Komunitet

Ambasadori Ermal Muça rrëfen në FlasShqip mbi marrëdhëniet Shqipëri-Kanada

  • Published in Komunitet

Intervistoi: Jeta Dedja 

Flas Shqip në këtë fundviti ka intervistuar Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Ottawa Z. Ermal Muça, i cili ka më tepër se dy vite që përfaqëson diplomacinë shqiptare në Kanada. Z. Muça vjen pas një karriere si Drejtor i Protokollit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, më herët si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll, Sekretar i Parë i Ambasadës së Shqipërisë në Ankara, Turqi, e në pozicione të tjera të shërbimit diplomatik shqiptar.

Në Kanada, ai është dalluar për intensitetin e aktiviteteve sidomos me komunitetin shqiptar në gjithë provincat kanadeze ku jetojnë shqiptarët. Të rralla janë rastet kur në organizimet e mëdha të shqiptarëve me raste festash të mungojë Ambasadori Muça.

Në këtë bisedë ne do të synojmë të sjellim për lexuesit tanë disa përgjigje mbi çështjet kryesore që janë në fokus mes dy vendeve sa i përket raporteve 30-vjeçare, diplomacisë parlamentare, tregtare e komunitare Shqipëri-Kanada. 

I nderuar Ambasador, FlasShqip ju ka ndjekur vazhdimisht në punën tuaj. Ju kemi parë tepër aktiv dhe pozitiv në takimet mes miqsh e kolegësh. A janë kështu edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kanadasë?  

Në kuadër të veprimtarisë së përditshme, krahas takimeve të shumta me zyrtarë dhe drejtues departamentesh të institucioneve qëndrore, kam patur mundësinë të zhvilloj takime me autoritete të larta sipas çështjeve me interes të ndërsjellë ndër të cilët Sekretarin Parlamentar të Ministres së Punëve të Jashtme, Sekretarin Parlamentar të Ministrit të Tregëtisë Ndërkombëtare, Sekretarin Parlamentar të Ministrit të Zhvillimit Ndërkombëtar, Zëvendësministrin e Tregëtisë Ndërkombëtare, i cili vitin e kaluar mbajti dhe fjalën e rastit në emër të qeverisë kanadeze gjatë koncertit për nder të 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve, si  dhe shumë të tjerë. Po ashtu, kam patur nderin të zhvilloj biseda të veçanta me Ministren e Punëve të Jashtme, Kryeministrin si edhe Guvernatoren e Përgjithshme sipas formatit të parashikuar gjatë aktiviteteve të organizuara nga protokolli vendas. Besoj se kjo frymë pozitive u pasqyrua edhe në pjesëmarrjen e gjerë të autoriteteve vendase, anëtarëve të parlamentit, trupit diplomatik, zyrtarëve të “Global Affairs Canada”, përfaqësuesve të shoqërisë civile e sigurisht diasporës sonë, në pritjen e dhënë nga përfaqësia me rastin e 106-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ku qeveria federale u përfaqësua nga Ministri i Migracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë, z. Ahmed Hussen, i cili mbajti edhe fjalën e rastit nga pala kanadeze, krahas Sekretarit Parlamentar të Ministres së Jashtme, z. Leslie. Në përputhje me agjendat, udhëzimet dhe objektivat përkatëse po punojmë për realizimin e disa vizitave të nivelit të lartë në sezonin në vijim.  

Si për shembull? Kush do ta vizitojë Shqipërinë apo kush nga autoritetet shqiptare mund të vizitojë Kanadanë së shpejti? Mund ta thoni këtë për ne? 

Është përcjellë pranë palës kanadeze ftesa e Kryetarit të Kuvendit drejtuar homologëve të tij në parlamentin kanadez, çka do të pasohet me komunikimin tonë të duhur në këtë drejtim, për të mundësuar realizimin e saj në vendin tonë apo Kanada, sipas mundësive dhe hapësirave.    

Ok, bukur. Po gjatë vitit që po lëmë pas, cilat kanë qenë vizitat e nivelit të lartë mes dy vendeve?

Marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve janë karakterizuar nga takime të nivelit të lartë si edhe shkëmbim vizitash, në përputhje me interesin reciprok të dy vendeve. Kështu, janë realizuar takime në nivel Kryeministri dhe Ministri të Punëve të Jashtme në kuadër të pjesëmarrjes në aktivitete shumëpalëshe si Samiti i NATO-s, Samiti i Frankofonisë apo takimi i OSBE. Po ashtu, gjatë këtij viti, ka vizituar Kanadanë Ministri i Shtetit për Diasporën, i cili krahas aktiviteteve të shumta ku ka marrë pjesë dhe takimeve me diasporën, ka zhvilluar takime të veçanta me autoritete të larta në nivel provincial e federal, përkatësisht kryetarin e Asamblesë Legjislative të Ontarios, Ministren e Shtetësisë dhe Emigracionit të së njëjtës provincë, Ministrin e Teknologjisë dhe Inovacionit si edhe Ministrin e Shtetësisë, Migracionit dhe Refugjatëve të Kanadasë. Në nivel të qeverisjes vendore ka vizituar Montrealin Kryetari i Bashkisë së Tiranës i cili krahas të tjerash ka zhvilluar një takim zyrtar me Kryetaren e Bashkisë së këtij qyteti. Zyrtarë të niveleve drejtuese të “Global Affairs Canada” kanë vizituar vendin tonë dhe zhvilluar takime në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme si edhe me përfaqësues zyrtarë dhe të organizatave të shoqërisë civile, ndërsa ka vizituar trupat e FA të Shqipërisë, të cilat shërbejnë në misionin shumëkombësh paqeruajtës në Letoni, të drejtuar nga Kanadaja, Kryeministri Trudeau.

 

Çfarë është realizuar gjatë këtij viti sa i përket diplomacisë parlamentare?

Diplomacia parlamentare përbën një fushë të rëndësishme të veprimtarisë së përfaqësisë ku gjatë vitit që po lëmë pas, krahas takimeve me kryetarin e Dhomës së Komunave, kryetarin e Komitetit të Punëve të Jashtme dhe Zhvillimit Ndërkombëtar, anëtarë të shumtë e të nderuar të parlamentit dhe senatorë, një delegacion parlamentar shqiptar ka marrë pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila ka zhvilluar punimet në Halifax. Zhvillime pozitive janë shënuar edhe sa i përket bashkëpunimit në kuadër të organizatave ndërkombëtare, ku në vijim të punës së bërë në këtë drejtim, Kanadaja ka mbështetur disa kandidatura të vendit tonë, ku së bashku me shprehjen publike të mirënjohjes, dëshiroj të veçoj së fundmi mbështetjen për kandidaturën e Shqipërisë për marrjen e kryesimit të OSCE 2020. 

Z.Muça, në dijeninë time, Kanadaja ka qenë një vend që ka shprehur herët interesimin për bashkëpunim ekonomik-tregëtar me Shqipërinë në  sektorin minerar dhe atë të lëndëve djegëse. Në ç’pikë është ky bashkëpunim? Çfarë po bën përfaqësia shqiptare për të afruar kompanitë kanadeze në Shqipëri?

Sa i përket bashkëpunimit ekonomik, për thellimin e mëtejshëm si edhe diversifikimin e tij, përfaqësia synon realizimin e një diplomacie ekonomike proaktive dhe jemi të fokusuar në targetimin e kompanive vendase dhe ndërkombëtare, të cilat operojnë në sektorë të tillë si ai energjitik, nisur edhe nga potencialet që ekzistojnë në këtë drejtim sa i përket burimeve të energjisë ujore, diellore, të erës, naftës dhe gazit, në sektorin minerar, sektorin e agrikulturës, manifakturës, pjesëve të këmbimit, turizmit dhe ICT.

Gjatë vitit që po lëmë pas, megjithë vështirësitë logjistike që imponojnë distancat e mëdha, kemi vizituar dhjetëra kompani në provincat Ontario, Quebec, British Columbia, Alberta dhe Prince Edward Island, disa prej këtyre misioneve ekonomike organizuar nga përfaqësia dhe disa nga “Global Affairs Canada”. Gjatë këtyre vizitave dhe takimeve të veçanta, krahas njohjes nga afër me veprimtarinë e kompanive në fjalë, është përcjellë informacion mbi mundësitë dhe potencialet për investime në vendin tonë, si edhe lehtësirat e ofruara në kuadër të sistemit konkurues të taksave për investitorët në përgjithësi dhe lehtësive për investimet strategjike sipas parashikimeve të kuadrit ligjor në veçanti. Po ashtu, sipas interesimit dhe potencialeve të interlokutorëve, është përcjellë informacion mbi zonat ekonomike dhe ato të zhvillimit prioritar. Krahas vizitave të drejtpërdrejta në kompani dhe autoritetet zyrtare federale, janë zhvilluar takime edhe me drejtuesit e agjencive të biznesit, ndër të cilat Dhoma e Tregëtisë së Ontarios, Dhomës e Tregëtisë së Kanadasë dhe Agjensia e Zhvillimit Ekonomik (EDC). Në provinca si Ontario, Saskatchewan dhe Alberta, janë zhvilluar takime me autoritetet më të larta të legjislativit dhe përfaqësues të qeverisë provinciale, përkatësisht Ministrive të Tregëtisë apo Bashkëpunimit Ekonomik, ndërsa në Prince Edward Island krahas autoriteteve përgjegjëse për zhvillimin e tregëtisë, janë realizuar takime edhe me Lejtënant Guvernatoren dhe kryetarin e qeverisë së provincës. Në këto takime, si edhe me kryetarët e bashkive të vizituara (Vancouver, London, Regina, Ottawa e Montreal), eksplorimi i potencialeve dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomiko-tregëtar përbën një nga çështjet kryesore të trajtuara.

Rëndësi të veçantë, përfaqësia i kushton evidentimit, promovimit si edhe forcimit të lidhjeve e komunikimit me kompanitë e themeluara dhe të drejtuara nga bashkëatdhetarët tanë të suksesshëm, të cilat përbëjnë jo vetëm ura të forta lidhjeje e komunikimi me biznesin vendas, por edhe potenciale të rëndësishme sa i përket shtrirjes dhe zgjerimit të aktivitetit të tyre në Atdhe. 

Sa ka qenë niveli i shkëmbimeve tregëtare mes dy vendeve vitin e fundit? 

Sa i përket shkëmbimeve tregëtare ndërmjet dy vendeve, sipas të dhënave të publikuara për vitin 2017 vlerësojmë të rëndësishëm e tejet inkurajues trendin në rritje të shifrave të eksporteve dhe importeve ndërmjet vendit tonë dhe Kanadasë krahasuar me një vit më parë duke arritur përkatësisht në shifrat 12,638,745 milion dollarë dhe 24,233,571 milion dollarë.   

Kosova dhe Kandaja sapo kanë nëshkruar Marrëveshjen për Nxitjen dhe Mbrojtjen e Investimeve të Huaja (FIPA). Po Shqipëria kur do ta nënshkruajë, duke ditur që negociatat përfunduan në 2013?

Pasurimi i bazës ligjore të bashkëpunimit dypalësh me interes të ndërsjellë, përbën një objektiv të rëndësishëm të punës së përfaqësisë. Avancimi i mëtejshëm, përfundimi i procedurave të duhura për përgatitjen për nënshkrim të marrëveshjes për Nxitjen dhe Mbrojtjen e Investimeve të Huaja (FIPA) përbën, një prej temave të trajtuara në takimet me interlokutorët përkatës, ku krahas rishikimit të legjislacionit vendas për investimet e huaja, pala jonë ka marrë në shqyrtim edhe aneksin e përcjellë së fundmi nga pala kanadeze. 

Një tjetër marrëveshje për të cilën shqiptaro-kanadezët kanë një interes të veçantë është ajo e sigurimeve shoqërore. Kemi një datë se kur mund të nënshkruhet ajo? 

Në bashkëpunim të ngushtë e komunikim intensiv me palën kanadeze, një tjetër marrëveshje e rëndësishme, ajo e sigurimeve shoqërore ka kaluar në disa nga hallkat e duhura në nivel federal dhe me miratimin e të dy palëve të detajeve teknike të fundit për të cilat po punohet edhe këto ditë, jam i lumtur të bëj me dije se i është hapur rruga nënshkrimit brenda një kohe të shkurtër. Aktualisht, po vijojmë komunikimin për dakordimin e përbashkët të modaliteteve të nënshkrimit të saj.

Së fundmi, përfaqësia ka iniciuar gjithashtu, fillimin e procedurave për arritjen e një marrëveshje të transportit ajror, e cila krahas të tjerash është e nevojshme dhe do të lehtësojë edhe lidhjen me fluturime direkte ndërmjet dy vendeve tona.                             

I nderuar Ambasador, sapo na dhatë dy lajme shumë të mira. Urojmë të procedohen sa më shpejt. Tani le të flasim pak për vlerat e Shqipërisë sonë të dashur. Çfarë ka bërë ambasada shqiptare për promovimin e tyre në Kanada, sigurisht krahas bashkëpunimit me komunitetin?  

Puna për promovimin e turizmit, vlerave tona kombëtare dhe Shqipërisë është karakterizuar nga një aktivitet i gjerë e i larmishëm ku krahas komunikimeve me kompaninë e mirënjohur “Airtransat” e operatorë turistik, disa prej të cilëve me pronarë anëtarë të suksesshëm të diasporës sonë, është shoqëruar me aktivitete dhe ekspozita të shumta në këtë vit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut me pjesëmarrje të gjerë të autoriteteve e publikut kanadez,trupit diplomatik e diasporës, ndër të cilat: ekspozita me librat antikë, koleksion i londinezes Patricia Nugee mbi Gjergj Kastriotin Skënderbeun, ekspozita fotografike “Kontributi i gruas në zhvillimin e shoqërisë shqiptare”, çelur në Asamblenë Legjislative të Ontario-s, Bashkinë e Ottawa dhe rezidencën e ambasadës sonë, mbrëmje kulturore dhe ekspozitë me veprat e skulptorit të ndjerë Hytbi Tarelli dhe interpretimin e mjeshtrit Augustin Cin Simoni, ekspozitat “Colours of Albania” çelur në Ottawa e Montreal, kjo e fundit gjatë ceremonisë “Nderim për Nënë Terezën”, pjesëmarrja dhe mirëpërfaqësimi me muzikë, valle kombëtare me kostume popullore si edhe ushqim tradicional e broshura dhe materiale promovuese për Shqipërinë në “Ottawa Welcomes the World” organizuar nga Bashkia e Ottawa dhe panairin ndërkombëtar kulturor e të ushqimit organizuar nga “Global Affairs Canada”. Ceremonia e ngritjes së Flamurit Kombëtar në Asamblenë Legjislative të Ontario-s, në bashkëpunim me organizatat e diasporës në këtë provincë, besoj se u kthye në një festival kulturor me debutimin e grupit të valleve “Fluturat” nga Hamiltoni dhe ekspozitën me punimet e artistëve shqiptaro-kanadezë. Ndërkohë, koncerti i organizuar nga ambasada në Galerinë Kombëtare të Kanadasë me rastin e 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve me muzikë nga kompozitoret tanë, kanadezë e të huaj përcjellë në mënyrën më profesionale nga “Trio Fammus” dhe prani të gjerë të autoriteteve dhe publikut vendas, trupit diplomatik dhe komunitetit shqiptar mendoj se pati një jehonë dhe impakt tejet pozitiv në prezantimin e artit dhe kulturës sonë kombëtare në Kanada. Me këtë rast, krahas mirënjohjes së veçantë për të gjithë angazhimin dhe kontributin e organizatave të diasporës në provinca të ndryshme dhe aktivistëve vullnetarë ndër komunitetin shqiptaro-kanadez në mbarë Kanadanë në këtë drejtim, dëshiroj të përcjell, nëpërmjet FlasShqip, të gjithë gatishmërinë dhe vullnetin e mirë të përfaqësisë sonë për të bashkëpunuar në këtë drejtim, duke mbështetur me materiale të nevojshme, bashkëorganizuar apo vënë në dispozicion ambientet e përfaqësisë sonë për promovimin e artit dhe kulturës shqiptare, por jo vetëm.     

       

Kohët e fundit është publikur nga INSTAT një raport mbi të dhënat e diasporës shqiptare. Vumë re që aty mungonin shifrat mbi diasporën shqiptaro-kanadeze. Ju si përfaqësi keni ndonjë shifër zyrtare?

Si një urë e fortë, e vazhdueshme dhe e pazëvendësueshme në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, diaspora shqiptare në Kanada përbën një nga shtyllat e aktivitetit të përfaqësisë. Referuar të dhënave të censusit më të fundit sa i përket shqipfolësve në Kanada përcillet të jenë rreth 28 mijë, duke na kujtuar dhe njëherë sa rëndësi ka mësimi i gjuhës ndër brezin e ri, ndërkohë, në takimet zyrtare është pohuar edhe nga autoritetet vendase prania e një komuniteti me origjinë shqiptare prej rreth 60 mijë vetësh.  Shërbimi Konsullor Online “SHKO” i cili krahas lehtësive të tjera realizon automatikisht së bashku me aplikimin edhe regjistrimin e aplikuesit, po jep rezultate thelbësore dhe ndihmon ndjeshëm në krijimin e një baze të qëndrueshme të dhënash në këtë drejtim.

Së fundi, pas gjithë atyre aktiviteteve të zhvilluara nga organizatat e diasporës, por edhe nga takimet e iniciara prej jush, cilat janë impresionet tuaja për shqiptarët e Kanadasë?

Ambasada ka ndjekur me kujdes, organizuar takime dhe aktivitete të përbashkëta si edhe marrë pjesë në aktivitete të shumta të organizuara nga organizatat e diasporës në qytete e provinca të ndryshme nga bregu në breg, ndërsa takimi me komunitetin, sipërmarrësit shqiptaro-kanadezë dhe vizitat në klasat ku mësohet gjuha shqipe janë elementë të pashmangshëm të vizitave të mia kudo në Kanada. Pas pajisjes me abetare dhe libra të gjuhës për nxënësit e shqipes në Toronto, Montreal e Ottawa vitin e kaluar, vetëm gjatë këtij viti, janë pajisur me këto libra nxënësit e klasave të mësimit të gjuhës në London, Hamilton, Vancouver, Edmonton, Regina, Halifax dhe Calgary, ndërsa ky angazhim do të vijojë edhe gjatë vitit të ardhshëm duke nisur me Kitchener e vijuar me Windsdor, Manitoba etj. Duke përfunduar, nisur nga eksperienca e përjetuar gjatë takimeve të shumta si edhe e bashkëpunimit dhe aktiviteteve të përbashkëta me organizatat e diasporës dhe komunitetin shqiptaro-kanadez, dëshiroj të theksoj se jam tejet i impresionuar nga fryma pozitive e pranishme si edhe gatishmëria dhe vullneti për të kontribuar si në ruajtjen e promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar, ashtu edhe në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tejet miqësore dhe bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë. Ndaj ndihem me fat dhe tejet i privilegjuar të kem mundësinë të bashkëpunoj me të gjitha mundësitë për realizimin e këtij misioni fisnik me diasporën tonë të mrekullueshme në këtë vend mik.    

Duke ju uruar suksese të përzemërta, përfitoj nga rasti t’ju përcjell ju dhe nëpërmjet Flas Shqip të gjithë shqiptarëve, miqve të Shqipërisë dhe atyre vendas urimet më të mira për këtë sezon festash dhe suksese e begati në Vitin e Ri 2019! Gëzuar! 

Faleminderit i nderuar Ambasador që ndatë me FlasShqip punën dhe përshtypjet tuaja përgjatë vitit 2018. Urojmë që viti 2019 t’ju gjejë sërish sa më  të angazhuar dhe të keni suksese e arritje profesionale në dobi të Atdheut tonë, Shqipërisë.  

 

Dhjetor 2018    ©FlasShqip