Komunitet

“Nuk shkruaj, por shkruhem”-Intervistë me shkrimtarin Artan Gjyzel Hasani

  • Published in Komunitet

Intervistoi: Jeta Dedja

Nëse vërtet je shkrimtar

shkruaj vetëm…

shkruaj veten…

vetëm shkruaj…

Dhe ashtu si në këto vargje të shkëputura nga poezia “Nëse vërtet je shkrimtar”, autori Artan Gjyzel Hasani, vjen po kaq i vërtetë për FlasShqip. Personalisht Artanin e mbaj mend si gazetar shumë vite më parë, e më vonë i kam lexuar vëllimet me poezi e romanet e tij. Impresionet e para më konfirmohen vazhdimisht në çdo krijim të Artanit. Si kryeredaktore e FlasShqip e kam kënaqësi që të sjell për lexuesin diçka përtej krijimtarisë së Artan Gjyzel Hasanit. Nuk është aspak një intervistë shteruese, (askush nuk do mundej të realizonte një të tillë), më tepër një intervistë e thjeshtë e njerëzore ashtu siç është profili i shkrimtarit shqiptaro-kanadez.  

Artan, si të duket moti i Torontos, në këndvështrimin krijues?

Toronto pothuajse nuk ka pranverë, por një periudhë të shkurtër që nuk mund të quhet stinë, kur lulet lulëzojnë krejt papritmas mes një peizazhi shpesh me dëborë të pistë anës rrugëve. Shumë rrallë mund të të rastisë të gjesh lule me aromë këtu. Qielli i dimrit më të shumtën e kohës është në një ngjyrë plumbi jo edhe aq frymëzuese. Por vjeshta kanadeze mund të jetë më e bukura në botë. Mahnitëse. Në gjethet e të njëjtës pemë mund të gjesh dhjetra nuanca të ngjyrave. Vjeshtë tepër poetike.

Si ndjekëse e rregullt e jotja, po kuptoj se kjo duhet të jetë arsyeja e shpërthimeve të krijimeve e postimeve në Facebook gjatë vjeshtës. Le të kthehemi pas në kohë e të kujtojmë se çfarë ke shkruar për herë të parë?

Ka qenë një ditar me vjersha naive dashurie.

Për fat, 3 prej tyre FlasShqip i ka publikuar. Për kureshtje lexuesi mund t’i gjejë në këtë linkhttp://flasshqip.ca/komunitet/zona-e-krijuesve/1848-privilegj-i-genjeshtert-kolazh-poetik-nga-artan-gjyzel-hasani Për kohën kur janë shkruar kanë qenë pak të guximshme. Kush i lexonte i pari krijimet e tua?

Lexuesi im i parë ka qenë im atë, i cili deri sa vdiq nuk pati besim në talentin tim letrar. Në varësi të vendit dhe kohës kur janë shkruar “lexuesi i parë” kanë qenë njerëz të ndryshëm, shokë e miq, të dashura ose njerëz të rastit që në atë çast janë ndodhur pranë meje. Por sot gjërat kanë ndryshuar. Në epokën e facebook qëllon që “lexuesi i parë” të jenë mijëra të panjohur njëherësh…

Je ndjerë i motivuar apo inkurajuar për të vazhduar të shkruash pas komenteve të lexuesve të parë?

Nuk besoj se kam pasur nevojë për inkurajim nga ndokush në rrugën e krijimtarisë. Vjen si trokitje nga brenda dhe e vetmja gjë që të mbetet të bësh është hapja e derës…

Ma përshkruaj pak proçesin e të shkruarit, zakonet që ke, “manierat” që të karakterizojnë kur shkruan.

Unë shkruaj dhe lexoj shtrirë. Nën tinguj muzike dhe tymi duhani. Ndonjëherë edhe pak konjak. Nuk filloj të shkruaj asgjë nëse nuk më ka feksur në tru shkëndija. Dhe ajo feks më mirë në errësirë, ndaj unë shkruaj zakonisht natën.

Në cilën gjuhë shkruan/nuk shkruan? Pse? 

Ndodh diçka e pashpjegueshme brenda njeriut në një vend të huaj. Pas qëndrimit për shumë vite në Greqi e kapa veten duke menduar në greqisht. Ky është një moment i çuditshëm dhe interesant që të krijon një gjëndje të panjohur më parë me të cilën duhet mësuar. Dhe mendimet i konvertojmë në mënyrë të natyrshme jo nga gjuha jonë amtare, por nga ajo gjuhë në të cilën mendojmë.

Kështu, vëllimi “Misioni Paranoik” në origjinal është shkruar në greqisht dhe pastaj m’u desh ta përktheja në shqip për ta botuar në Shqipëri. Kjo gjë nuk më ka ndodhur në Kanada me gjuhën angleze. Mbase ngaqë anglishtja nuk më duket gjuhë poetike. Sigurisht, mund të shkruaj letërsi edhe në anglisht, por e di fort mirë që diçka brenda meje do e sabotonte këtë ndërmarrje që në fillim.

Poezia jote që të pëlqen ta dëgjosh të recituar?

Ndërsa shkruaj një poemë unë e dëgjoj në mendje ritmikën dhe tingëllimën e saj të recituar. Nëse kjo nuk ndodh, kuptoj që ka diçka që nuk shkon në ato vargje dhe i vë kryq. Mund të përzgjidhja disa prej poemave të mia, por “Atdheu pa tabu” do më pëlqente ta dëgjoja të recituar. Eshtë një poemë e vështirë, një aritmi ritmike në vargje, nëse do i referohesha gjëndjes sime poetike kur e kam shkruar.

Më lejo t’i bëj një ftesë dhe sfidë publike aktorëve shqiptaro-kanadezë ta recitojnë poemën madhështore “Atdheu pa tabu” ndërkohë që FlasShqip mundëson publikimin audio dhe video të saj. http://flasshqip.ca/komunitet/zona-e-krijuesve/1879-atdheu-pa-tabu-nje-poeme-politikisht-jokorrekte-nga-artan-gjyzel-hasani

Po proza që nuk ka ardhur ende, cila është?

Një sagë familjare. Eshtë një borxh i madh moral që duhet shlyer para vdekjes.

Si ka ndikuar e kaluara, historia e familjes në krijimtarinë tënde?

Fati dhe jeta e njerëzve më të dashur lënë gjurmën më të pashlyeshme në vetëdijën tonë. Ajo që ne e quajmë “e shkuara” është në fakt e tërë jeta jonë dhe këtë gjë ne e kuptojmë ditën e fundit të jetës. Në këtë këndvështrim është e pamundur që gjurmët e tyre të mos pasqyrohen në krijimtarinë letrare.

Ke shkruar shumë për nënën, dhe jam e bindur që asnjë lloj pyetje që mund të të bëj, nuk do të mund të nxjerrë rolin e saj në jetën tënde. Por më thuaj diçka për nënën tënde?

Kam shkruar shumë për nënën, por gjithnjë mbetet diçka pa thënë. Kam marrë shumë dashuri nga nëna ime. Ka pasur një shpirt jashtëzakonisht të bukur dhe ka qenë ëngjëlli im mbrojtës. Kur sjell ndërmend tërë jetën e saj mendoj se, përtej buzëqeshjes së syve, fisnikërisë dhe mirësisë së pafund që rrezatonte, brenda shpirtit ka pasur një jetë dramatike me një fund tragjik. E gjeta në koma, por kur ia kapa dorën e ndjeva shtrëngimin e saj. Akoma e ndjej edhe sot pas kaq vitesh. Ndjeva të kalonte tërë jeta e saj dhe e imja në atë mpleksje gishtërinjsh. Fillova të besoj në Zot pas vdekjes së saj. Kur iku nga kjo jetë mori me vete një pjesë të mirë timen dhe më la prapa dritën e saj të kaltër. Të mjaftueshme për të sfiduar mungesën. Një kordon umbelikal që nuk pritet kurrë. Kërthiza e shpirtit. Çdo mëngjes unë i them nga larg dy fjalë “Më fal” dhe “Faleminderit”. Këto dy fjalë formojnë kryqin para të cilit unë bie në gjunjë. Nuk ia fshiva dot lotët nënës sime dhe ky është pengu im më i madh…

E ndjej nga gjithë sa më the dhimbjen por dhe mirënjohjen që të shoqëron në këtë prani dhe mungesë. Cilat janë disa nga tiparet e tjera karakteriale që të bëjnë ky që je?

Kjo është një pyetje e gjerë, por mund të përmendja spontanitetin, të qënurit i drejtpërdrejtë, dëshirën për të provokuar besime të patundura të njerëzve, përpjekja për ta zhveshur zemrën nga perçja e mendjes, gjëra që jo rrallë janë keqkuptuar, edhe në jetë, edhe në krijimtari…

Çfarë ke marrë nga babai yt? 

Nga im atë kam marrë shumë, veçanërisht dashurinë për njerëzit dhe librat, dhe aftësinë për të shndërruar ndjenjat në vargje.

Përtej faktorit trashëgimi, pse shkruan ti Artan? 

Kjo është jo vetëm një pyetje klasike e intervistave, por edhe një pyetje që çdo autor ia bën vetes në një moment të jetës së tij. Në çdo rast i jam përgjigjur kësaj pyetje shkurt: “Nuk shkruaj, por shkruhem.”

Në thelb, shkruajmë një monolog, siç quhet ndryshe dialogu me veten, dhe ia servirim të tjerëve pa kushte. Përgjigja e kësaj pyetje ndryshon me kalimin e viteve për një autor. Si rishtarë në letërsi mendoj se shkruajmë për të impresionuar të dashurën, familjen dhe shokë të afërt. Në një stad të mëvonshëm shkruajmë për të pasur librin tonë të parë dhe për t’ia treguar vetes, pasqyrës dhe botës. Me kalimin e viteve gjërat ndryshojnë. Ti piqesh si shkrimtar dhe nis të shkruash letërsi të mirë, por bindesh që libri yt nuk mund të ndryshojë fatin e botës apo të librarisë ku shitet. Ky është momenti kur lexuesi yt aktual dhe adhuruesi i asaj që ti shkruan e humbasin rëndësinë në sytë e tu, dalin në plan të dytë dhe vendin e tyre e zë Koha dhe lexuesit hipotetikë të së nesërmes.

Ç’mendon për konkurset e krijimeve apo ndarjet e çmimeve?

Konkurimi letrar është një absurditet që nuk i shërben letërsisë, por vanitetit të autorit. Arti nuk mund të trajtohet si një garë sportive. E çfarë është një çmim letrar? Tre katër persona bien dakort që X vepër qënka më e mira. Por për cilindo autor të botës do gjëndeshin një tufë personash që do t’i jepnin çmimin e madh të letërsisë. Në këtë kuptim edhe juritë e këtyre konkurimeve janë po aq qesharake dhe groteske. Mendoj se i vetmi çmim që ka kuptim për një autor është çmimi i karierës për korpusin e tij letrar në garë me kohën. Çdo çmim tjetër mund të të bëjë celebrity, por kurrë shkrimtar.

E megjithatë ti a ke konkuruar ndonjëherë apo a ke marrë ndonjë çmim?

Unë nuk konkuroj. Eshte kundër konceptit tim për shkrimtarin. (E kam bërë veç një herë, siç bëjmë eksperiment me kaviet, për të vënë në provë ndershmërië e pretenduar të një jurie të pandershme. Më rezultoi që asnjëri prej 5 antarëve të jurisë nuk e kishte lexuar dorëshkrimin e romanit tim.)

Si do të ishte më mirë të organizoheshin shkrimtarët shqiptarë në Kanada, ose çfarë mund të bëhet për të mbështetur këtë vlerë të komunitetit shqiptar?

Në Kanada ekziston një komunitet i gjërë krijuesish letrarë me krijimtarinë e të cilëve jam njohur rastësisht kohët e fundit falë portalit tuaj dhe gjej rastin t’ju falenderoj për këtë.  Unë jam kundër kolektivizmit të shkrimtarëve në grupime apo shoqata që sipas traditës së njohur shqiptare shpejt kthehen në klika qokash qesharake. Shkrimtarët nga vetë natyra janë qënie solitare dhe çdo përpjekje për ta ndryshuar këtë ligjësi do dëmtonte ata vetë në rradhë të parë bashkë me letërsinë që shkruajnë.  Por nga ana tjetër jam pro tryezave në të cilat shkëmbehen mendime rreth zhvillimeve letrare dhe problematikave dhe aktiviteteve promovuese të autorëve shqiptaro-kanadezë, dhe nuk e kam fjalën për takime qesharake letrare në bazë kulisash dhe qokash mediokre, siç ka ndodhur rëndom në Toronto. Një shtëpi botuese dhe një librari për autorët shqiptarë të Kanadasë do ishin një investim me vlerë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare në Kanada.

Cila është fjalë e parë që të vjen ndër mend kur të them Shqipëri?

Një biletë avioni.

Po fjala e parë që asocion me Kanadanë?

E grisura e biletës së avionit që përmenda më lart.

Më përcakto me tre fjalë shoqërinë Kanadeze?

Tolerante, mendjehapur dhe atdhetare.

Çfarë vendi zë Shqipëria në jetën tënde?

Të njëjtin vend që zënë prindërit e mi që prej kohësh nuk jetojnë më. Sa më shumë më mungojnë fizikisht, aq më shumë të pranishëm janë shpirtërisht…

Së fundi më thuaj Artan, si ndihesh në Kanada?

Duke ushtruar shqipen folklorike, do të thoja herë “si veshka mes dhjamit”, herë “si peshku pa ujë”. Jetesa në Kanada të mundëson komfortin e domosdoshëm material dhe qetësinë relative financiare, të bën të ndjehesh i respektuar, të fal paqe dhe të lejon të jesh vetvetja. Është vërtet fat të jetosh këtu. Por vjen ai momenti kur ulesh për një gotë me miq kanadezë me të cilët të lidh rastësia, por jo kujtime të përbashkëta dhe ndjen mungesën e atyre pak miqve të vjetër që ndodhen përtej oqeanit. Gjëra të tilla ndjehen shumë kur je në dekadën e gjashtë të jetës…

Toronto, Dhjetor 2018

©FlasShqip.ca