Komunitet

Kur suksesi vjen prej punës së palodhur!

  • Published in Komunitet

Intervistoi: Jeta Dedja

Teuta Haxhillari është një grua për të cilën ia vlen të shkruhet. E diplomuar në degën Inxhinieri Ndërtimi në Tiranë, pas 8 vitesh përvoje pune në Shqipëri, ajo emigron në Kanada. Falë këmbënguljes dhe punës së palodhur, Teuta energjike, entuziaste, e suksesshme, bujare, mbështetëse, e guximshme, shumë shpejt arriti të korrë suksese. Ka plot cilësi të fituara gjatë viteve, por edhe të edukuara që prej fëmijërisë nga prindërit. Prej babait ekonomist ka fituar nuhatjen për biznes, ndërsa prej nënës mësuese, humanizmin dhe përkushtimin ndaj nismave që ndërmerr. Teuta, përveç arritjeve personale ka kontribuar për atdheun edhe në Kanada, përmes respektimit të simbolit kombëtar. Ajo dha kontribut të rëndësishëm në ngritjen e flamurit shqiptar për herë të parë në Toronto në vitin 2008.   

Teuta ka moto të jetës një nga thëniet e çmuara të Nënë Terezës: “Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe”.

Teuta, më trego pak pse vendose të emigroje në Kanada në një kohë që edhe në Shqipëri kishe një status të mirë ekonomik e social?

Në vitet ‘90-të së bashku me bashkëshortin Renard Haxhillari mbaruam studimet në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Pas 8 vitesh punë në sektorin shtetëror dhe privat ne vendosëm të emigronim në Kanada. Megjithëse në atë moment puna jonë ishte në lulëzim, vendosëm të largoheshim. Djali do të fillonte klasën e parë. Shumë familje shqiptare i nisën fëmijët në Angli për t’u shkolluar, po unë nuk isha gati për këtë lloj shkëputjeje. Por meqënëse shkolla e fëmijëve ishte prioriteti ynë i asaj kohe, vendosëm të shkojmë në Kanada dhe natyrisht fillimi nuk ishte i lehtë.

Në ç’aspekt patët vështirësi më të mëdha?

Vështirësia më e madhe ishte të arrije të krijoje të njëjtin nivel ekonomik, arsimor, kulturor dhe social.

Çfarë bëtë për t’ia dalë mbanë?

I hymë shkollës sërish. Im shoq nisi studimet Master of Applied Science në Toronto University. Ndërsa unë Real-Estate College dhe njëkohësisht duhet të punoja. Bleva një Illy café në St.Lawrence (një nga tregjet më të vjetra në Toronto, 1803). Ishte eksperienca e parë në Toronto dhe pas një pune shumë të madhe arritëm të vlerësoheshim tre vite rresht nga “Toronto Life Magazine”.  si një ndër kafet më të mira në Toronto.

Pasi mbarove kolegjin, vazhdove me biznesin e kafesë apo e vure në punë diplomën kanadeze?

Po menjëherë u përfshiva në industrinë imobiliare. Aktualisht jam Real-Estate Broker me Re/max, kompania më e madhe në këtë industri.

Po yt shoq, Renardi, me çfarë merret?

Renardi ushtron profesionin e Inxhinierit të Ndërtimit në projektim dhe suksesi i tij është një shembull i shkëlqyer si i plot shqiptarëve që emigruan dhe u integruan në mënyrë dinjitoze në Kanada.

Sa e kënaqur je me punën që bëni?

Jam shumë e kënaqur për çfarë kemi arritur. Unë kam arritur sukses në profesionin tim duke u nderuar me “Hall of fame “dhe “Lifetime Achievement” nga Re/max duke u renditur në 1% e Agjenteve në botë. Këtë javë një nga shtëpitë që kam për të shitur u vlerësua si shtëpia e javës nga “Toronto Life Magazine” 

https://torontolife.com/real-estate/houses/toronto-house-for-sale-175-the-kingsway/ 

dhe më parë https://torontolife.com/real-estate/houses/toronto-house-for-sale-25-great-oak-drive/?fbclid=IwAR2TDGJahdPs2QboOeNGiZk_iq6OChNganNtyeRhqv3gcR_DUNFkuRN24A4

Sa të ka ndihmuar profesioni i inxhinieres për të patur sukses në këtë industri? 

Të qënit inxhiniere më ka dhënë avantazh të madh në punën që bëj dhe ndihem mirë që njohuritë që mora në 5 vitet e Fakultetit të Tiranës më ndihmuan aq shumë. Kjo është një nga pikat e forta të mia unike. Unë kam aftësinë për të konceptuar hapësirën nga një plan i thjeshtë në atë më të ndërlikuarin.  Ky vizion më mundëson të kuptoj llojin dhe stilin e shtëpisë që po kërkohet duke ju kursyer kohë dhe propozuar pronat e duhura që ju përshtaten dhe përmbushin kërkesat e klientëve. Dhe çfarë është më e rëndësishmja çmimin e vlerës së tyre.

Teuta më lejo që lexuesve shqiptaro-kanadezë t’u bëj me dije mënyrat e kontaktimit me ty, në rast se kanë ndër mend të blejnë, të shesin, të marrin me qira apo të investojnë në tregun imobiliar.

 

Teuta dhe Renard Haxhillari së bashku me fëmijët e tyre Rei dhe Tea, çdo vit japin një kontribut të rëndësishëm për studentët shqiptarë. Përmes RH Scholarship, ata ofrojnë bursa për studentët e shkëlqyer. Vetë fëmijët e çiftit Haxhillari kanë shkëlqyer në shkollë. Rei pasi përfundoi me rezultate maksimale degën e biznesit, tani ndjek juridikun, ndërsa Tea, vazhdon studimet Master në degën Biznes. Të frymëzuar ndoshta prej fëmijëve të tyre, për të cilët ndihen krenarë si për arritjen e tyre më të madhe të jetës, Teuta dhe Renardi, organizojnë për edukimin aktivitete filantropike dy herë në vit. Por kontributi i tyre për shqiptarët nuk mjaftohet me kaq. Në pjesën më të madhe të aktiviteteve kulturore-artistike të shqiptaro-kanadezëve, zor se mungon sponsorizimi nga familja Haxhillari.

                                                     Nëntor 2018 

©FlasShqip.ca