Komunitet

Shkrimtari shqiptaro-kanadez Përparim Kapllani në faqet e Toronto Star

  • Published in Komunitet
Photo by (ANDREW FRANCIS WALLACE / TORONTO STAR)
Nga: Sandro Contenta

Gazetari Sandro Contenta i "Toronto Star" ka intervistuar shkrimtarin shqiptaro-kanadez Përparim Kapllanin mbi romanin e tij të fundit “The Thin Line” botuar nga “Mawenzi House”. Varianti origjinal i artikullit gjendet në linkun

https://www.thestar.com/news/gta/2019/01/01/novelist-and-pizza-shop-owner-perparim-kapllani-serves-up-a-slice-of-the-past.

FlasShqip sjell të përkthyer në shqip artikullin për bashkëpunëtorin e rregullt e të palodhur të portalit, shkrimtarin Përparim Kapllani.

"Përparim Kapllani e hap picerinë e tij çdo mëngjes në orën 11 dhe e mbyll pas 12 orësh. Këtë punë bën në 7 ditë të javës gjatë dhjetë viteve të fundit, pa llogaritur pushimet e shkurtra.

Deri këtu nuk ka asgjë të pazakontë. Por Kapllani, i cili ka ardhur nga Shqipëria në vitin 2000, xhoglon mrekullisht në të njëjtën kohë punën e tij të dytë. Ndërkohë që bën pica dhe u shërben klientëve, Kapllani ngucet aty pas, në një zyrëz jo më të madhe se dollapi ku mbajmë fshesën. Ai ulet në një tryezë të vogël dhe e zhvendos fokusin e tij “bash si një lepur” mes dy ekraneve: tek njëri mund të shohë hyrjen e klientëve në dyqan, tek tjetri, i lidhur me desktopin e tij, shkruan fjalinë e rradhës të romanit që ka në dorë.

“Ka momente gjatë ditës kur mund të shkruaj diçka” thotë Kapllani.

Që kur e hapi lokalin e tij "Albany Gourmet Pizza" në zonën perëndimore të Torontos në vitin 2008, Kapllani i ka rrëmbyer mjaft momente të shkurtra punës për të shkruar ndonjë skenar, seri me novela dhe dy romane. Romani i fundit i titulluar “The Thin Line”, është botuar në nëntor nga shtëpia e njohur botuese “Mawenzi House”.

“Po të mos ishte për picerinë, do duhej të kisha publikuar çdo vit nga një roman”-shprehet Kapllani.

Ai vjen nga Ballkani, një gadishull i Europës juglindore, i cili është gdhendur nga perandoritë dhe fuqitë rajonale ndër shekuj. Konflikti i vitit 1998-99 mes Serbisë, një shteti ortodoks dhe Kosovës me popullsi shqiptare kryesisht muslimane përbën sfondin e romanit “The thin Line”.

Ky roman është bazuar në historinë e vërtetë të një djali 10-vjeçar nga Kosova, i mbijetuari i vetëm i një prej masakrave të forcave serbe në prill të ’99-tës. Djaloshi ishte dëshmitar okular i ekzekutimit me vdekje të 20 grave dhe fëmijëve shqiptarë brenda shtëpisë, përfshirë nënën dhe tre motrat e tij. Vetë djali u plagos, por mbijetoi duke u shtirur sikur kishte vdekur. Në atë kohë, djali bashkë me të atin përfunduan në Kanada si refugjatë.

Historia e tij e dhimbshme është dokumentuar tashmë më së miri- ai ka qenë dëshmitar në Gjykatën e Hagës për Krimet e Luftës krijuar nga Kombet e Bashkuara për ish-Jugosllavinë. Kapllani kërkon të mos përmendet emri i vërtetë i personazhit të tij, meqënëse në roman ndërthuret historia reale me trillin artistik.

“Është një histori me shërim tepër të ngadaltë”, thotë Kapllani për personazhin kryesor të romanit.

“Fantazmat e njerëzve të tij të dashur, të vdekur, e ndjekin. Çfarë të bëjë?

Romani i Përparim Kapllanit është redaktuar nga M.G. Vassanji, një shkrimtar, fitues dy herë i çmimit Giller Prize. Vassanji shprehet se në libër reflektohet eksperienca traumatike e refugjatëve të ardhur në Kanada, si dhe vlerat kanadeze të cilat ndihmojnë të kapërcehen ndjenjat e hakmarrjes.

“Ti s’mund të falësh faktin që të vranë para syve nënën dhe motrat, por ti mund ta hedhësh të kaluarën pas krahëve dhe t’ia nisësh jetës nga e para- shprehet Vassanji në një intervistë.

“Fakti që ti mund ta bësh këtë tregon diçka rreth cilësisë së shoqërisë sonë”, shton ai “që ti mund të bëhesh ai që je dhe që të jepet mundësia të rritesh e të gjesh veten”

Kapllani shkroi fillimisht për djalin kur punonte si gazetar për gazetën më të madhe të asaj kohe në Shqipëri, Shekulli. Djali ishte një nga 900,000 shqiptarët e Kosovës të përzënë nga forcat serbe. Kapllani e takoi atë në kohën kur ai mjekohej në spitalin ushtarak. Aia u identifikua me dhimbjen e djaloshit.

Kapllani është rritur në Elbasan, një qytet në mes të Shqipërisë komuniste. Në moshën 10 vjeçare ai humbi të atin në rrethana që kurrë nuk u sqaruan. Ajo që dihet është që i ati iu gjet i vdekur në mes të rrugës me një frakturë në kokë, pas shumë vitesh vuajtjeje të shëndetit mendor.

Shteti e dërgoi familjen e Kapllanit në një dhomë të një ndërtese të njohur si “pallati i peshkut”, meqënëse në katin e parë të tij tregëtohej peshk.

“Atje jetonin 28 familje, të cilat ndanin së bashku 5 banjo”-kujton Kapllani. “Ishte një makth”

Me ndihmën e një burri, i cili kishte njohje të mira në qytet, Kapllani hyri në shkollën e mesme ushtarake ku u diplomua si oficer artilerie. Kur sistemi komunist u përmbys, ai u bë gazetar te “Shekulli”.

Ai mbulonte sektorin e kronikës dhe njëherë iu desh të fshihej pas ekspozimit të të inkriminuarve në çështjet e pastrimit të parave në industrinë e ndërtimit.

Gjithashtu ka qenë dëshmitar i tmerreve të luftës në Kosovë.

 “Si mund të ndodhë në mes të Europës vetëm sepse kanë besime fetare apo kombësi  të ndryshme?-thotë Kapllani.

Ai erdhi në Kanada me gruan dhe djalin si emigrantë. Bashkëshortja e tij është inxhiniere kimiste, e cila punon për një kompani prodhimi medikamentesh, i biri është diplomuar në degën Inxhinieri Industriale në Universitetin e Torontos.

Pasi punoi për vite të tëra në piceri dhe pasi u këshillua nga Toronto Business Development Centre, Kapllani hapi dyqanin e tij në Lansdowne Avenue afër Dundas Street West.

Një burrë i imët, me një buzëqeshje të çiltër, ai shprehet se ka mësuar shumë shpejt se në Kanada, përbuzjet ndaj etnive nuk gjejnë terren.

Shokët e ngushtë të tim biri janë dy vëllezër serbë. Një ditë ata erdhën në shtëpinë tonë, njëri prej tyre kishte veshur një bluzë ku shkruhej “Krenar që jam serb”. Unë shpërtheva: “Çfarë? Kush është ky djalë?”- tregon duke qeshur Kapllani.

“Kanadaja është një minibotë,” shton ai. “Ku çdokush vjen nga diku, diversiteti bëhet kulturë, nuk ka nacionalizëm etnik apo fetar”.

Kapllani do të vazhdojë të eksplorojë këto tema në letërsi, menjëherë sapo të pastrojë miellin nga duart, të shërbejë picën “deluxe” me spec djegës, kërpudha dhe speca jeshilë".  

Përktheu: FlasShqip

Burimi: www.thestar.com

Foto: ANDREW FRANCIS WALLACE/TORONTO STAR