Komunitet

Fredi dhe Viorela, çifti shqiptaro-kanadez që di se ç’është miqësia

Intervistoi: Jeta Dedja

Shqiptarët në emigracion kanë histori të ngjashme po aq edhe unike. Në ngjashmëri i bashkon motivi më së shumti, ndërsa dallojnë për nga sakrificat dhe rruga e mundimit drejt suksesit. FlasShqip ka sjellë herë pas here histori personale e familjare të diasporës shqiptaro-kanadeze. Secila prej tyre të mbush me emocion dhe ndjenja pozitive për arritjet e bashkëatdhetarëve në fushat e shkencës apo artit, biznesit apo sportit. Por ka edhe arritje të tjera për të cilat nuk është e nevojshme të merren as çertifikata, as diploma, as medalje e as tituj. Janë arritjet dhe sukseset e njeriut në jetën private e sociale. Janë arritjet që vijnë prej mençurisë ndërpersonale e brendapersonale. Njerëz inteligjentë kam njohur plot në jetë, por më të veçantët dhe të dashurit mes tyre janë ata që gëzojnë këtë mençurinë që përmenda më sipër. Njëlloj si Fredi dhe Viorela, çifti nga Korça, të cilët prej mëse 20 vitesh jetojnë në Toronto.

Ata janë njohur qysh në adoleshencë me njëri-tjetrin, periudhë, kujtimet e së cilës i ndajnë me miqtë me shumë çiltërsi. Edhe pse dashuria e tyre kishte pengesa familjare, ndoshta edhe për këtë shkak ajo u forcua më tepër. “Do vuash për bukën e gojës moj çupë po more Fredin”.“Kështu më thoshin të gjithë- tregon Viorela duke qeshur, por në fakt sot po vuajmë të heqim ca kile prej bukës së tepërt,-shton ajo.

Çiftit simpatik i ka ecur çdo gjë shumë mirë që kur u martuan në Korçë ashtu edhe përgjatë emigracionit të tyre që i ka fillesat në Greqi e më tej në Kanada. Ata nuk dinë të ankohen edhe pse për një dëgjues të historisë së tyre shumë episode mund t’iu duken tejet sprovuese dhe të vështira. Si për shembull peripecitë e zhvendosjes në një vend ku të parën gjë dhe më të rëndësishmen nuk e ke në xhep-gjuhën e vendit. Apo emigrimi në pjesë i familjes ku fillimisht erdhi në Toronto Viorela me djalin Vasin, i cili ishte 9-vjeç në atë kohë, derisa të bëhej bashkimi familjar me Fredin. Janë disa sakrifica që përveç kohës kërkojnë edhe dashurinë në mes për t’u përballuar. Dhe kjo Fredit dhe Viorelës as nuk u ka munguar dhe as u mungon. Ata kanë ndërtuar bashkë një familje të bukur po ashtu siç kanë ndërtuar së bashku edhe shtëpinë në zonën lindore të Torontos.

Çdo tel e prizë, tullë e dërrasë e kemi vendosur bashkë-thonë ata. Dhe që prej momentit që shtëpia u ngrit në shtëpinë e tyre pothuaj çdo javë ftohen miq për dreka e darka. Fredi dhe Viorela janë të apasionuar pas kuzhinës. Ata kanë ndërtuar enkas një minirestorant brenda shtëpisë, ku kanë edhe një furrë druri për të pjekur picat speciale. Viorela përgatit brumin, Fredi përbërësit dhe pjekjen. Çdo gjë në shtëpinë e tyre është bio. Edhe vera që ata pinë është “Made in Familja Kundraxhi”, dhe për mua “Cabernet Sauvignon” që bën Fredi mban vendin e parë. Megjithatë vlerësimin profesional unë ua lë miqve pijedashës, të cilët pas disa gotave marrin kitarën dhe mikrofonin dhe ia nisin serenatave korçare.

Kur i pyes Fredin dhe Viorelën nëse komshinjtë ankohen për zhurmën gjatë netëve me miq, ata tregojnë se shpesh herë edhe fqinjët e tyre kanadezë u bashkohen tavolinave të tyre me kënaqësi, të cilët gatimeve dhe pijeve shqiptare ua kanë marrë dorën, por akoma nuk kanë mësuar të flasin korçarçe.

Të jetosh mirë në Toronton e çmimeve të larta kërkon të kesh të ardhura të mira. Familja Kundraxhi ka arritur një standard të kënaqshëm falë punës së palodhur. Viorela punon asistente-mësuese e ciklit të ulët, pasi kreu fillimisht studimet për këtë profesion. Ndërsa Fredi fillimisht punoi kuzhinier e më pas kaloi në sektorin e ndërtimit e mirëmbajtjes.

Fredi, ti gatuan kaq mirë saqë të gjithë habiten që e le kuzhinën. Çfarë ndodhi?

Kuzhina të hante kohën e familjes. Vërtet që ndjeja kënaqësi nga puna që bëja dhe merrja mesazhe dhe komplimente nga klientët, por ama kur shkoja në shtëpi nuk çmallesha dot me djalin dhe Viorelën. I gjeja dhe i lija në gjumë. I thashë vetes që në Kanada kemi ardhur për të jetuar më mirë se në Greqi prandaj u drejtova në sektorin po aq fitimprurës të ndërtimit. Toronto ka shumë punë, është qytet ku vetëm ndërtohet dhe meremetohen banesa. Kështu që falë zotit jam shumë mirë dhe i kënaqur. Kam kohë boll si për të punuar ashtu edhe për të shijuar jetën.

Viorela më trego pak si e shijoni jetën?

Ne kënaqemi me njerëzit që duam, djalin, familjarët dhe miqtë tanë. Fati e ka dashur që në Kanada unë të kem edhe motrën me familjen edhe mamanë. Fredi gjithashtu ka vëllanë. Përveç këtyre kemi shumë miq të mirë, të cilët na plotësojnë. Mblidhemi e këndojmë rregullisht. Udhëtojmë në vende të ndryshme të bukura që Kanadaja i ka me bollëk. Kur kishim varkën tonë dilnim edhe për peshkim dhe xhiro në liqen me familjen dhe miqtë.

A të mërzit ndonjëherë Fredi, për shembull kur të sjell në shtëpi frigoriferin e radhës?

Hahahha… ka bërë në plan të blejë frigoriferin e dhjetë. Ne kemi shtëpi të madhe falë zotit dhe nuk bien në sy, por një ditë që po bëja llogaritë kuptova që vërtet e kemi tepruar pak me blerje. Gjithsesi, ca gjëra tolerohen, sidomos kur je edhe vetë bashkëpunëtore në blerje…

Keni lëvizur andej-këndej, çfarë i vlerësoni Kanadasë?

Kanadaja është vendi që na bën të ndihemi komod në gjithçka. Nuk kemi ndrojtje të flasim gjuhën tonë me zë të lartë madje kudo që të jemi, ndryshe nga Greqia ku ndiheshim emigrantë të mirëfilltë. Kanadaja është tashmë shtëpia jonë. Shpesh herë udhëtojmë drejt SHBA tek të afërmit tanë. Atje vërtet ka plot avantazhe në aspektin e çmimeve, por ama mundësitë e Kanadasë janë më të mëdha për njerëzit që duan të punojnë dhe të shijojnë jetën.

Ku e keni udhëtimin e radhës?

Do shkojmë pas dy javësh në Kuba. Kemi qenë herë të tjera dhe përsëri do shkojmë. Ka resorte të mira për të kaluar ca ditë të qeta me diell dhe plazh dhe pa bërë asnjë punë …

Çfarë ju mungon nga Shqipëria?

Kemi ende miq të shtrenjtë në Shqipëri dhe të afërm gjithashtu. Kemi mall, është e natyrshme pasi është vendi ku jemi lindur, edukuar e rritur, por nuk preferojmë ta vizitojmë shpesh për shkak të shumë problemeve në drejtim të shërbimeve gjatë kohës së pushimeve. Sa herë kemi shkuar në Shqipëri me pritshmëri të larta, mezi kemi pritur të kthehemi në Kanada prej zhgënjimit. Duam shumë që atdheu ynë të përmirësohet, por çdo ditë ndjekim programe shqiptare dhe kuptojmë që diçka nuk shkon me politikat atje.

Kam vënë re se djali juaj edhe pse erdhi i vogël në Kanada e flet shumë mirë shqipen, si e keni arritur këtë?

Në shtëpinë tonë ne jemi 100% shqiptarë. Ne flasim e shkruhemi në shqip, gatuajmë shqiptarçe, këndojmë shqip. Vasi është rritur në këtë ambient dhe me dashuri për vendin e origjinës. Madje herë pas here ai na korigjon për ndonjë fjalë që e themi keq në shqip.

Ju si çift keni një aftësi të jashtëzakonshme për mendimin tim sa i përket marrëdhënieve me njerëzit. Keni shumë miq dhe nuk zemëroheni kollaj me të tjerët? Si ia bëni?

Ne nuk preferojmë të rrimë të mërzitur, na pëlqen t’i ruajmë marrëdhëniet e mira me njerëzit e të respektojmë secilin për diferencat që mbartin. Aq më tepër në Kanadanë e multikulturave kjo ka shumë rëndësi. Është pasuri të kesh miq dhe ne duam ta ruajmë këtë pasuri. Na pëlqen të ndihmojmë e t’u gjendemi të tjerëve në nevojë sidomos e aq më shumë në raste gëzimi.

Dhe në fakt kjo është pasuria më e madhe që Fredi dhe Viorela kanë. Të gëzosh respektin e të tjerëve prej sjelljeve të mira njerëzore që shfaq, cilësive të larta si bujaria, mirënjohja, toleranca, bashkëpunimi, çiltërsia e dashuria është për t’u admiruar e marrë si shembull në aspektin e ndërtimit të jetës dhe zhvillimit të marrëdhënieve në komunitet.

©FlasShqip.ca