Komunitet

Dr. Lulzim Rrafshi nderohet me çmim nga Kolegji Kanadez i Mjekëve të Familjes

  • Published in Komunitet

Nga data 13 deri më 17 Nëntor 2018, është zhvilluar në Metro Convention Centre në Toronto Forumi i Mjekësisë Familjare 2018, aktiviteti më i rëndësishëm vjetor i kësaj fushe i organizuar nën kujdesin e Kolegjit Kanadez të Mjekëve të Familjes.

Në këtë forum, mjeku shqiptar Lulzim Rrafshi është nderuar me çmim karriere (Fellowship) “për angazhimin dhe kontributin e veçantë e me përkushtim ndaj komunitetit dhe kolegëve”. Ky vlerësim u akordohet mjekëve me një minimum shërbimi kohor prej 10 vitesh të cilët e ushtrojnë profesionin me korrektësi në përputhje me rregullat e çertifikimit të disiplinës përkatëse.

Doktor Lulzim Rrafshi me origjinë nga Prishtina, ka studiuar fillimisht mjekësinë në Rumani dhe më pas emigroi familjarisht në Kanada në kohën e Luftes së Kosovës në vitin 1999. Prej vitit 2005 ai është i licensuar në Kanada në fushën e mjekësisë familjare. Aktualisht është anëtar i Kolegjit të Mjekëve të Ontarios dhe e ushtron profesionin në London të Ontarios. Ai është gjithashtu Profesor i Asociuar në Departamentin e Mjekësisë Familjare në Schulich School of Medicine and Pharmacy, University of Western Ontario.

Për doktor Lulin, sfida e integrimin si mjek profesionist në Kanada ka qenë një rrugë e mundimshme e plot sakrifica, rrugë në të cilën ai nuk u dorezua kurrë, falë vullnetit të tij të jashtëzakonshëm. Njëkohësisht duke u përgatitur për provimet e parashikuara për mjekët e ardhur nga jashtë Kanadasë, ai ka punuar edhe si vullnetar në klinikat mjeksore në Halifax apo në ato në shërbim të aborigjenëve të Nova Scotia e më pas edhe në spitalin rajonal të Sydney-t. Sakrifica dhe mundi i tij shpërblyen në vitin 2002, kur pas një konkurimi shumë egzigjent për një numër të kufizuar vendesh, ai pranohet si specializant në Family Medicine Residency Program pranë Dalhousie University, Halifax. Nga përfundimi i specializimit më 2005, ai ka punuar pa ndërprerje si mjek familjar dhe mjek i shërbimit të urgjencës fillimisht në Halifax e më pas, prej vitit 2008 në London Ontario ku ka hapur klinikën e vet.

Kujtojmë që Dr. Luli Rrafshi është propozuar nga Shoqata Shqiptaro-Kanadeze “Iliria” London, për ta përfaqësuar komunitetin shqiptaro-kanadez në Këshillin Koordinativ të Diasporës, përbërja e të cilit ende nuk është shpallur nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë.

@FlasShqip.ca