mbrëmjet festive të para viteve ’90-të, me muzikë dhe tavolinat shtruar, ku pjesëmarrësit kanë rezervuar më herët karrigen dhe pjatën e tyre. Sigurisht që përmbajtja e menusë nuk është një pikë problemi pasi shqiptarët e sotëm janë të ngopur. Madje as çmimet e pjesëmarrjes për të rriturit që variojnë nga 60-100 $ nga provinca në provincë nuk duket se janë problem kur sheh që biletat shiten. Dëshira e të mbledhurit së bashku për të dëgjuar muzikën e artistëve shqiptarë të ftuar në këto organizime, për të bërë fotot e rastit dhe për t’u argëtuar me miqtë duke festuar shqiptarçe janë motivet kryesore, që shoqërojnë motivin themelor; atë të festimit të Pavarësisë së Shqipërisë. Brenda një province ka festa të organizuara nga disa shoqata.

Për shembull, shqiptarët e Montrealit mund të fillojnë festimet që në datë 23 nëntor, duke marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Shoqata e shqiptarëve të Montrealit, Quebec, e cila ka të ftuar këngëtarin Ylli Baka. Më tej mund të vazhdohet në festën e datës 24 nëntor ora 18:00, organizuar nga Shoqata Kulturore shqiptare e Montrealit, e cila nuk ka njoftuar praninë e ndonjë artisti të ftuar. Por diçka të veçantë e ka menduar. Ata që do të kenë mundësi do duhet të vishen në festë me kostumet e trevave të tyre.

Po më datë 24 do të festojnë edhe shqiptarët e Calgary-t, të cilët kanë njoftuar praninë e tre këngëtarëve shqiptarë: Silva Gunbardhi, Dafi dhe Edi Ermeni. Të njëjtët këngëtarë do të kenë kënduar më datë 23 në Edmonton. Atyre do t’u duhet të mos bëjnë shumë pushim meqënëse do të këndojnë në Surrey në datën 25 edhe për shqiptarët e Kolumbisë britanike. 

Ndërsa shoqatat në Toronto njoftojnë mbrëmjen e tyre kulturore nën tingujt e këngëve të Anxhela Peristerit, Valon Shehut, Ervin Bushatit dhe Esad Rexhepit, më 24 nëntor, ora 19.

I njëjti grup këngëtarësh do të marrë pjesë më 25 nëntor në festën që organizon shoqata e shqiptarëve të Londonit.

Gjithashtu shoqata e Hamiltonit ka njoftuar mbrëmjen e saj më 25 nëntor ora 18, me pjesëmarrjen e këngëtarëve Afërdita Demaku dhe Hamdi Raçi.

Së fundi,  shqiptarët në Ottawa do të festojnë më 1 Dhjetor. Organizatorët kanë ftuar këngëtarët Miranda Hashani dhe Edi Ermeni. Edhe këtu si në çdo organizim tjetër duhen kryer rezervimet.

Siç e vini re, festimet do të mbahen në fundjavë, 3-4 ditë para ose pas ditëve të festave. Kjo bëhet thjesht për efekt disponibiliteti të pjesëmarrësve, meqënëse ditët e festave kombëtare shqiptare nuk njihen si ditë pushimi në Kanada.

Ndërkohë si çdo vit, nën kujdesin e Ambasadës së Shqipërisë, në Ottawa, përpara godinës së Bashkisë më 28 Nëntor, si dhe në Toronto më 2 dhjetor përpara godinës së Parlamentit Provincial do të organizohet ceremonia e ngritjes së flamurit kombëtar.

©FlasShqip.ca