Komunitet

Dr.Adriana Bejko: Diaspora nuk ka nevojë për show dhe as salltanete 

  • Published in Komunitet

Profesoresha e nderuar Adriana Bejko, e cila është një nga kandidaturat e spikatura mes shqiptarëve të Kanadasë, për në Këshillin Koordinativ të Diasporës bën me dije se e ka refuzuar ftesën për pjesëmarrje në Samit. Ajo, përmes një emaili drejtuar ambasadës shqiptare në Ottawa, ka renditur argumentet e vendimit të saj për mospjesëmarrje. Më poshtë ju ftojmë të lexoni reagimin e Dr. Adrianës.

“I nderuar Zoti Ambasador,

Duke ju falenderuar për ftesën, ju njoftoj me keqardhje se nuk mund të marr pjesë në mbledhjen e Samitit për Diasporën, për arsye pune. Megjithatë, dua t'u them se kur organizohen të tilla Samite, ministri i Diasporës dhe kryeministri duhet të mos harrojnë se në diasporë njerëzit punojnë dhe duan kohë të planifikojnë udhëtime kaq të gjata e të kushtueshme për të marrë pjesë në veprimtari të tilla.  

Unë i kisha bërë këto përgatitje për të marrë pjesë në Samit për datën 28 Nëntor, 2018 sepse, si punonjëse arsimi, planifikimet bëhen që në shtatorin e vitit akademik. Fatkeqësisht, qeveria shqiptare nuk i merr parasysh nevojat e përfaqësuesve të Diasporës, para se të marrë vendimet për Samitin e Diasporës. Ministria e Diasporës duhet të kuptojë se ardhja nga Kanadaja kërkon të paktën 10 ditë leje nga puna, pa përmendur këtu shpenzimet pafund që duhet të përballojë pjesmarrësi në Samit. 

Gjithashtu, nëse mund të jap një mendim-ç'është ky shpenzim dhe salltanet marramendës për Samitin? Pallati i Brigadave, salla e mbledhjeve për Samitin me qera të paparë, dreka e darka të shtrenjta!!!!!!

Përfaqësuesit e Diasporës janë bijtë që kthehen në shtëpi.  Ata e dijnë që "nëna" po kalon vështirësi ekonomike dhe janë të përgatitur të hanë "trahananë" e shijshme të nënës, në vend të "pulave të pjekura" që po serviren në këtë Samit!   

Shpresoj se qeveria jonë e nderuar nuk do të hedhë paratë e taksapaguesve pa llogari, por do t'i manaxhojë mirë ato fonde të pakta e të shtrijë këmbët sa ka jorganin. Diaspora nuk ka nevojë për SHOW, por për ulje këmbë-kryq dhe veprime konkrete në lidhje me të drejtën e votës, llogaritjen e pensioneve, mbrojtjen ligjore nga qeveria e shtetit amë, mësimin e gjuhës shqipe të fëmijëve në diasporë, etj.

Një konferencë e diasporës mund të ishte organizuar me "nikoqirllëk" në një palestër të thjeshtë të një shkolle të mesme (apo më të madhe), në një fundjavë (dhe jo në mes jave) dhe duke përfshirë edhe përfaqësuesit e Diasporës në organizimin e Samitit dhe hartimin e rendit të ditës. Në këtë mënyrë, njerëzit do të kishin patur më shumë kohë të diskutonin hallet e Diasporës dhe jo pritje solemne. Mos na bëni të ndjehemi "mysafir" në shtëpinë tonë. Ju lutem!

Duke i uruar suksese Samitit, mbetem me shpresën se vitin tjetër do të kemi një përvojë më të mirë.

Edhe një herë faleminderit për ftesën!

Me respekt

Adriana